Mediat italiane kanë botuar historinë e trishtë të një nëne të re shqiptare pa shpresa për jetën. 25-vjeçarja shqiptare, identiteti i të cilës nuk bëhet i ditur, ndodhet në gjendje kome, në muajin e gjashtë të shtatzënisë.
Ajo nuk ka më asnjë shpresë për t’iu rikthyer jetës normale, por mbahet në jetë me aparatura për fëmijën që mban në bark.
Amaneti i saj që ta ndihmojnë të sjellë në jetë fëmijën po mban pezull personelin e spitalit rajonal të Torrentes, Ancona.
Vajza është operuar të shtunën për një hematomë në kokë, një operacion tepër delikat, ku edhe gabimi më i vogël do t’i shkaktonte vdekjen.
Kjo ndërhyrje do ta ndihmojë atë të jetojë edhe për pak kohë, me shpresën se fëmija në bark do të rritet aq sa për të qenë i aftë për të mbijetuar jashtë barkut të saj.
Nëse ajo nuk do të ishte shtatzënë, mjekët do t’i kishin kërkuar familjes autorizimin për dhurimin e organeve.
Mjekët po bëjnë gjithçka për ta mbajtur në jetë derisa fëmija të lindë.
Një staf reanimatorësh, gjinekologësh dhe neurologësh monitorojnë çdo moment gjendjen e saj, në mënyrë që në rast se zemra i pushon, të mund të ndërhyjnë me shpresën për të shpëtuar fëmijën.
Raste të tilla në botë ka pasur pak dhe kjo e bën akoma më të vështirë betejën e mjekëve për të bërë të mundur ardhjen e sigurt në jetë të fëmijës. (TemA TV)