Në Shqipëri me të gjithë yjet e saj. Trajneri i Bosnje Hercegovinës Mehmed Bazdarevic ka shpallur listën e futbollistëve të grumbulluar për dy sfidat e rradhës, ndeshjen kualifikuese ndaj Gjibraltarit dhe miqësoren kundër Shqipërisë që do të zhvillohet në 28 Mars.
Në Elbasan Arena ndaj kuqezinjëve të Gianni De Biasit edhe pse bëhet fjalë për një takim miqësor Bosnja do të ketë në dispozicion të gjithë lojtarët e saj më të mirë, duke filluar nga portieri i Chelsea-it Asmir Begovic për të vazhduar me mesfushorin e Juventusit Miralem Pjanic, mesfushorin e Lazios Senad Lulic, sulmuesin e Herthës së Berlinit, Vedad Ibisevic dhe mbi të gjitha kapitenin e skuadrës Edin Dzeko.
Në fakt Lulic dhe Dzeko nuk do të jenë pjesë e Bosnjes në ndeshjen ndaj Gjibraltarit e vlefshme për eliminatoret e Botërorit, Rusi 2018, pasi janë të skualifikuar.
Megjithatë sulmuesi i Romës, autori i 20 golave në këtë sezon të Serisë A por edhe mesfushori i Lazios Lulic, do ti bashkohen kombëtares për ndeshjen e 28 Marsit ndaj Shqipërisë në Elbasan Arena ashtu si edhe Vranjes i Aekut të Athinës dhe Jajalo i Palermos. Në listën e trajnerit Bazdarevic për këto dy sfida janë 5 lojtarë debutues Dario Dumic, Daniel Pavlovic, Amer Gojak, Rijad Bajic dhe Kenan Kodro. Bie në sy mungesa e ish kapitenit Emir Spahic i larguar në Janar nga skuadra e Hamburgut. Bosnja që aktualisht mban vendin e 29-të në renditjen e Fifas pozicionohet e treta në grupin e saj kualifikues pas Belgjikës dhe Greqisë. Miqësorja e 28 Marsit do të jetë ndeshja e 5-të në histori mes Shqipërisë dhe Bosnje Hercegovinës, deri tani bilanci është i barabartë me të dyja kombëtaret që numërojnë nga 1 fitore 2 barazime dhe 1 humbje.