Departamenti i Sigurisë së SHBA, ka deklaruar se ka pezulluar të gjitha veprimet për implementimin e urdhërit ekzekutiv mbi emigracionin, firmosur pak ditë më parë nga presidenti Donald Trump.
Gjithashtu, CNN raporton se zyrtarë të Departamentit të Shtetit kanë shfuqizuar anulimet e vizave, që u revokuan më parë nga urdhëri ekzekutiv i presidentit. Por, ky shfuqizim nuk vlen për ato viza, të cilat janë vulosur, apo shënuar si “të anuluara.”
Departamenti i Shtetit ka deklaruar se, qysh nga firmosja e urdhërit, janë revokuar më pak se 60 000 viza, por nuk është ende e qartë se sa persona nga ky grup do të mbeten aktualisht pa viza, pasi ato janë vulosur tashmë.
Gjithçka vjen pas vendimit të një gjykatësi federal, i cili pezulloi urdhërin e presidentit për ndalimin e udhëtimit, ndonëse Trump e sulmoi ashpër më pas gjykatësin.
Urdhëri ekzekutiv i Donald Trump ndalon hyrjen SHBA për 90 ditë të personave nga shtatë vende me shumicë mulsimane, hyrjen e të gjithë refugjatëve për 120 ditë dhe një periudhë e papërcaktuar e hyrjes së refugjatëve sirianë në SHBA. /Bjorn Runa