Kontrolli i figurës, ja pse bojkoti i PD shpëton gjyqtarët e inkriminuar

3 Mars 2017, 09:17Politika TEMA

Përpos verifikimit të ligjshmërisë së pasurive, kontrolli i figurës do të jetë testi i dytë i rëndësishëm, i cili do të përcaktojnë fatin e rreth 800 gjyqtarëve dhe prokurorëve, nëse janë të përshtatshëm për të shërbyer në sistemin e ri të drejtësisë.

Por nëse verifikimi i ligjshmërisë së pasurive kryhet nga ILDKP, në mënyrë të pavarur nga organet e Vetingut, për kontrollin e figurës, ligji përcakton si autoritet përgjegjës institucionet e Vetingut. Në këtë kuadër, bojkoti i Parlamentit nga Partia Demokratike, i cili pritet të djegë afatin e 6 marsit për nisjen e procedurave për ngritjen e organeve të Vetingut, mund të sabotojë kontrollin e figurës së gjyqtarëve dhe prokurorëve për lidhje të papërshtatshme me krimin, duke e futur procesin në një hulli paligjshmërie dhe afatesh të tejkaluara.

Po cili është raporti mes organeve të Vetingut me procesin e kontrollit të figurës? Me këmbënguljen e demokratëve, pika 1 e nenit 36 e ligjit të Vetingut, parashikon që institucionet e rivlerësimit në bashkëpunim me Drejtorinë e Sigurisë së Informacionit të Klasifikuar janë autoriteti përgjegjës për kontrollin e figurës.

Burime të pakonfirmuara thanë për Shqiptarja.com se, DSIK ka nisur procedurat me skanimin dhe kontrollin e formularëve të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Kjo drejtori, brenda 60 ditëve nga konstituimi i grupit të punës me përfaqësues të SHISH dhe SHKB, duhet të përfundojë verifikimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke përgatitur një raport për gjithsecilin, nëse ka apo jo kontakte të papërshtatshme me krimin.

Plani i sabotimit
Katër janë pasojat e drejtpërdrejta të bllokimi të organeve të Vetingut nga opozita në procesin e kontrollit të figurës. Së pari, nisja procesit të kontrollit të figurës pa u ngritur organet e Vetingut, si institucione përgjegjëse të parashikuara në ligj, mund të përdoret si alibi nga opozita dhe gjyqtarët, për ta kundërshtuar procesin. Së dyti, ligji përfshin edhe institucionet e Vetingut, të cilët për llogari të kontrollit, kanë të drejtë të komunikojë me shtetet e tjera për të marrë informacionin e nevojshëm për personat e përfshirë në krimin e organizuar ose për personat e dyshuar si të përfshirë në krimin e organizuar për qëllim të këtij ligji. Kjo kompetencë nuk mund të ushtrohet për sa kohë institucionet e Vetingut nuk ekzistojnë.

Së treti, kapitulli për kontrollin e figurës përcakton disa afate. Ligji parashikon që, grupi i punës, brenda 60 ditëve nga konstituimi, kryen procesin e verifikimit. Por, DSIK mund t’i kërkojë komisionit të Vetingut zgjatjen e fatit me 30, në kushtet kur komisioni nuk është ngritur nga Parlamenti. Nëse Kuvendi nuk ka ngritur institucionet e Vetingut, DSIK nuk mund të kërkojë zgjatjen e afatit të verifikimit dhe për pasojë procesi mund të dëmtohet. Së katërti, brenda 100 ditëve, Drejtoria e Sigurisë së Informacionit të Klasifikuar, pas përgatitjes nga grupi i punës të dokumentit/raportit, ia paraqet atë komisionit të Vetingut. Por që ky afat të respektohet, duhet që Kuvendi të ngrejë komisionin e Vetingut.

Kushtëzimi
Pavarësisht presionit të Bashkimit Evropian dhe të opinionit publik, Partia Demokratike ka deklaruar se nuk do të votojë ngritjen e organeve të Vetingut, pa largimin e qeverisë “Rama”. Po ashtu, opozita shqiptare ka kërkuar që çështja e Reformës në Drejtësi duhet të trajtohet paralelisht me domosdoshmërinë e garantimit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Sipas opozitës, nuk mund të ketë Veting, me një qeveri, të cilën PD e quan të kapur nga krimi. Përfaqësuesit e opozitës kanë paralajmëruar se Vetingu do të votohet vetëm pas rrëzimit të Republikës së Vjetër dhe ngritjes së Republikës së Re.

 

4 arsyet

1. Institucionet e Vetingut, sipas ligjit, në bashkëpunim me DSIK janë përgjegjës për kontrollin e figurës.

2. Institucionet e Vetingut ka të drejtë të komunikojë me shtetet e tjera për të marrë informacionin e nevojshëm për të kaluarën e prokurorëve dhe gjyqtarëve.

3. Institucionet e Vetingut i japin leje DSIK të zgjasë afatin e verifikimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

4- Pas 100 ditësh, institucionet e Vetingut duhet të administrojnë raportet e DSIK për kontrollin e figurës së gjyqtarëve dhe prokurorëve.

2 komente në “Kontrolli i figurës, ja pse bojkoti i PD shpëton gjyqtarët e inkriminuar”

  1. orli says:

    Ashtu sic jane te punesuar, njerezit neper firma private dhe institucione shtetrore edhe deputetet jane te punesuar ne parlament me voten e popullit dhe per te bere me te miren per popullin.Mosshkuarja ne parlament per te votuar ligjet e nevojshme them se duhet te zgjidhet me ligje dhe ashtu sikurse nje i punesuar ne cdo institucion apo firme pushohet nga puna per mosshkuarjen ne pune edhe parlamentaret duhet te behet ligj qe te perjashtohen nga jeta parlamentare(pra t’ju hiqet mandati i deputetit)

  2. Poku says:

    Akoma merreni me opoziten beini vete te gjitha dhe beni nje refeeendum popullor per perjashtimin e kesaj opozite dhe te ngrihet nje opozite e re pa hajdute e kriminele vetem keshtu behet drejtesi.beini ligjet dhe votoinl ne popull qe nuk mund ta ktheje dote asnje qeveri apo gjukate vetem referendumi popullor bene drejtesi.as ne parlament mos i votoni ligjet qe kane te bejne me drejtesi vetem populli i ve vulen e drejtesise .ku eshte shoqeria civile pse s’kerkon referendum per drejtesine po merret me parqet .kjo eshte shoqeria civile anti popullore turp qe quhet e tille .jane vene ne dispozicion te partive politike per interesa personale dhe jo interesat e shoqerise civile.vetem me referendum popullor mund ti zgjithni te gjitha mosmarrveshjet.te pastrohet njehere shqiperia qe nga presidenti e deri te ushtari me i vogel.tu neneshtrohen hetimeve e verifikimeve deri ne fund .mjafte me me bindjet politike te zgjidhen njeres te afte profesioniste dhe pa parti mos tu neneshtrohen asnje partie.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje