A është vërtetë e vështirë t’i japësh zgjidhje krizës së krijuar nga politika në Shqipëri? A është e mjaftueshme që thjesht të zbatohet ligji dhe kushtetuta në letër, apo të bëhet një interpretim i zgjeruar i saj?
Si një person që politikën e ndjek prej vitesh, mendoj se kjo e kësaj here nuk është krizë e mirëfilltë politike, por një biçim mullari me teori dhe pretendime (jo detyrimisht ne këtë radhë) i atyre që politikën duan ta bëjnë kafeneve duke bërë pazare, apo ekraneve duke bërë debate që popullin, votuesin, atë që në fund të fundit të mban ose të heq nga pushteti, thjesht e dalldisin me nje harbim fjalësh të mëdha që arnojnë fjali pa lidhje. E për këtë të dytën mjaftojnë një aradhë analistësh (burra, çuditerisht vetëm burra, që kuvendojnë në hije ose jo), të cilët i qeras çdo parti të vetët e që nuk kanë nevojë të hapin gojë se dihet se ç’iso do t’i mbajnë cilës këngë. Se në fund të fundit po nuk pati krizë politike vendi, analistët nuk kanë ku të hanë bukë sepse (larg qoftë) talk show-t do të përqendrohen në ndonjë artist, shkrimtar, apo shkencëtar dhe atëherë lumi që na mori.
Pra, me pak fjalë, kjo e këtyre ditëve nuk është një krizë e mirëfilltë, me probleme konkrete që kërkojnë zgjidhje logjike, por më shumë ngjason me situatën e krijuar kur fëmija 2-vjeçar shtrydh tubetin e pastës së dhëmbëve dhe pastaj qan pse ti nuk e fut prapë pastën brenda në tubet. E që një krizë të zgjidhet në mënyrë të arsyeshme, ajo duhet të jetë krizë reale, me probleme reale, me kërkesa reale, dhe me pamundësi reale që këto të zgjidhen në situatën e dhënë. E si e tillë, kjo (pseudo)krizë do të ketë shumë vështirësi që të zgjidhet. (Unë vetë asnjëherë nuk kam arritur ta rifus pastën e dhëmbëve në tubet, megjithë të qarat e tim biri).
Por situata e krijuar ka nisur të rëndohet kryesisht sepse pjesa më e madhe e atyre që kanë luksin të bëjnë politikë kafeneve dhe duke cytur analistët, nuk duan që të ketë shtet. Dhe e vetmja rrugë që në këtë vendin tonë plot me halle të ketë shtet, është reforma në drejtësi. Por ky është një debat më vete ku lipsen shtatë netë dimri pranë zjarrit, shoqëruar me bukë të thekur e djathë, që të përfundohet.
E sa më shumë afrohet dita e zgjedhjeve, sa më shumë i afrohemi limitit kushtetuees të fillimit të procedurave për zgjedhjen e Presidentit, aq më i madh bëhet mullari i teorive dhe pretendimeve.
Kushtetuta është shumë e qartë në parashikimin e procedurave për zgjedhjen e Presidentit. Neni 88/2 i saj e thotë prerë se Presidenti aktual nuk do të jetë më i tillë që prej 24 korrikut të këtij viti, plotësisht 5 vjet pasi është betuar. Mandati i tij mund të zgjatet vetëm nëse ekziston “koha e luftës”, ku për fat nuk përfshihet lufta me mullinjtë e erës e as ajo me përbindësha imagjinarë të Monsters Inc (për më shumë info rreth tyre pyesni fëmijët 2-6 vjeç).
Procedura për zgjedhjen e Presidentit të ri, duhet të fillojë jo me vonë se 60 ditë para mbarimit të mandatit të Presidentit aktual, pra kjo procedurë duhet të fillojë jo më vonë se 25 maji i këtij viti. Por, duke qenë se në 19 maj fillon fushata zgjedhore, zgjedhja e Presidentit duhet të ketë përfunduar para kësaj date. Pra, maksimumi në 18 maj Shqipëria duhet të ketë Presidentin e ri, procedura për zgjedhjen e të cilit, duke marrë parasysh nenin 87 të Kushtetutës, zgjat deri në 35 ditë. Ndaj, maksimalisht në 14 prill Kuvendi duhet të fillojë procedurën për zgjedhjen e Presidentit të ri.
Por, a mund t’i bëhet një interpretim më i zgjeruar Kushtetutës me qëllim zgjidhjen e (pseudo) krizës?
Jo! Dhe kjo është përgjigja që shpresoj t’i japin kësaj pyetjeje njerëzit me mend të këtij vendi. Kushtetuta është e qartë, ndaj të mos e përçudnojmë ligjin themeltar të vendit në emër të një konsensusi bazuar në kërkesa absurde rruga për realizimin e të cilave kalon nga shkelja e ligjit.
Dhe si përfundim, po, do të më pëlqente që Shqipëria kësaj here të kishte një Presidente grua. Por do të doja një grua që ka zgjedhur të jetë
grua e të luftojë për një shoqëri të drejtë, të luftojë për gratë e t’i mbështesë ato, jo dikë që ka ecur në politikë duke harruar se ua ka një borxh grave të guximshme që luftuan në shekuj që të gjitha ne të kishim mundësi të votonim e të votoheshim. Do të doja një President(e) feminist(e)!
*Juriste