Ankohen tek Luftëtari, Jovanoviç: Jo serioze ndryshimi i datës

7 Prill 2017, 14:45Sport TEMA

Një ndeshje që mund të thotë shumë për sezonin e Luftëtarit do të jetë ajo ndaj Partizanit të Shtunën në orën 19:00 në “Selman Stermasi”. Në kampin gjirokastrit nuk e kanë pritur aspak mirë vendimin për ndryshimin e datës së takimit pasi fillimisht ishte programuar që kjo sfidë të luhej të Dielën.

Në konferencën për shtyp përpara mediave, zv/trajneri i Luftëtarit, Marko Jovanoviç është i drejtëpërdrejtë në qëndrimin e tij, duke shprehur hapur pakënaqësinë për këtë vendim.

“Dua të theksoj që atmosfera në skuadër është e mirë por jemi përballë një problemi shumë të madh sepse data e ndeshjes ndryshoi vetëm pas stërvitjes tonë të fundit dhe kjo nuk është serioze. Ne hartojmë një program dhe duhet të dimë ku dhe kur luajmë. Lojtarët kanë bërë një seancë me ngarkesë të madhe fizike dhe nuk kanë pasur kohë për t’u rikuperuar në prag të kësaj sfide, kështu që ky vendim na ka krijuar jo pak probleme dhe të gjithë lojtarët nuk janë në gjendje optimale për këtë takim. Nuk më pëlqen që FSHF përdor dy standarte sepse kur ne nuk kishim stadium, detyroheshim të luanim në Peqin apo Elbasan, ndërsa tani detyrohemi të plotësojme tekat e Partizanit për të luajtur në “Selman Stermasi”, në një kohë që nuk është e mundur një gjë e tillë”.

Numri 2 i stolit gjirokastrit shton se pavarësisht vështirësive, skuadra është gati dhe do të bëjë maksimumin për të dalë me 3 pikë nga kjo transfertë.

“Skuadra është e plotë vetëm Ramadani nuk mund të luajë në këtë ndeshje. E ritheksoj se jemi përgatitur për të luajtur të dielën dhe mund të kemi probleme por do të shkojmë në “Selman Stermasi” për të shënuar një gol më shumë se Partizani”.

Në fund, ai ndalet te ai hap i gabuar në Kukës, duke theksuar se skuadra ka punuar që të mos i përsërisë më gabimet e shfaqura në “Zeqir Ymeri”.

“Luajtëm një ndeshje të mirë por ishim të pafat. Me siguri që kemi mësuar nga gabimet që bëmë në Kukës. Nuk dua të gjej alibi por goli i dytë i tyre ishte në pozicion të dukshëm jashtë loje. Është e sigurt që gjatë gjithë javës jemi munduar të korrigjohemi”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje