Korabi, dosje në FSHF kundër arbitrave

9 Shkurt 2017, 14:43Sport TEMA

Penalltia e dhënë kundër që vendosi ndeshjen me Skënderbeun ka qenë pika që ka mbushur Kupën te Korabi. Klubi dibran ka dërguar në FSHF një dosje me 11 episode ku pretendon se është penalizuar nga arbitrat gjatë këtij sezoni.

Bëhet fjalë për 9 ndeshje në total, që nga java e 2 me një pozicion jashtë loje të Adelaya, një penallti kundër të paqenë sipas Korabit të akorduar në javën e 9 ndaj Flamurtarit, dy gola të rregullt të anulluar në takimin e javës së 11 me Skënderbeun, kur topi kishte kaluar vijën fatale, mohimi i dy penalltive të pastra 3 javë më pas në ndeshjen me teutën, moakordimi i një tjetër penallti në dëm të Peposhit në përballjen e javës së 17 me Partizanin, e deri te 11 metërshi inekzistent sipas Korabit në takimin e fundit me Skënderbeun.

Janë këto disa nga episodet kryesore të kontestuara nga klubit dibran që pretenton se i kanë kushtuar nga 7 deri në 9 pikë në klasifikim, cka sjell dhe ultimatumin e bërë publik nga Drejtori i Korabit Fehmi Mziu.

“Ky është një ultimatum, ne kemi dorëzuar dosjen me pamjet filmike në FSHF me 11 episode që na kanë penalizuar. Duam drejtësi dhe garë të ndershme. Skuadra jonë nuk e prish garën, por nëse këto raste vazhdojnë do të thotë që gara prishet nga individët përgjegjës në federatë.”

Mziu gjithsesi nuk saktësoi se cilët do të jenë hapat e mëtejshëm në rast të mosrepsektimit të këtij ultimatumi. Pak ditë më parë, menjëherë pas ndeshjes me Skënderbeun trajneri Haxhiu kaloi kornizat e etikës duke folur për gjyqtarin kryesor Klajdi Kola.

Edhe pse mund t’i kushtojë në aspektin disiplinmor, Haxhiun refuzon ta konsiderojë një reagim në gjaknxehtësi e sipër.

“Nuk ishte një deklaratë emocionale, por diçka e akumuluar, pas shumë episodeve kundra. Rreziku i dënimit nga Disiplina? Ai ishte një etiketim, jo një sharje. Unë nuk kam qenë asnjëherë një trajner problematik për gjyqtarët apo për Komisionin e Disiplinës dhe duke shqyrtuar pamjet nuk mendoj se fjalët e mia do të merren në shqyrtim.”

Sipas futbollistëve, episodet kundra nga arbitrimi kanë krijuar edhe një lloj varësie psikologjike në skuadër.

“Gjithmonë ndodhin episode dhe kur hyjmë në fushë na duket se do të ketë gjithmonë raste nga të cilat do ti humbasim ndeshjet.”

Një tjetër temë e nxehtë për Korabin është dhe fusha, të detyruar të shtegtojnë në ndeshjet si pritës, në klubin dibran kryqëzojnë gishtat që të gjejnë pak shpresë te rikthimi në stadiumin e Peshkopisë.

“Shpresojmë që situata të ndryshojë, duke u kthyer të luajmë në stadiumin tonë. Gjithccka është gati, edhe fusha. Ne i kemi bërë të gjitha përgatitjet, ndërsa tani presim licencimin nga Federata dhe shpresojmë që të luajmë në Peshkopi prej ndeshjes me Vllazninë.”/SS/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje