Komunizmi – Uzurpatori i fesë

9 Shkurt 2017, 18:48Blog TEMA

Nga Ilir Hashorva

“Një ndër pikat e forta të sistemit komunist është se ka disa nga karakteristikat e fesë dhe të nxit emocionet e saj”

Albert Ainshtajn

Duke filluar me Revolucionin Francez, duke vazhduar me atë komunist e më pas me atë nazist, feja dhe klerikët janë luftuar, por asnjë revolucion nuk e luftoi fenë dhe klerikët aq ashpër dhe aq pa mend sa komunizmi shqiptar. Ndërsa Gandi përdori fenë në luftën e tij për çlirimin e Indisë dhe emancipimin e indianit, komunizmi shqiptar i mori fesë organizimin dhe disa praktika dhe me to, pasi e shkatërroi atë, ndërtoi sistemin e tij. Gandi deklaronte: “Mund të them pa hezitimin më të vogël dhe me përulësinë më të madhe se, ata që thonë se feja nuk ka të bëjë me politikën, nuk dinë se ç’do të thotë fe.” Komunizmi e pati parasysh këtë mendim të Gandit, por e përmbysi. Komunizmi nuk e përdori fenë për ta pasur si ndihmëse në politikën e tij, ashtu siç bëjnë e siç kanë bërë shumë regjime, por e luftoi, e vrau dhe, ashtu të vrarë, e uzurpoi.

Përse e luftoi aq egër komunizmi shqiptar fenë?

“Për ta shpëtuar popullin nga një shkak i prapambetjes intelektuale” – thanë komunistët. “Për t’i zënë vendin asaj dhe për të qeverisur më lehtë” – thanë kundërshtarët e tyre. “Për mospajtime të thella filozofike midis spiritualizmit fetar dhe materializmit komunist” – thanë filozofët komunistë. Të gjitha këto, padyshim, kanë  brenda pjesë të së vërtetës. Por, ka edhe pjesë të tjera të së vërtetës të cilat janë më të rëndësishme se ato që thamë. Sipas Biblës, në Urdhëresën e Parë, Zoti i thotë Moisiut, dhe përmes tij, njerëzimit: “Nuk duhet të kesh Zot tjetër përveç meje”.

Komunizmi donte të kishte një tjetër Zot, i cili duhej të ishte, po ashtu, i vetëm: Udhëheqësi i Partisë. Përveç kësaj, ka edhe një arsye tjetër, pak më të fshehtë: feja në përgjithësi synon t’i vejë fre dalldisë së njeriut për të bërë ndryshime të shpejta të diktuara nga psikologjia dhe politika e çastit. Ajo kërkon që njeriu t’i bindet disa rregullave që janë provuar prej shekujsh si më të mirat, si më të qëndrueshmet dhe si më të moralshmet. Totalitarizmat kërkojnë të krijojnë njeriun e tyre, me një psikologji të re, por krejtësisht imorale. Feja e pengon këtë krijim. Kështu, për totalitarizmin, pra dhe për komunizmin e sidomos për të, feja është një pengesë serioze për krijimin e njeriut të tyre të ri, prandaj ajo duhet fshirë.

Nga të gjitha doktrinat dhe organizimet që ka shpikur njeriu, doktrina fetare dhe organizimi institucional i saj kanë qenë nga më jetëgjatët. Shumë doktrina të tjera, organizime, shtete të fuqishme apo perandori, fillimisht në dukje si të përjetshme, u shuan. Feja mbeti. Totalitarizmi modern e kuptoi se ku ishte forca e fesë dhe desh ta shfrytëzonte atë për vete. Komunizmi si një lloj totalitarizmi, i kopjoi fesë thelbin e doktrinës dhe të organizmit dhe, kështu, ai, dashje pa dashje, krijoi një fe të re.

Në ndryshim me diktaturat e tjera, totalitarizmi është një sistem që, përveç që përdor dhunën për të nënshtruar popullin, organizon të gjithë jetën në mënyrë që ajo jetë t’i shërbejë ideologjisë së tij. Ai ndërhyn në çdo aspekt të jetës së njerëzve: në atë politik, ekonomik, shpirtëror dhe personal të përditshëm. Në totalitarizëm ka vetëm një ideologji dhe një parti e cila udhëhiqet nga një diktator absolut që, sipas rastit, mund të quhet udhëheqës, komandant, fyrer, duçe, lider etj, emërtime që nuk kanë të bëjnë fare me postin zyrtar që mban ai person. Udhëheqësin nuk e frenon as kushtetuta, as ligji e as opozita, e cila nuk ekziston. Kundërshtimi shtypet që në rrënjë dhe populli terrorizohet sistematikisht. I gjithë populli duhet të ketë një mendje. Atij nuk i lejohet dhe nuk i krijohet asnjë mundësi për të menduar ndryshe, pa le më për të vepruar ndryshe.

Elie Wiesel thotë se komunizmi është një lloj feje, një lloj feje mesianike që nuk ka Zot, por ka Mesi. Mesia, shpëtimtari, i panjolli, i caktuari i Zotit, është udhëheqësi, komandanti, duçja, fyreri apo lideri i cili, ashtu sikundër Zoti, nuk mund të kritikohet, por vetëm të lëvdohet për çdo punë që bën.

Feja është në të vërtetë totalitarizëm i pastër, ajo është totalitarizmi fillestar. Në format ekstreme, fanatizmi dhe fundamentalizmi fetar, sidomos ato të besimeve monoteiste, nuk janë gjë tjetër veçse shëmbëlltyra të totalitarizmit politik, apo anasjelltas, totalitarizmi politik nuk është gjë tjetër veçse shëmbëlltyrë e totalitarizmit fetar.

Përfaqësuesi më tipik i totalitarizmit politik, Shefi i Gjermanisë Naziste, Adolf Hitler, ka dhënë disa mendime, në librin e tij “Mein Kampf” për ndërtimin e një shteti të fortë e të qëndrueshëm nazist që do të jetonte për 1000 vjet, të bazuar edhe në mësimet e  fesë: në mësimet e institucionit më jetëgjatë, të Kishës Katolike.

Së pari, thotë ai, që të triumfojë një rend i ri, duhet të shkatërrojë rendin e vjetër. Rendi i ri nuk mundet dhe nuk duhet të bashkëjetojë me rendin e vjetër apo me një rend të ndryshëm. Ai duhet të përdorë çdo mjet për ta luftuar dhe shkatërruar rendin e vjetër dhe të gjitha idetë e tij. Rendi i ri duhet të bëjë atë që ka bërë krishterimi i cili “nuk u kënaq me ngritjen e një tempulli të vet, por shkatërroi njëkohësisht edhe tempujt paganë.” Intoleranca është kusht i domosdoshëm për zhvillimin e një rendi të ri. Intoleranca duhet të shkojë deri në terror dhe “krishterimi ishte i pari që futi terrorin psikologjik” dhe, më pas, edhe atë fizik. Shën Agustini, në fillimet e përhapjes së krishterimit, aty nga viti 400, në mënyrën më intolerante, tha: “Perënditë pagane janë djaj.”

Së dyti, thotë Hitleri, nga doktrina e përgjithshme e rendit të ri, duhet të zgjidhen një numër idesh dhe formulash që do të kenë efekt të madh mbi individët të cilat do të jenë mbështetëset e asaj doktrine. Ato duhet të shërbejnë njëlloj si motivet fetare që të lidhen emocionalisht me çështjen, me doktrinën.

Së treti, me kohë, edhe pse mund të lindë nevoja e ndryshimit të disa parimeve të doktrinës apo të riformulimit të tyre, nuk duhet ndryshuar asgjë. Po u bënë ndryshime, sipas Hitlerit, efektet mund të jenë fatale. Diskutimet për ndryshime do të çojnë në konfuzion të përgjithshëm. Ndryshimet bëjnë që të ngjallen dyshime për doktrinën. Shembulli, vazhdon ai, duhet marrë përsëri nga Kisha Katolike e cila nuk ndryshoi kurrë asnjë parim edhe kur ai binte në konflikt me zbulimet e kohës. Ajo kishte kuptuar se forca e  qëndresës së saj do të bjerrej nga futja e adoptimeve doktrinale për përshtatje me përfundimet e shkencës. Kisha Katolike qëndroi e fortë, sepse mbeti e lidhur ngushtë me dogmat e vendosura. Po ashtu, sistemi politik mbetet i fortë kur nuk ndryshon. Mos ndryshimi i jep atij  karakterin e fesë, të besimit.

Një sistem totalitar pra, për të pasur jetëgjatësinë e një sistemi fetar, duhet të shkatërrojë çdo pikëpamje, filozofi apo individ që nuk i shkon atij për shtat. Një sistem totalitar duhet të krijojë njerëz të bindur deri në fanatizëm. Fanatiku politik nuk duhet të ketë ndryshim nga fundamentalisti fetar. Devotshmëria ndaj sistemit totalitar duhet të jetë e njëjtë me devotshmërinë ndaj besimit fetar. Një sistem totalitar duhet të jetë dogmatik. Ai nuk duhet të bëjë asnjë ndryshim në idetë e veta, nuk duhet të revizionojë atë çka mund të diktohet nga koha apo nga fakte të reja. Një sistem totalitar, njëlloj si sistemi fetar, duhet të jetë piramidal i theksuar. Në krye të atij sistemi duhet të qëndrojë ai që do të jetë i ngjashëm me perëndinë e fesë, që të ketë në dorë shpërblimin dhe ndëshkimin, ai që vetëm lëvdohet.

Komunistët shqiptarë i çuan më tej idetë e Hitlerit për të kopjuar nga feja e për të zgjatur ditët e sistemit të tyre. Por, ndërsa Hitleri dhe Musolini u përpoqën ta vinin fenë në shërbim të tyre, komunistët shqiptarë vepruan me fenë si ata banditët që pasi grabisin e vrasin, kapardisen me sendet e grabitura duke i paraqitur si të vetat. Ata  përvetësuan  thelbin e fesë, u vunë emra të rinj shumë prej elementëve të skemave organizative të fesë apo të pjesëve të doktrinës së saj dhe vetë fenë e zhdukën si të mos kishte qenë kurrë. Komunistët luftuan më shumë krishterimin katolik, prej së cilit edhe adoptuan më shumë. Janë interesante të vëmë në dukje këtu disa shembuj adoptimesh komuniste të fesë, të cilat do t’i jepnin komunizmit real shqiptar tiparet e fundamentalizmit fetar, tiparet e krishterimit mesjetar.

7 komente në “Komunizmi – Uzurpatori i fesë”

  1. Moni says:

    Ne se ka nje gje per te cilen mburremi sot para botes, per tolerance fetare, qe ne fakt eshte mosbesim fetar, eshte qendrimi i shtetit komunist ndaj fese.

  2. Gregor Lato says:

    I nderuar zoti Hshorva,
    Po ta gjykoj shkrimin tuaj ne total dhe si ide, mund t’iu them se keni te drejte.
    Por mendoj se jo kurdohere feja ka luajtur ate rol qe ju analizoni, ka patur edhe rol regresiv dhe ne interes te disa politikave reaksionare (per kushtet e vendit tone).Feja katolike, duke shfrytezuar prapambetjen e thelle kulturore, sociale, intelektuale dhe ne vecanti ate ekonomike, per mendimin tim ka qene shume regresive. Jo shume larg, por vetem disa dite me pare, prifti katolik Masafra, iu kundervu aksionit te policise per mbledhjen e armeve, duke bere shtetin fajtor qe nuk i mbron qytetaret e vet dhe prandaj ata jane te armatosur per te mbrojtur vehten e tyre dhe familjet, pra hapur, mos dorzoni armet, mbajini dhe zinxhiri i hakmarrjes e gjakesise, qe eshte teper i dukshem, sidomos ne veri te vendit, te vazhdoje te jetoje e gjallerohet, kur ne te kundert, ne takimin e ministrit Tahiri ne zonen e Matit, nje nene qe kishte humbur djalin nga armet e paligjeshme, i ben apel qytetareve t’i dorzojne, se nje arme eshte baraz me nje jete te marre, duke mbeshtetur keshtu nismen.
    Kjo nene zoti Ilir, degjoi zemren, dhe beri nje thirrje te kundert me priftin. Paradoks i madh, ndryshe perfaqesuesi i fese dhe ndryshe qytetaret. Si mund ta quajme kete, sipas jush, propagande komuniste.
    Nuk akuzoj te gjithe fetaret ne kete rast, se shume prej tyre mund te ishin kunder shprehjes se ketij prifti, por ky prift apelin e beri ne publik per mos dorzimin e armeve. Mua m’u duk shume reaksionare dhe e krahasoj me demet qe i ka sjelle feja para dhe fill mbas c lirimit, qytetareve te thjeshte besimtare, sepse fjala e priftit, sidomos ne veri, ka qene, fjala e zotit, dhe njerzit duhej te benin si thoshte perfaqesuesi i zotit.
    Per kushtet e vendit tone, sidomos ne veri, me mohimin e fese, u zhduk edhe zakoni i gjakmarrjes, pothuaj plotesisht, dhe vetem nje pakice, e paperfilleshme, ishte kunder mohiomit te fese, por per te festuar ritet fetare, dhe jo per te degjuar predikimet e priftrinjeve, plus qe u zhduken edhe shume zakone te vjetra e poshteruese, sidomos ndaj grave e vajzave, qe shiteshin e bliheshin, pra trajtoheshin si kafshe.
    Shume me ndryshe ka qene ndikimi i fese ne jug te vendit, si asaj myslymane dhe asaj ortodokse, sepse edhe niveli i njerzve ka qene disi me i ndryshem, si ai ekonomik dhe niveli arsimor, prandaj ka edhe me pak perfaqesues te fese te denuar, ndryshe nga veriu ku feja, sidomos ajo katolike ka luajtur rol frenues, kunder zhvillimit ne pergjithesi.
    Jam revoltuar pa mase nga deklarata e don Masafres para besimtareve ne kishen e Dajcit.

  3. Zeus says:

    Nje sharlatan antikomunist,qe tenton te akuzoje socializmin duke perdorur idete e Hitlerit!
    Ne se bazohesh tek Hitleri,o Hashurja pa sheqer,atehere ti hedh poshgte te gjitha sa ke llapur kunder socializmit,sepse e pranon qe te peqen nazizmi hitlerian!
    Kush te gjeti ty,qe do te matesh me gjenialitetin e socializmit qe zhduku opiumin e perdorur per te mpire trute e njerezve?
    Ja ku i ke fete per v26 vjet rresht,por ne Shqiperi ka mbire krimi,vjedhja,perdhunimi,analfabetizmi,percja turkoshake e anadollit,qe i8 mban femrat te mbyllura ne burgun e saj?
    Eshte mbushur Shqiperia me xhami dhe kisha,me mijra fetare bredhin neper Shqiperi,por asgje nuk kane zgjidhur nga hallet e popullit!
    Cfare perfaqesojne fete?
    Ne se pranoni se paska nje ZOT,atehere perse u dashkan kriojuar dhjetra fe te ndryshme qe interpretojne fene sipas interesave vte tyre?
    Ne se paska nje zot atehere duhet te kete vetem nje fe e jo kaq shume!
    Por kjo eshte bere per te percare njerezit,per t’i sunduar me lehte dhe nxitur luftrat fetare,qe ne shekuj kane shkaterruar njerezimin dhe pasurite e tij kulturore,ekonomike,shkencore etj!
    Feja akuzon socializmin si armikun e saj,por nuk mban te njejtin qendrim edhe ndaj fashizmit e nazizmit!
    Po behen edhe sot shume luftra lokale,po vriten miliona njerez,po shkaterrohen kultura mijravjecare,por as politikes e as fese nuk i intereson t’i veje gishtin plages!
    Bolll u moret me antikomunizmin,por merruni me ANTINJEREZIT qe jane fshehur pas fese dhe politikes!
    FEJA KA QENE DHE ESHTE OPIUM PER POPUJT!
    Kjo thenie e ARTE ju djeg ju krimineleve fashiste,ndaj e urreni per vdekje sistemin socialist!
    Por nuk keni per te shpetuar:
    -Ne mos sot,neser do ju vije prap shpata e popujve perparimtare mbi kokat tuaja te fishkura antinjerezore!
    Do te lindin prap te tjere Enver Hoxha,qe do te udheheqin popujt per te zhdukur skllaverine fetare e politike!

  4. Para Laci says:

    Feja mbeti sepse ajo ne thelb eshte shpirterore, packa se me dashje apo pa dashje kleriket e shtremberojne fjalen apo mesazhin e zotit.
    Komunizmi, Kapitalizmi dhe cdo ideologji tjeter ne thelb ka materialin. C’do ideologji qe bazohet ne struktura te forta mendore heret a vone bien, ashtu sic ra bashkimi sovjetik apo perandorite e tjera te kohes. Prandaj urat ndertohen elastike qe te kene mundesi te perballojne ererat e forta, perndryshe po i ndertuan teper te forta ato thyhen.

  5. Posejdon.al says:

    Ilir Hashrova eshte nje peshe shume e lehte, ne cfardo profili qe do te donte ta perkufizonte veten e tij, per te dhene mend dhe per te bere konkluzionet per rolin e fese ne historine njerezore, si filozofi, si ideologji, si organizim politik dhe se organizim shteteror, si uzurpatore shpirterore, intelektuale, shkencore dhe pasurore te resorseve te krijuara nga puna njerezore, si aneks dhe aleat i perhershem i pushteteve te klasave sunduese dhe pushtuese kudo ne bote dhe ne cdo kohe.
    Aq me pak ka premisa dhe kapacitetin e nevojashem Ilir Hashrova te beje prokurorin e akuzes per qendrimin e filozofise materialiste, te marksizmit dhe te shtetit komunist ndaj fese dhe rolit te saj ne histori.
    Perpjekja e tij dhe qasja e tij per temen qe trajton ne kete shkrim, eshte nje amatorizem pervers dhe nje corbe e perbere nga fraza, citime dhe opinione te peshkuara fare lire on line ose nga ndonje broshure qe i ka rene ne duar.
    Dilemat egzistenciale te njerzimit dhe individit, perballja dhe dualitetet kontradiktore te njeriut si qenje biologjike por dhe shoqerore njeherazi, misteri i vendit, rolit dhe destinise se tij ne universin e galaktikave, univers qe po zgjerohet me shpejtesi eksponenciale me zhvillimin, matematizimin dhe sofistikimin e shkencave dhe astrofizikes, kane qene dhe mbeten shtysa qe njeriu t’i dorezohet idese se “zotit” dhe qe njerezimi te formuloje religjionet/fete e bazuara ne keto shtysa dhe, me pas e ne vazhdimesi, te shfrytrezuara si mjete per mistifikimin dhe nenshtrimin shpirteror te individit dhe te vete shoqerise.
    Duke shkruar per mjerimin, si nje njolle e pashlyeme ne balle te njerezimit qe kalon nder shekuj, Migjeni yne i madh ne Poema e Mjerimit, thote se kete njolle(mjerimin),
    “.. nuk mund ta shlyejne pacavrat qe zune myk nder tempuj”
    Sigurisht, komunizmi nuk e zhduku “mjerimin” dhe krijoi pacavrat e veta, pacavra qe rane e u shemben, pa patur kohe te zene myk nder tempujt e rinj komunzmi ndertoi per masat e gjera tek te cilat nuk ngjiten dot zotat e rinj te tij.
    Por kjo nuk do te thote qe analiza qe komunistet i bene rolit te fese ne historine njerezore dhe goditja revolucionare qe ata i bene pushtetit te fese ne botkuptimin human, te mos cmohet si nje hap perpara drejt clirimit te shpirteror dhe intelektual te shoqerise, si nje hap drejt krijimit te zotit te vertete, qe duhet te jete vete njeriu me mendjen e tij gjigande per te spjeguar universin ku egzistojme dhe vendin dhe rolin tone ne kete univers.

  6. ILIR HASHORVA says:

    U lutem të gjithë komentuesve që, para se të paraqesin vërejtjet e tyre për këtë temë, të lexojnë të plotë shkrimin tim që gjendet në gazetën “Respublika”, ose “Tirana Observer”, ose të presin se, ndoshta, gazeta “ Tema” pjesën e dytë do ta botojë nesër.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje