Një 59-vjeçar në Tiranë i fiksuar pas një gruaje të divorcuar, u dënua me 8 muaj heqje lirie sepse e persekutonte e kërkonte me ngulm një lidhje dashurie.
Skënder H. verën e vitit të kaluar propozoi Xh. X., por kjo e fundit e refuzoi.
Në vijim, Skënder H. e ka terrorizuar gruan që kërkonte ta kishte partnere, duke iu futur fshehurazi në shtëpi, duke e ndjekur në rrugë apo te vendi i saj i punës në një qendër shëndetësore në kryeqytet.
Në disa episode të ndryshme, ai i ka gjuajtur me shqelma dhe grushte derën e shtëpisë së saj, shoqëruar me kërcënimet verbale se “do ta vriste”. E ndierë e frikësuar dhe në gjendje ankthi, në gusht të vitit 2016, Xh. X. ka shkuar në polici, ku ka kallëzuar veprimet e 59-vjeçarit.
Pas këtij kallëzimi, Skënder H. u procedua penalisht dhe disa muaj më vonë përfundoi si i pandehur në Gjykatën e Tiranës. Në përfundim të gjykimit ai u shpall fajtor për kryerjen e veprës penale të “përndjekjes” dhe u dënua me 8 muaj heqje lirie. Vendimi ndaj tij u shpall pak ditë më parë nga gjyqtarja Tereza Lani.
Gjatë hetimit të çështjes, i pandehuri e ka pranuar pjesërisht akuzën, duke shprehur pendesë për veprimet e kryera ndaj shtetases Xh. X. Ai ka theksuar se veprimet i ka kryer për shkak të njohjes që kishte me të.