Takimi i djeshëm i ambasadorit të SHBA-ve Donald Lu dhe atij të OSBE-së me Berishën, ka pasur në qendër të vëmendjes përpjekjen e tyre për të bindur Berishën, të tërhiqej nga numërimi elektronik.
Të bindur pas takimeve me Bashën se ishte Berisha ai që ka këmbëngulur për votimin elektronik, ambasadorët e Perëndimit, tentuan të flasin me të rreth kësaj çështjeje, por pa rezultat.
Burime të afërta me kryetarin e PD-së, bëjnë të ditur se pas takimit, Berisha bëri fakt të kryer nisjen e protestave për numërimin elektronik, për t’ua mbyllur derën ambasadorëve që po kërkojnë ta fusin reformën zgjedhore në një shtrat bashkëpunimi.
Basha edhe pse i bindur se nuk është e mundur të shkohet në votim elektronik, është i pafuqishëm për të marrë vendime në këtë pikë dhe i është nënshtruar idesë së protestës më 18 Shkurt, që është dhe afati i fundit i reformës zgjedhore.