Ekuban “ndez” derbin: Dua gol dhe fitore

19 Shkurt 2017, 18:28Sport TEMA

Luan në Shqipëri prej disa muajsh por futbolli në vendin tonë e ka përfshirë emocionalisht. Ai është një nga sulmuesit më të suksesshëm të këtij sezoni dhe njeriu ku janë drejtuar sytë e tifozëve të Partizanit për ndeshjen derbi dhe jo vetëm.

Khaleb Ekuban ka në këmbët e tij fatin e sezonit të të kuqve sepse është ai lojtari që frymëzon sulmin e skuadrës së Sulejman Starovës. 9 gola, të gjithë të rëndësishëm gjatë këtij sezoni dhe një rival i denjë i Pejic dhe Salihit. 22-vjeçari po përjeton kulin e karrierës së tij në kryeqytetin shqiptar ku iu deshën disa muaj për të kuptuar mekanizmat e futbollit por edhe të mënyrës së jetesës në vendin tonë.

Në intervistën dhënë për Supersport ai reflekton qartë se ka arritur të mendojë si një shqiptar por mbi të gjitha si një tifoz, por mbi të gjitha si një profesionist. 90 minutëshi i fundit në Durrës rezultoi i pafat për sulmuesin italian, por ai thekson se do të bëjë maksimumin që shënjestrën ta kalibrojë në derbi.

“Kjo është ndeshja më e rëndësishme e sezonit duke parë edhe ecurinë tonë për të qëndruar pranë kryesuesve. Për fat të keq në Durrës nuk arrita të shënoja do të bëj maksimumin për të shënuar një gol në këtë derbi”

Ekuban nuk mund t’i evitojë kontaktet me tifozët sepse bukurua e një prag-derbi është edhe kjo, por edhe personalisht e ndien se një ndeshje e tillë rrit presionin edhe tek vetë ai.

“Kur mendoj për ndeshjen e së Hënës unë e përjetoj disi më ankth dhe emocione por në fund të fundit për ne lojtarët çdo gjë është e njëjtë. Luajmë 11 ndaj 11, fusha është e njëjta dhe ndeshja luhet për 90 minuta. Duhet të përpiqesh të pushosh sa më shumë që të jesh në formë optimale”.

4 pike ne 3 ndeshje, tashme testi i radhes eshte Tirana. Cila eshte strategjia e Partizanit? Sulm frontal apo nje loje e kujdesshme per te goditur me pas kundershtarin?

“Ne e kemi përgatitur si të gjitha ndeshjet e tjera. Duhet të dominojmë kundërshtarët dhe të tregojmë më shumë personalitet dhhe të shënojmë një gol më shumë se rivalët”.

22-vjeçari del hapur dhe nuk bën aspak diplomatin kur pyetet se cilat janë pikat më të forta të rivalëve.

“Më shumë se sulmuesve u druhem mesfushorëve të avancuar të Tiranës si Taku e Merveille. Ata janë fantazia e skuadrës dhe u japin një mbështetje të madhe fazës së sulmit”.

Ka shënuar 9 gola gjatë këtij sezoni, por në skuadrën e Tiranës, Aquah dhe Edeh nuk e kanë gjetur ende rrugën e rrjetës, por Ekuban nuk shikon diferenca të mëdha mes tij dhe sulmuesve bardheblu.

“Nuk ka diferenca të mëdha por ky është futbolli. Ka ndeshje kur gjithçka të ecën mirë dhe ndeshje të tjera kur je i pafat. I kam parë disa ndeshje të Tiranës dhe shumë herë kanë gabuar por kanë qenë edhe të pafat”

Partizani i vitit 2017 eshte me i forte ne leter se ai i vitit 2016 por rezultatet nuk po vijne, gjithsesi, Ekuban kërkon durim.

“Pjesën e parë të sezonit u paraqitëm shumë mirë sepse gabuam vetëm në dy apo tre ndeshje, ndërsa këtë vit jemi ende në fillim të rrugës dhe duhet të presim për të vlerësuar nëse 2017-ta është një vit më i mirë apo më i keq”.

Asnjë gol në dy derbi për sulmuesin e Partizanit që këtë herë do të kërkojë me çdo kusht të festojë realizimin e tij personal me tifozët.

“E ëndërroj një gol në derbi sepse do të ishte shumë i rëndësishëm për momentin që po kalojmë por edhe për atmosferën që krijojn kjo ndeshje”.

Ekuban është huazuar nga skuadra e Chievos dhe kur i kërkohet të bëjë një krahasim mes derbit të Veronës dhe atij të Tiranës, ai nuk ka asnjë dyshim se nga anon peshorja e emocioneve.

“Chievo Verona-Hellas është një derbi që e ndiejmë më shumë tifozët e Hellasit dhe nuk është aq i rëndësishëm në këtë aspekt. Unë sinqerisht e kam përjetuar atmosferën këtu në Tiranë dhe mund të them se është një ndeshje shumë herë më e rëndësishme në këtë aspekt”/SS/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje