Buzë një rruge me kalldrëm, te dera e një shtëpie të vjetër, i njëjti burrë i moshuar po pinte kafen turke, që i kishte bërë nusja e djalit të vogël, si çdo ditë.
Ora nuk kishte kaluar 09:00 dhe rrezet e diellit nuk kishin filluar akoma të bëheshin te forta. Aty po kalonin nja 20-30 djem të rinj, të veshur me uniforma të njëjta dhe që plaku nuk po i kuptonte dot nga gjuha se nga ishin. Disa ishin me ngjyrë, ca të tjerë flisnin sllavisht. Andej nga fundi dëgjoi ca shqiptarë, po kishin një theks të rënduar prej labi.
“Nuk qenkan nga anët tona këta. Mos janë turistë që kanë ardhur për të parë Gjirokastrën”, tha me vete.
Aty po kalonte një djal i vogël dhe plaku e ndaloi: – “Çfarë janë këto mo bir”, i tha.
“Ehu o gjysho, as ata nuk njeh ti?! Janë ekipi i futbollit. Luftëtari. Sivjet jemi mirë shumë. Do shkojmë në Europë”, i tha djaloshi gjithë gëzim.
Si për t’ia kthyer me batutë, plaku iu përgjigj: – “Thashë mos kishin ardhur të na pushtonin. Se më ka marrë malli për kohën kur isha partizan dhe u vinim hakut pushtuesve”.
Djali, si i vogël në moshë, nuk e kuptoi mirë, por ia ktheu: – “Po, po. Me Partizanin luajmë të shtunën. Do fitojmë me ata, se i kemi rrahur këtu në Gjirokastër”.
Plaku u bë kurioz, duke qenë se dikur kishte qenë edhe tifoz i Partizanit në futboll.
“Po pse mo bir. Ata kemi kundërshtar ne?! Te Partizani na ka ngelur t’i tregojmë forcën. Mbaj mend në kohën time, kanë qenë ekip i mirë shumë. Me karakter”.
Djaloshit i pëlqeu biseda për futboll dhe u ul në një gur, aty afër plakut.
“Të mira janë gjysho. Sivjet duan të dalin kampion. Por neve, vetëm me ata na ka ecur. Me Skënderbeun dhe Kukësin s’kemi pasur edhe aq fat. Pastaj, më duket se na e futën ca nga këta tanët”.
I moshuari u bë kurioz: – “Pse, ça ka ndodhur?”. “Po ja mo gjysh. Më duket se e shitën një ndeshje me Kukësin. Edhe atë me Skënderbeun. Vajtën ua lanë fitoren. Nuk e mora vesh mirë a e kishin mbyllur pazarin me presidentin, apo kishin paguar ca nga lojtarët në fushë. Po ta them unë, që kishin bërë pazar. Plus që më tha edhe Klevi, ai shoku im, që ka vëllain e madh aty në klub. Po hajt, s’ka gjë që ua shitën, se ne vendin e katërt duam”.
Gjyshi u mërzit: – “Po si mo ia paskan shitur ndeshjen. Po me Partizanin pse luajnë fort këta gjyvecat tanë?”.
Djaloshi u çua se prisnin shokët.
Por, ia dha edhe një përgjigje të fundit gjyshit: – “Partizani nuk paguan lekë për të blerë ndeshjet o gjysho. Janë ekip që luajnë drejt. Ehe, nuk fitohet ashtu sot. U duhen lekë për fushatë këtyre tanëve. Ne luajmë fort po nuk na paguan. Si mendon ti se ka dalë kampion Skënderbeu këto vite?! Lekë gjysho lekë. Dëgjova edhe që Kukësi ka dhënë lekë që ne të marrim pikë me Partizanin”, edhe iku me vrap.
“Punë muti. Kemi qenë burra me sedër dhe të fjalës…”, mbylli gjyshi dhe u çua t’i çonte filxhanin e kafesë nuses që ta lante…
Nga Ilir Bylmezi
Ha, ha, ha, hallall gjyshi! Nuk ka më burra, por qenie meshkuj…..
E gjithe e sajume NGA fillimi deri ne fund.Kot fare.
E gjithe e sajume NGA fillimi deri ne fund.Kot fare.
Vetem foto esht reale.