Tirana kërkon t’i japë një tjetër shtysë këtij sezoni përpara syve të Erjon Bogdanit. Trajneri i Kombëtares Shqiptare të 19-vjecarëve ndoqi nga afër seancën e radhës stërvitore të bardhebluve në ambientet e kompleksit “Skënder Halili”.
Te Tirana gjatë këtij sezoni janë aktivizuar shumë lojtarë të rinj ku mbi të gjithë kanë spikatur Albi Doka, Grent Halili apo edhe David Domgjoni, dhe Bogdani ishte i pranishëm në stërvitjen e 24-herë kampionëve për të vëzhguar nga afër pikërisht këta lojtarë por edhe ndonjë të ri tjetër premtues që mund të bëhet pjesë e kombëtares së 19-vjecarëve.
U stërvit rregullisht me grupin këtë të Premte Asion Daja, i cili u largua i dëmtuar nga sfida e parë e gjysmëfinale e Kupës së Shqipërisë ndaj Besëlidhjes.
Mesfushori 27-vjecar ka lënë pas problemet dhe do të zbresë rregullisht në fushë ndaj Teutës të Hënën. Tirana po kalon një moment shumë të vështirë dhe 3 ndeshjet e ardhshme mund të vendosin fatet e sezonit për bardheblutë. Në seancën e fundit stërvitore trajneri Josa kërkoi përqëndrim maksimal nga futbollistët e tij duke u kërkuar atyre të marrin përgjegjësitë që u takojnë dhe të japin maksimumin në fushë për të lënë pas këtë moment vërtet delikat.
Ndaj Teutës, Lacit dhe Besëlidhjes, Tirana luan një sezon të tërë, pasi në këto 3 ndeshje të cilat do të zhvillojë në “Selman Stërmasi”, skuadra e Josës nëse merr rezultate pozitive mund të sigurojë mbijetesën dhe mund të kualifikohet në finalen e Kupës së Shqipërisë, pasi vetëm triumfi në këtë kompeticion do të shpëtonte sezonin e bardhebluve.