Situatë alarmante, Berat thahen 200 mijë rrënjë ullinj

15 Mars 2017, 09:15Sociale TEMA

Në zonën e Beratit mësohet se janë tharrë të paktën 200 mijë rrënjë ullinj.

Alarmin e japin fermerët e Beratit të cilët thonë se shkak për këtë janë bërë temperaturat nën zero gradë.

Ata thonë se rreth 50 për qind e rrënjëve të ullinjve në të gjithë zonën kanë pësuar dëmtime të mëdha që janë të pa rikuperueshmë.

Më tej banorët thonë se kërkojnë që në  zonën e tyre të shkojnë specialistët përkatës për të bërë vlerësimet e dëmeve.

Agron Cuceli, kryeplak i fshatit, shprehet se si pasojë e temperaturave disa gradë nën zero të muajve janar dhe shkurt, një pjesë e drurëve janë tharë dhe nuk parashikohet që të japin më prodhim.

“Jemi 2700 banorë në këtë fshat që jetojmë me të ardhurat e kultivimit të ullirit, pasi toka që përfituam nga shteti është vetëm kodra me ullinj dhe si e tillë nuk mund të shërbejë për bujqësi. Në këto 25 vite që kultivojmë ullinjtë e famshëm të zonës, kurrë nuk jemi përballur me këtë dukuri, ku një pjesë e drurëve janë tharë dhe ne nuk dimë se si të veprojmë, pasi ndonëse jemi ankuar në Drejtorinë e Bujqësisë, asnjë specialist nuk ka ardhur që ta shohë situatën në vend”, shprehet kryeplaku i fshatit Bilcë.

Mësohet se zona ku dëmet janë më të mëdha janë fshatrat Bilcë dhe Tërpan në Berat.

Në lidhje me këtë fenomen, “Panorama” ka mësuar nga Drejtoria e Bujqësisë dhe Mbrojtjes së Konsumatorit bëjnë me dije se nga informacionet e para të mbledhura rezulton se rreth 200 mijë rrënjë janë tharë krejtësisht.

Informacioni mësohet se është dërguar në Ministrinë e Bujqësisë, ndërkohë që në terren do të dërgohen specialistët e fushës për të verifikuar situatën.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje