Mbaroi apo vetëm sa ka filluar saga e hetimeve për lidhje të ngushta me Rusinë të ish-gjeneralit amerikan

14 Shkurt 2017, 19:22Blog TEMA

Nga Ruben Avxhiu

 

Administrata e Presidentit Donald Trump ka përjetuar dorëheqjen e parë madhore. Ish-gjenerali Michael Flynn, Këshilltari i Sigurisë Kombëtare ka dhënë sonte dorëheqjen.

Sinjale të kësaj rënie të një prej njerëzve më të afërt të presidentit janë dhënë prej ditësh. Sidomos kur CIA refuzoi të lejonte një prej zëvendësve të Flynn që të lexonte materiale të rëndësishme sekrete.

Flynn ka qenë një nga njerëzit më besnikë ndaj Donald Trump gjatë fushatës zgjedhore, por qysh nga fillimi ai është ndjekur nga kritika dhe akuza për lidhjet e tij të tepruara me Moskën. Kontribues dhe përfitues honoraresh nga burimi i propagandës ruse, “Russia Today”, Flynn ka qenë shpesh në Rusi ku ka vendosur lidhje të forta.

Marrëdhënia e tij me Rusinë e ka dëmtuar Presidentin Trump, i cili jo vetëm që ka treguar një simpati të habitshme për Presidentin e Rusisë Vladimir Putin, po edhe e ka rrethuar veten me njerëz të afërt me Moskën. Disa prej tyre u larguan shpejt, mirëpo Flynn mbijetoi.

Në fund të vitit të kaluar, kur Presidenti Barack Obama, ndëshkoi Rusinë duke larguar 35 diplomatë nga SHBA që dyshoheshin për spiunazh dhe ndërhyrje në procesin zgjedhor amerikan, Flynn zhvilloi një bisedë telefonike të gjatë me ambasadorin rus në Washington.

Pas kësaj bisede, Rusia deklaroi se nuk do të përgjigjej duke larguar edhe ajo 35 diplomatë. Menjëherë pati dyshim se presidenti që po vinte mund të kishte bërë ndonjë marrëveshje mbrapa kurrizit të presidentit që po ikte. Kjo do të ishte e papranueshme jo vetëm për traditën, po edhe për ligjin amerikan. Flynn nuk ka pasur autorizimin të negociojë në emër të Shteteve të Bashkuara.

Se çfarë ka ndodhur në atë bisedë është ende mister. Mirëpo, Flynn ka hedhur poshtë akuzat se ka bërë marrëveshje në emër të Amerikës. Ai ka këmbëngulur se biseda ka qenë thjesht logjistike për të vendosur një datë për telefonatën Trump-Putin.

Këtë qendrim ka mbajtur edhe administrata Trump deri pak ditë më parë. Zv-Presidenti Mike Pence e mbrojti Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare nga akuzat.

Po duket se Flynn mund t’i ketë gënjyer të dy. Të gjitha bisedat me ambasadën rusë në Washington regjistrohen. Kjo ka qenë arsyeja se pse komuniteti i shërbimeve sekrete në SHBA ka qenë gati në gjendje revolte kundër administratës. Detajet e bisedës janë ende sekrete, por fakti që Flynn ka gënjyer njerëzit në rrethin e Presidentit Trump, mbase edhe vetë këtë të fundit, tani është i sigurtë.

Po ashtu nuk dihet se deri sa thellë është përzjerë Flynn në lidhjet e tij me Rusinë. Ka akuza që mund të ketë shitur sekrete. Ka akuza për shpërblime të mëdha financiare për të dhe djalin e tij.

Në politikë ka shumë akuza që bëhen për motive partiake po zhurma rreth ish-gjeneralit ka qenë e pazakontë. Dorëheqja e tij mund t’i japë fund spekulimeve, megjithëse disa presin që të vijojë një hetim nga FBI.

Mendohet se edhe vetë Presidenti Trump është nervozuar me sjelljen e këshilltarit të tij, gjatë takimit me kryeministren britanike Theresa May. Flynn thuhet se ka ndërhyrë më shumë se çfarë i takonte në bisedë, duke përmendur gjithashtu pa vend se kur do të bëhej telefona mes Trump dhe Putin.

Në postin e Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare, Michael Flynn do të duhej të punonte ngushtë me shërbimet sekrete amerikane, një mision i pamundur deri tani për shkak të dyshimeve të tyre për të. Është i vetmi post në kabinet që nuk kishte nevojën e aprovimit nga Senati, ku Flynn nuk do të kishte “fluturuar” kurrë. Tani Presidenti Trump duhet të zgjedhë një këshilltar tjetër, vetëm tri javë pas ngjitjes në pushtet.

3 komente në “Mbaroi apo vetëm sa ka filluar saga e hetimeve për lidhje të ngushta me Rusinë të ish-gjeneralit amerikan”

  1. Gerti says:

    Me kete president amerika do shohe gallate.Sa per kete gjeneralin,eshte maja e ajzbergut,ne kete administrate jane shume ne sherbim te Putinit,duke filluar nga nr 1.

  2. Albani says:

    Flynn nuk ga genjyer as presidentin as zv.presidentin.Ata po genjejne tani,qe t’ja fusin Flynnit,sepse keto i kane thene te komunikonte.Keshilltari i sigurise nacionale,shok,mik,me Putinin,merrte donacionenga RT,dhe vendoset ne kete super pozicion ne Shtepine e Bardhe.E çuditeshme,megjithese ne kete administrate amatorizmi eshte liçense per tu bere pjese e stafit.Aty gallata vazhdon,Conway,keshilltare kryesore,thote ne tv,shkoni bleni prodhimet e Ivankes,vajzes se Trumpit.Nje zot e di si perfundoje WH ne kete derexhe.

  3. xho says:

    Presidenti republican Theodhor Rusvelt 1900-1908 ka thene: Patriotizem mendon: “Duhet te qendrosh dhe te punosh per atdheun. Kjo nuk mund te mendohet se duhet te qendrosh ne favor te Presidentit”. Me ngjarjet e fundit dhe Republikanet kane filluar te kritikojne rende kete President qe ka per mission te shesi Ameriken tek Ruset. Trampi eshte tradhetari numer 1 SHBA se bashku me 4 anaret kryesor te qeverise amerikane qe kane bashkepunuar e bashkepunojne me qeverine e Rusise. Doreheqja e Flynn eshte fillimi I fundit I ketij Presidenti me fytyre
    e floke bojaxhiu.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje