“Gesi sheh komplote nga piceria”

6 Prill 2017, 18:29Sport TEMA

Gesi po pinte kafe përballë picerisë së Bledit, sa për t’i bërë karshillëk. Këmbë për mbi këmbë, e ngrinte gazetën që po lexonte sa më lart, si për t’i treguar ish-shokut që shkruajnë akoma për mua, sepse është aktiv. Ai e kishte mbyllur shpejt karrierën dhe tani po merrej me biznes. Një lloj kunje e trashëguar nga koha që përqafoheshin bashkë sa herë që shënonin ndonjë gol. Ashtu siç e thithte kafen, duke bërë një zhurmë bezdisëse për të tjerët në lokal, i vjen Tefo.

“Po ç’ishte kjo bre. Edhe këtë kishim mangët ne. S’na lanë rehat, ia lërofsha nënën. Sikur i kemi bërë ato lekë pa djersë dhe duan të na i nxjerrin nga qejfi”.

Gesi, i pashqetësuar dhe pa i ndarë sytë nga piceria e ish-mikut të tij që kishte përballë, nuk i kushtoi rëndësi.

“Hë mo, ça ke. Se nuk gjete një herë rehat. Derr derr. Ulu e pije një kafe, se ta paguaj unë, si kapiten i ekipit (ngriti zërin te kjo pjesë, që ta dëgjonin të gjithë)”.

Por, Tefo, duke gëlltitur rrokjet e fjalëve, i tha: – “Po ça kafe de. Si je kaq i qetë. Ty të kanë thirrur në prokurori dhe e ruan qetësinë kshu. I madh je për kokën tënde”.

Gesi aty e mori vesh. “Prokurori? Mua? Pse mua? Po Bledin?”, duke treguar edhe një herë tjetër, që nuk i ndahet “rivalitetit” të vjetër.

“Jo mo, ça Bledi. Ty de dhe Markon me Bajron. Vetëm ju. Ashtu siç shkruhej edhe në raporte mo. Sikur se mban mend ky”.

Gesi nisi të turfullonte: – “Po ky është skandal mo. Si ka mundësi mua dhe jo atë. Unë nuk isha kapiten. Po ça bëhet kështu”.

Dhe nisi të rrotullohej rreth tavolinës, duke menduar skenare.

“Mos ma ka bërë ai? Po e pati bërë ai, do i ketë thënë ai tjetri. Po i pati thënë ai tjetri, atëherë është serioze. Po sikur të jetë vërtetë serioze?! Po sikur duan të ma fusin mua?! Po sikur unë të bëhem dyshimtar dhe të marr statusin e të penduarit?! Po, po të penduarit. Edhe ti them që është i përfshirë edhe ai. Ai do e hajë, unë do falem”, mendonte me vete, duke u vetëkënaqur që kishte gjetur një zgjidhje.

Por, aty për aty iu prish prapë plani.

“Po sikur të mos jetë serioze? Të jetë sa për shou, siç e kanë bërë herët e tjera. Po Mondi ça mendon? Do flas me atë. Do e pyes ça të them. Ai është në dijeni për të gjitha. E di edhe që unë nuk i kam bërë vetëm. Pastaj, unë s’kam bërë ndonjë pasuri të madhe. E di ai. Do i them shef Mondit të më japë zgjidhje”, dhe u ul për të turfullitur kafen që i kishte mbetur.

Kur, u ngrit papritur i acaruar me veten: – “Po, ça shef Mondi. Ai është i mërzitur se humbi te ajo gara. La gjithë ato parà për votat. Pastaj, ai Bledin e ka afruar vetë. Bo, bo çmo gjeti. Ku të përplasem. Edhe u thashë të mos i bënin. Ja si shkoi kjo punë tani. Duan të ma fusin mua”.

Tefo, pasi e pa që Gesi filloi të fliste me vete, iku pa u ndjerë. Shkoi të pororisë një picë, te piceria përballë.

Kur Gesi e pa që kishte shkuar atje, u ul sërish në karrige i dëshpëruar: – “Prandaj vajti ky. Është me ata. Duan të më bëjnë kokë turku. Po vazhdoj të lexoj gazetën që të mos bie në sy. Të dukem sikur nuk e vras mendjen”. Dhe ashtu bëri, por ku kaloi faqen lexoi deklaratën e një Partizonsi.

“Drejtësia do triumfojë. Pastëria jonë në sport, do jetë shembull për të gjithë brezat. Kush ka shitur veten, nderin dhe të ardhmen e këtij sporti do përgjigjet atje ku duhet”… Gesi ktheu edhe një herë kafenë. Aty e kuptoi që nuk e kishte trazuar ende sheqerin…

Nga Ilir Bylmezi

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje