Nik Spahiu nuk ka qënë kështu siç eshte sot vite më parë. Ishte zëri më i fuqishëm dhe karizmatik për largimin e kryeministrit të asaj kohe Sali Berisha.
Madje nuk ngurronte të përcaktonte dhe data historike dhe simbolike për largimin e Berishës, njeriut që sipas Nikut kishte pushtuar të gjitha institucionet e shtetit, duke i zënë frymën shqiptarëve. Madje nuk kishte vene ende syzet, per te qene me afer pozicionit te te dukurit intelektual.
Kështu, Niku katër vjet më parë si një nga ‘udhëheqësit’ më të fortë të nacionalizmit në Shqipëri betohej dhe jepte garanci maksimale se do e hiqte Berishën nga pushteti që e kishte marrë dhe e mbante me pa të drejtë. Duke e cilësuar Saliun si diktatorin e fundit, kërkonte ta largonte atë me çdo kusht, madje teorinë e vendosjes së “drynit” te porta e kryeministrisë e ka përdorur që atëherë.
Vetem me një ndryshim, se bënte fjalë për rrethimin e jashtëm të godinës së kryeministrisë. Pikërisht andej nga ku disa metra larg saj më 21 janar 2011 u vra Ziver Veizi, protestues i pafajshëm i opozitës së atëhershme të majtë. Dhe Niku asokohe, pra katër vite më parë, shpalli një lëvizje, të cilën e quajti “Një 7 prill pa Berishën!”.
Mori për bazë datën 7 prill, në të cilën shqiptarët kujtojnë pushtimin fashist, dhe jo si në çdo vend të botës dalin nga Liqeni për të qëndruar me familjet e tyre. Jo pa qëllim Niku e bëri protestën në atë orë, për të tërhequr dhe ndonjë kurioz dhe për ti dhënë masivitet lëvizjes së tij të 7 prillit kundër Berishës.
Pasi në mendjen e tij, në atë periudhë Sali Berisha kryeministër ishte pushtues njësoj si nazi-fashistët në Luftën e Dytë Botërore. Disa muaj, pasi dështoi me sukses të merrte ndonjë deputet apo votë të cilësueshme në zgjedhjet e 2013-tës, Nik Spahiu është bërë njeriu më i preferuar i Lulzim Bashës, madje arriti të bëhej aleati kryesor i partisë së trashëguar nga Berisha. Thjeshtë dhe duke demonstruar disa veti “shëruese” e “bamirëse”.
Ndoshta Basha shpreson se po e preku me dorë derën e kryeministrisë Nik Spahiu ajo do të hapet katër kanatësh dhe do të nxjerrë “fishek” Ramën nga zyra, duke ngjitur Bashën në karrigen kryeministrore. Kur ngriti në këmbë Niku një të paralizuar, me mendjen e tij ndoshta Basha mendon se do ta ngrejë dhe atë vetë në krye të qeverisë.
Po e sjellim në memorien e shqiptarëve protestën e 7 prillit të katër viteve më parë të Nik Spahiut, atëherë kundër Berishës. Më 18 qershor do të jetë kundër Ramës. Pas kësaj date të bëjmë krahasimet./ TemA-m.a.