Fejzullahi: Skënderbeun e larguam nga gara, radhën e ka Luftëtari

6 Prill 2017, 19:09Sport TEMA

Një mbrojtës që preferon të luajë edhe në sulm. Jo vetëm në fushë, por edhe jashtë. Pas suksesit të fundjavës së kaluar ndaj Skënderbeut, Arbnor Fejzullahi nuk humbet rastin të “shigjetojë” rivalët. Sipas 23-vjeçarit nga Presheva, humbja ndaj të kuqve do të shoqërohet me disfatën e radhës nga kampionët, që do të dalin nga gara për titullin.

“Skënderbeu tani ka ndeshjen në Vlorë. Personalisht mendoj që do të ndalen edhe atje dhe me fitoren përballë tyre e kemi larguar nga gara për titullin. Ky titull do të jetë për tifozët; futbolli luhet për ata. Tifozët tanë kanë pritur gjatë dhe në rast se triumfojmë suksesi do të shkojë për ata.”

Sfida e radhës për Partizanin është ajo me Luftëtarin. Një kundërshtar të cilin Fejzullahi e vlerëson maksimalisht, jo vetëm për lojën, por edhe sepse i ka shkaktuar humbjen e vetme skuadrës së Starovës në gjashtë muajt e fundit në kampionat.

“Duke parë ndeshjet direkte, kur i kemi mposhtur me vështirësi në fund dhe kur na mposhtën në gjirokastër gjatë fazës së kaluar, mund të themi që ndaj Luftëtarit është një ndeshje e vështirë, por pas fitores me Skënderbeun duhet të jemi me këmbë në tokë, ta fitojmë edhe këtë takim dhe të vazhdojmë në rrugën drejt titullit.”

Pas paraqitjeve në këtë sezon, Arbnor Fejzullahi mbetet në radarin e mjaft klubeve europiane. Ndërsa menaxherët e vëzhgojnë sistematikisht, ndërsa transferimi në Itali është kthyer në një diskutim të zakonshëm, mbrojtësi i djathtë mbetet i përqendruar te sezoni i Partizanit.

“Është e rëndësishme për mua dhe për ekipin që arritëm të fitonim. Kjo është më e rëndësishmja. Gjithçka tjetër që lidhet me të ardhmen do të shihet në vazhdim.”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje