Nejmar dhe babai i tij rrezikojnë deri në dy vjet burg dhe dhjetë milionë euro gjobë pasi Gjykata e Lartë e Madridit ka hedhur poshtë apelin e brazilianit kundër akuzës së ngritur ndaj tij për mashtrim fiskal dhe korrupsion.
Pas denoncimit të fondit të investimeve që zotëronte 40 për qind të kartonit në kohën kur sulmuesi ishte pjesë e Santosit, u hap një hetim për të sqaruar disa kontrata të fshehta mes Barcelonës dhe klubit brazilian lidhur me shumën e vërtetë që katalanasitt paguan për transferimin e 24-vjecarit.
Barça zyrtarizoi blerjen e Nejmarit në verën e 2013-s për 57.1 milionë euro, nga të cilat 40 kishin përfunduar në duart e familjes së futbollistit dhe 17.1 ishin ndarë mes Santosit dhe fondit të investimeve DIS. Por, pas hetimeve rezultoi se vlera e operacionit kishte kapur shifrën e 83.8 milionë eurove, pasi dy klubet kishin përdorur disa kontrata të fshehta për të cenuar të drejtat e DIS-së, shkruan Panorama Sport.
Mes atyre që mund të dënohen janë edhe mamaja e lojtarit, Nadine Gonçalvez da Silva, presidenti i Santosit, Odilio Rodrigez dhe ish-presidenti i Barcelonës, Sandro Rosell.