Albin Kurti

Në të gjitha vitet e pasluftës thoshin “pavarësia në fund të vitit”, dhe për çdo fundvit thoshin “pavarësia në vitin e ardhshëm”. Nëntë vite rresht ishte kështu, që nga viti 1999 deri në vitin 2008. U krijua një fiksim me pavarësinë si fjalë për shtetin pa e konsideruar përmbajtjen e saj. Pra, së pari pavarësia që kërkohej e përjetohej formalisht duke e ndarë formën nga përmbajtja, dhe së dyti besohej se forma e përcakton përmbajtjen duke e harruar të kundërtën që edhe përmbajtja e përcakton formën. Asokohe përveç se u nda forma nga përmbajtja dhe u instalua dominimi i së parës, pra formës, pasoi degradimi i tretë ku forma u reduktua në emrin. Në emërtimin për shtetin. Vetëm le të quhemi të pavarur, thuhej atëherë, kjo është e rëndësishme.
Pakoja e Ahtisaarit, siç e mbajmë në mend, nuk erdhi në fund të vitit 2006 siç u premtua sepse ishte shtyrë për shkak zgjedhjeve në Serbi. Më 2 shkurt të vitit 2007 ateron paketa e Ahtisaarit në Prishtinë me gjashtë padrejtësi themelore porsi gjashtë faqet e kubit të paketës. Më 2 shkurt të vitit 2007, në paketën e Ahtisaarit askund nuk figuronte fjala pavarësi. Rekomandimin për pavarësi të mbikëqyrur, Ahtisaari ia dërgon veçmas sekretarit të përgjithshëm të OKB-së pas demonstratës së 10 Shkurtit. Në tërë Pakon e Ahtisaarit njëherë përmendet fjala “shqipja” tek gjuha shqipe. Askund fjala ‘shqiptar’ përveç kur bëhet fjalë për komunitetet joshqiptare, dhe 37 herë fjala ‘serbe’.
Më lejoni ta lexojë se çfarë kemi shkruar atëherë, pra kritikën tonë ndaj Pakos së Ahtisaarit. Neni 1.2 të kësaj pakoje, ajo Kosovën e definon si shumësi të komuniteteve, pra shqiptarët dhe serbët konsiderohen komunitete. Edhe pse shqiptarët janë mbi 90% kurse serbët përbëjnë vetëm 6%. Sipas Pakos së Ahtisaarit, shqiptarët në Kosovë nuk janë as popull as komb. Neni 1.3, njerëzit në Kosovë kjo pako i quan banorë e jo qytetarë. Qytetari është burim i sovranitetit ndërsa banor është status që mund ta fitojnë edhe refugjatët. Ne po trajtohemi si refugjatë në shtëpinë tonë. Banori nuk ka territor ai është disi me qira, është në tokën që s’është e tij. Neni 1.6, gjuhë zyrtare në Kosovë është shqipja dhe serbishtja. Kjo është shumë më shumë për serbët sesa për shqiptarët ta zëmë në Maqedoni, se lëre më për ata që janë në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc. Neni 1.8, nuk e lejojnë as kërkesën për bashkim me ndonjë shtet apo pjesë të një shtetit tjetër, pra kufizim drastik nga jashtë, i vetëvendosjes së jashtme për popullin dhe sovranitetit të jashtëm për shtetin. Neni 1.10 tregon se në Kosovë do të sundoj bashkësia ndërkombëtare e jo populli dhe Qeveria e saj, po ashtu në këtë nen parashihet që Kosova t’i bëj ftesë bashkësisë ndërkombëtare për këtë gjë. Ejani të na sundoni! Neni 1.6, aneksi 1, dispozita kushtetuese, parasheh se të gjithë ata që kanë qytetarë të ish Republikës Federative të Jugosllavisë dhe banorë të përhershëm të Kosovës deri më 1 janar 1998 si dhe pasardhësit e tyre kanë të drejtë për nënshtetësinë e Kosovës. Pra, vëreni me kujdes, qytetarë