Në futboll nuk mjafton kurrë vetëm dëshira dhe Juventusi tregoi përsëri diferencat e tmerrshme që ka me të gjitha skuadrat e tjera italiane, duke siguruar pa shumë vuajtje finalen e 17 të Kupës së Italisë, sidoqoftë për hir të statistikave Napoli fitoi ndeshjen me rezultatin 3-2. Pas barazimit 1-1 të tre ditëve më parë në kampionat mbajtësit në fuqi të këtij trofeu bënë mjaftueshëm për të administruar fitoren 3-1, të regjistruar pesë javë më parë në Torino. Në gjysmëfinalen e kthimit Massimiliano Allegri madje pati luksin për ta nisur takimin me lojtarë të tillë si Rincon, Sturaro, Benatia dhe Dani Alves, ndërsa në kuadrat, mes shtyllave trajneri toska rreshtoi nga minuta e parë portierin brazilian Neto.
Historia e kësaj sfide pak a shumë u mbyll që në 32′, kur i vetëm mes gjashtë futbollistëve kundërshtarë ish-bomberi i “të kaltërve” Gonzalo Higuain shënoi me një gjuajtje të lehtë dhe pa shumë pretendime, duke vulosur pas pothuajse gjysmë ore cështjen e kualifikimit. Kapiteni Marek Hamsik barazoi përkohësisht në 53′ me një gjuajtje të fortë në hyrje të zonës, megjithatë “el pipita” e ndëshkoi sërish ish-ekipin e tij, duke realizuar pas asistit të marrë nga krahu i djathtë nga Cuadrado. Skuadra e Sarrit gjithsesi tregoi karakter dhe përmbysi disavantazhin në harkun e vetëm 6 minutave.
Fillimisht në 61′ Dries Mertens përfitoi nga një gabim i rëndë i portierit Neto, ndërsa në 67′ Lorenzo Insigne fiksoi shifrat 3-2, pas një topi shumë të mirë të marrë nga e djathta nga Callejon. Pas këtij rezultati sigurisht klubit nga Campania i nevojiteshin edhe dy gola të tjerë, për t’u kthyer në finale pas tre vjetësh, një mision i pamundur duke patur parasysh karakteristikat e mbrojtjes së Juventusit dhe me rezultatin e përgjithshëm 5-4 “bardhezinjtë” prenotuan biletën për në ndeshjen e madhe të 2 qershorit ndaj Lacios, që do të luhet si zakonisht në Stadiumin Olimpik të Romës, ku “zonja e vjetër” do të kërkojë trofeun e 12 në historinë e Kupës së Italisë./SS/