të ish RFJ-së dhe banorë të Kosovës. Natyrisht se kjo datë më së shumti i konvenon Serbisë pasi që dihet se mbi 300.000 shqiptarë u dëbuan gjatë kohës së okupimit klasik dhe aparteidit në vitet e 90-ta para 1 janarit të vitit 1998. Neni 3.7, aneksi 1, dispozita kushtetuese e shpjegon qartë sesi Kuvendi i Kosovës është i kurthuar nga i ashtuquajturi shumicë e dyfishtë. Miratimi, ndryshimi apo shfuqizimi i ligjeve më të rëndësishme ka nevojë jo vetëm për shumicën e anëtarëve të pranishëm të Kuvendit, por edhe shumicën e atyre të komuniteteve pakicë të cilët kanë edhe ulëse të rezervuara. Më tutje në nenin 3.9 thuhet që asnjëra nga këto ligjet e theksuara në nenin 3.7 nuk mund të jenë objekte të referendumit. Kjo është e vetmja herë kur përmendet fjala referendum, pra kur na ndalohet ai. Neni 10.1, te amendamentet kushtetuese sërish tek aneksi 1 thuhet se çdo amendament në Kushtetutë mund të bëhet vetëm me 2/3 e deputetëve të Kuvendit , përfshirë këtu 2/3 e komunitetit pakicë të cilët i kanë ulëset e rezervuara. Pra, nevojiten 2/3 e numrit të gjithëmbarshëm të deputetëve, 2/3 e pakicave, por nuk është e thënë 2/3 e shqiptarëve. Aneksi 2, të drejtat e komuniteteve dhe pjesëtarëve në nenin 2.2 flet për mbështetjen e pajtimit ndërmjet komuniteteve. Nuk përmendet askund represioni, krimi dhe gjenocidi i forcave serbe si shkak, por për më keq aludohej se problemi është inherent etnik gjë që e shfajëson regjimin e Millosheviqit dhe Serbinë. Thua se dallimi etnik mes nesh ishte shkaku i konfliktit e jo interesat dhe apetitet e Beogradit. Neni 4, aneksi 3, decentralizimi tregon qartë sesi komunat e reja me shumicë serbe do të kenë kompetenca më të mëdha sesa komunat me shumicë shqiptare, siç është rasti i arsimit sipëror në Universitetin e veriut të Mitrovicës, i shëndetësisë sekondare e lincensimit dhe menaxhimit të spitaleve. Neni 7.1.1, aneksi 3, e shpjegon si Ministria e Arsimit të Serbisë do t’i hartojë planprogramet për shkollat në gjuhën serbe në Kosovë. Prandaj nuk kemi pse çuditemi sot kur është paralajmëruar para 10 viteve. Neni 12.4, aneksi 3, parasheh formimin e komunave të reja minoritare aty ku ata përbëjnë 75% të popullsisë dhe janë mbi 5,000 banorë. Në këtë mënyrë Serbia joshet që t’i kthej serbët kështu ta mundësojë formimin e komunave të reja. Pra, Serbia i ka përdorur serbët për më shumë territor , e jo më shumë territor për serbët. Aneksi 5, trashëgimia kulturore dhe fetare në nenin 1.2 thotë se Kosova do ta njeh Kishën Ortodokse serbe të Kosovë duke përfshirë manastiret, kishat dhe objektet tjera që shfrytëzohen për qëllime fetare, dhe si pjesë integrale e KOS-it me seli në Beograd. Ndërkaq në nenin 6, thuhet se duhet të bëhet kthimi i artefakteve arkeologjike dhe etnologjike të cilat janë marr hua nga muzetë e Kosovës për ekspozim të përkohshëm në Beograd gjatë viteve 1998-1999. Pra, plani i Ahtisaarit thotë që ne ta pranojmë se na u paskan marr hua përkohësisht, dhe jo se na janë plaçkitur. Aneksi 6, Prona dhe Arkivi në nenin 6.1, thuhet se Kosova duhet ta adresojë me prioritet çështjen e kthimit të pronës së Kishës Ortodokse serbe. Ajo konjukturë udhëheqëse, një pjesë e mirë që është edhe sot e asaj dite, ka pranuar se duhet t’i kthehet KOS-it prona që padrejtësisht e konsideron të sajën. Aneksi 8, sektori i sigurisë në Kosovë, në nenin 5.2 thotë se FSK-ja do të jetë e armatosur lehtë dhe nuk do të posedojë armë të rënda si tanke, artileri të rëndë apo kapacitet ajror ofenziv. FSK-ja do të përbëhet nga 2,500 pjesëtarëve aktivë dhe 800 pjesëtarë rezervë. Krahasojeni këtë me Serbinë! Aneksi 8, sektori i sigurisë në Kosovë, në nenin 6.1 thotë se TMK-ja do të shpërbëhet, pikë. TMK-ja e cila ishte pasardhëse e drejtpërdrejtë e UÇK-së do të shpërbëhet, shuhet.
Janë gjashtë padrejtësi të planit të Ahtisaarit. Gjashtë padrejtësi themelore që i kemi identifikuar atëherë, e cila paraqet thelbin e kritikës dhe kundërshtimit tonë që merr shprehjen e vet më të mirën në demonstratën e 10 Shkurtit të vitit 2007. Padrejtësia e parë është privilegjet për pakicën serbe për shkak se kështu kërkonte Serbia, duke ua dhënë të drejtën e vetos atyre që ua ke rezervuar ulëset. E dyta është trashëgimia kulturore me 45 zona eksterritoriale gjithsej qindra hektarësh e cila serbizonte dhe fetarizonte kulturën tek ne. E treta është decentralizimi që përbën 3/4 e Pakos së Ahtisaarit. Aty kemi oferta të palës kosovare, njëherë planin A pastaj B dhe C, njëherë 3+1 pastaj 4+1 dhe 5+1, deri sa vijmë tek Pako e Ahtisaarit ku duhet që Kosova t’i bëj oferta Serbisë për ta realizuar Serbinë brenda Kosovës deri sa ajo të jetë e kënaqur.
Ka ndodhur një defekt i jashtëzakonshëm në dy raste. I pari është decentralizimi para sovranitetit, së pari duhet sovraniteti e më pas decentralizimi. Në Kosovë ka ndodhur e kundërta për të mos u bërë ai si i tillë pikërisht për shkak se e ke pasur vendin e decentralizuar paraprakisht. Rrafshi i dytë i defektit është se decentralizimi është mbi baza etnike e jo për zhvillim. Është decentralizim sipas përkatësisë etnike, jo i organizuar rreth punës por përreth ndejës. Shqiptarët rrinë me shqiptarë, serbët rrinë me serbë, turqit me turq, le t’ua bëjmë komunat e tyre si njësi administrative territoriale. Në vend se të jetë i organizuar rreth punës, rreth zhvillimit e rreth ekonomisë. Pra, një decentralizim i ri, krejtësisht ndryshe i nevojitet Kosovës. Padrejtësia e katërt është betonimi i sundimit ndërkombëtar. Padrejtësia e pestë është pjesëmarrja e Kosovës në borxhin e jashtëm të Serbisë. Ndërkohë që ne nuk kemi marr pjesë në suksesionin e Serbisë. Ju e dini se motrat dhe vëllezërit kur ndahen në një familje ndahen duke e trashëguar pasurinë e prindërve para se ta bëjnë ndarjen e borxhit të prindërve. Kjo nuk ka ndodhur në Kosovë. Në fund është çështja e shuarjes së TMK-së, në vend se të çarmatosej ushtria jugosllave u çarmatos UÇK-ja. Më pastaj, në vend se TMK-ja të bëhej ushtri ajo u shua fare. Kjo i bie thua se ne e kemi okupuar Serbinë. Tash duhet të drejta për serb dhe se ne nuk duhet të kemi armatim sepse ne jemi agresorët dhe okupatorët.
Më vonë dihet se u bë kompromisi i dhimbshëm ku Serbia fitoi shumë por mbeti e pakënaqur, pavarësia nuk kaloi në Këshillin e Sigurimit të OKB-së sepse ajo nuk ishte adresa për ne. Serbia nuk e njohu pavarësinë tonë dhe përkundër të gjitha këtyre Pakoja e Ahtisaarit u zbatua një anshëm në Kosovë. Më 20 shkurt të vitit 2008 në një ditë të vetme në Kuvendin e Kosovës kur s’ka pasur VETËVENDOSJE, miratohen nëntë ligje nga propozimi gjithëpërfshirës për zgjidhjen e statusit të Kosovës që ndryshe quhej Plani i Ahtisaarit. Dihet që Kushtetua është si skeleti ndërkaq ligjet janë sikur mishi. Ky shteti i Republikës së dytë të Kosovës, i pavarësisë së shpallur më 17 shkurt 2008 ka edhe deformime eshtërore edhe atrofi muskulore.
Sot, të nderuar të pranishëm, Serbia është edhe më tej e pakënaqur si dhe në Bruksel po zhvillohen negociata të reja. Serbia e pakënaqur është Serbi hegjemoniste dhe shoveniste. Normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë është normalizim i marrëdhënieve me hegjemonët dhe shovenistët jo të penduar për krimet nga e kaluara. Sikur dje komunat me shumicë serbe, po ashtu edhe sot bashkësia apo asociacioni i këtyre komunave përkatësisht “Zajednica” nuk është kërkesë e serbëve të Kosovës por e Qeverisë së Serbisë. Interesat e Serbisë kamuflohen me nevojat për sigurinë dhe integrimin e serbëve. Ne gjithsesi jemi për integrimin e serbëve, madje jo vetëm nëpër institucione por edhe në shoqëri, mirëpo integrimi i serbëve në Kosovë nuk mund të kalojë nëpër Beograd as në veri e as në jug, as dje e as sot, as sot e as mot.
Të nderuar të pranishëm, sa herë që ne i kemi kundërshtuar planet e Serbisë gjithmonë ka qenë dikush që na akuzonte se ne jemi kundër serbëve. Në fakt, ata që na kanë akuzuar padrejtësisht kështu kanë dashur të thonë se serbët mund të ekzistojnë vetëm sipas projektit hegjemonist të Serbisë si shtet. Pra, serbi është vetëm serbi sipas Serbisë. Ne besojmë që kjo jo vetëm që është e padrejtë por është edhe e pavërtetë dhe gjithsesi e dëmshme. Shteti i shumicës është i vetmi që mund t’i garantojë të drejtat e pakicës në kuptimin modern dhe evropian të fjalës. Çdo shtet i pakicës, qofshin ata politikanë shqiptar që u bënë multimilioner, qofshin ata burokratë ndërkombëtar me fuqi ekzekutive dhe imunitet prej ligjit, qofshin ata përfaqësues të pakicave kombëtare me të drejtë vetoje bllokuese. Çdo shtet i pakicës si ky që kemi sot është pengesë për demokracinë dhe funksionimin si në drejtësi, ekonomi dhe në shoqëri.
Vetëvendosja vjen nga poshtë sepse vetëvendosja është vetëvendosje e popullit, e asnjërit veçmas dhe e të gjithëve bashkë. Vetëvendosja prej lartë nuk është vetëvendosje. Pavarësia që u shpall me 17 shkurt 2008 ishte pavarësi prej lart. Meqenëse ishte pavarësi pa vetëvendosje rrjedhimisht fituam shtet pa sovranitet. Këtë e bënë ata që dikur thoshin se duhet t’iu japim komuna serbëve që të marrim shtetin e pavarur që të na e njeh Serbia në fund. Sot, thonë se s’ka rëndësi se çka japim sepse në fund Serbia do të na njoh. Gabim atëherë, gabim sot. Madje nëse po na njeh Serbia në fund, a do të duhej që pikërisht për këtë arsye të mos i bëjmë koncensione paraprakisht si puna e “Zajednicës”. Kjo bashkësia e komunave me shumicë serbe, është bashkësi e cila nuk bashkon por ndan. I ndau dhjetë komuna dikur prej shqiptarëve, Leposaviqin, Zveçanin, Zubin Potokun dhe Veriun e Mitrovicës, Graçanicën, Parteshin, Ranillugun, Kllokotin, Shtërpcën dhe trefishimin e Artanës. Tash ka synuar që t’i bëj ato bashkë kundër Kosovës. U ndanë për të qenë kundër, duan të bëhen bashkë për t’u ndarë edhe më shumë prej nesh për t’u bërë kundër nesh.
Në vitin 1999 na e hoqën autonominë, Serbia filloi luftërat në Slloveni, Kroaci e Bosnje për të na u kthyer në Kosovë me përvojën e tri luftërave. Tash duan të na e zvetënojnë pavarësinë në kohën kur stuhi të reja po i kërcënohen Ballkanit. Emri pavarësi do të na mbetet sido që të jetë, sepse emri autonomi na pat mbetur edhe pas suprimimit të saj. Mirëpo me “Zajednicë”, me këtë demarkacion, me gjykatë speciale pa ushtri; Kosova s’do të jetë me gjithë mend e pavarur.
Të nderuar të pranishëm, Lëvizja jonë VETËVENDOSJE!, e ka një historik të shkurtër por një histori të gjatë. E ka një historik hiç më shumë se një dekadë, por e ka historinë e gjatë për më shumë se një shekull. Ne s’mund të ndalemi edhe sikur të donim, dhe nuk duam të ndalemi sepse e duam shumë vendin dhe popullin tonë. Të nderuar të pranishëm, po, ne jemi edhe idealistë edhe kategorikë sepse kur dominon padrejtësia të jesh realist do të thotë të bëhesh konformist, e të jesh pragmatist do të thotë të bëhesh oportunist. Ne mund të sakrifikojmë gjithçka për Republikën por jo edhe vet Republikën. Duhet dhe do të ecim përpara me popull pa populizëm, me individualitet pa individualizëm e me paqe pa pacifizëm. Të gjithë bashkë, qytetarë aktiv për Republikën dhe bashkimin sepse me idenë e bashkimit e bëjmë Republikën e nëpërmjet Republikës e bëjmë bashkimin.
FAJIN E KANE THACI ME SHOKE ,QE E KANE FIRMOSUR PLANIN E AHTISAARIT ,QE SHTE PLOT PADREJTESI . VETEM AMERIKA E NDIHMON KOSOVEN
EUROPA BEN PLANET VETEM NE NDIHME TE SERBISE . ,
Si eshte kjo pune more Albin? Para 1999 Ju luftonit per Republiken, cka solli bombardimet e perendimit dhe Kosova u be Republike. Tani duket sikur me shume po qani se luftoni. Tani qe e keni Republiken po luftoni kush ta vjedh ate, Jo si ta zhvilloni ate. Te gjithe doni grada, te beheni gjenerale apo ministra. Demokracia eshte pune e veshtire, me e veshtire se lufta. Duhet te pranoni se nuk e njihni demokracine dhe as e mireadministroni ate. Serbet jane me mire se Ju dhe kjo diference kulturor e administruse sjell pasoja, per te cilen duhet te reagoni. Duhet nje strategji, duhen mjetet e nevojshme dhe ti perdorni ato ne te miren tuaj. Fitorja eshte ne anen tuaj. E kjo eshte e rendesishme.
E clirove vete Kosoven, apo ta cliroje Shqiperia?! Jo, si gjithmone ne shqiptaret te fundit! Hajdute, denglaxhi, inferiore, te deshtuar ne cdo aspekt. Po te mos ishte per ShBA sot do ishim fshire nga faqja e dheut.
A po ben ndonjeri nga ne shqiptaret shtet?!
Shoqeria jone mos ndofta ja ka kaluar dikujt ne Ballkan per mentalitet, kulture dhe sherbime ndaj qytetareve te saj? Jo, jemi me llumi i Ballkanit! Nese na lene vetem jemi te destinuar te shfarosemi ne rast te ndonje konflikti. Viktima te vetvetes qe e kishim mendjen te vidhnim e shqyenim, duke mos menduar kurre qe ka dhe nje te neserme.
Arsyetimi per nga logjika i ngjan absurditeteve te Serbise, qe jeton jashte realitetit.
Po i them zoterise te njejten batute tallese qe nje diplomat amerikan i tha Vucicit; Beni lufte! Fitojeni Kosoven! Dhe pastaj legjitimoni absurditetet tuaja!
Europa me politikèn e sajè ka ndikuar shumè pèr t’ju dhènè shqipètarève sa mè pak progres. Kètè e dèshmon dhe “Plani Antisari” me gjashtè padrejtèsitè e tijè , qè nè fakt janè shtesè i padrejtèsive tè vetè Europaès mbi çèshtjen shqipètare. Europa ishte e pafuqishme pèr njè zgjidhje tè drejtè pas konfliktit nè Gadishullin Ilirik . Serbia ka shkaktuar njè tmerr tè vèrtetè nè kètè gadishull pèr njè shekull dhe asnjè herè nuk ka marrè dènimin e merituar. Pèrse ?!? Sepse europa nuk ka njè zè, nuk ka auroritet, ka shumè frikè ! Ne shqipètarèt jemi pjesa mè e vjetèr, mè e vuajtura dhe e sakrifikuar e sajè. Kurrèn e kurrès nuk duhet tè meritojmè sot njè trajtim kaq neglizhues nga ky kontinent i mplakur i kamur dhe pa zemèr. Albini me VV dhe pjesèn patriote atje nè shqipèrinè e epèrme, merrni nè dorè fatin tuaj ! Po tè bèheni bashkè tè fuqishèm Europa do tè vijè vetè t’ju kèrkojè dhe jo t’ju thèrasè ajo nè Bruksel pèr tè na treguar pèralla qè tè vènè nè gjumè !
LVV eshte Atdhetare dhe, ka vizion perparimtar per Popullin shqiptar! Mos shikoni elementet negative te infiltruara nga SHIKu
ALBIN, shqiptarët “elitarë” janë analfabetë të mirëfilltë dhe e kanë tepër vështirë të lexojnë (për të kuptuar) një dokument juridik e politik.
Në teorinë e të drejtës dhe të shtetit, A dhe B, shteti përkufizohet si sovranitet territorial i një populli, shteti mbështetet në të drejtën e zbatimit të monopolit të dhunës, shteti, shteti….
Plani Ahtisari është një mish-mash tezash ku gomari e pappagalli janë ekuacion i drejtë i injorancës dhe i manipulimit me të drejtën elementare të sovranitetit të popullit.
MARRËVESHJA e OHRID, ALBIN, kënaqësia e deliri i shiptarellave, është një dokument antishqiptar, me një mohimi kristal të shqiptarëve. Shqiptarët e shiptarellat nuk kanë aftësi e kapacitet intelektual të lexojnë kurthat e këtij dokumenti antishqiptar e të dokumenteve të ngjashme që me Shulin i firmoste , pos të tjerësh, edhe A. Xhaferri i ndjerë