Vakia në Federatë

5 Prill 2017, 19:08Sport TEMA

Në zyrat e Federatës Shqiptare të Futbollit, muret flisnin më shumë se sa punonjësit që kishin mbetur ende nëpër zyra. Të gjithë të mavijosur në fytyrë nga dëshpërimi, shikonin njëri-tjetrin me një keqardhje kur numërimi i votave nuk po ecte si duhej.

Askujt nuk i besohej, që Ai, presidenti i shumësuksesshëm të mos fitonte. Kush nuk ia kishte dhënë votën?! Kush e kishte gënjyer njeriun që e mban gjithnjë fjalën?! Andej nga fundi, disa prej tyre i hodhën vështrimet nga dritarja. Po shikonin Ambasadën e SHBA-ve me shpresën se ambasadori Donald Lu mund të bënte ndonjë lëvizje. Deri aty kishin arritur dëshpërimisht, se mos vallë shteti më demokratik i botës, do dilte me një notë proteste për votimet në UEFA.

Ato ishin manipuluar. Nuk ishte e mundur që presidenti i FSHF-së, i cili fiton me 100% të votave, të mos kishte fituar një vend në Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s. Punët e tij të mira i njeh e gjithë bota. Ai arriti deri aty, sa mori një trajner të dështuar si De Biazi dhe e bëri të suksesshëm, duke e ndihmuar që të çojë Shqipërinë në Europian. Po të mos ishte ai, as De Biazi dhe as Shqipëria nuk do arrinte deri aty. Bëri që kur një ekipi kampion i Shqipërisë u dënua për manipulim të rezultateve dhe nuk u lejua të marrë pjesë në kompeticionet Europian si i papërshtatshëm, të mos i hiqet titulli kampion.

Bëri që të ndërtojë nja 6000 metra katrorë zyra për vete te kulla e stadiumit Kombëtar, por të ndërtojë edhe nja 3000 metra katrorë të tjera zyra afër kompleksit Dinamo. Sa presidentë mund të ndërtojnë aq shumë zyra për një staf me 30 punëtorë. Vetëm AI mund ta realizojë. Ka bërë që çdo klub “rebel” të dënohet dhe të ndëshkohet nga arbitrat apo Komisionet e Disiplinës dhe puthadorët të nderohen me qilim të kuq dhe respekte “bilbiash”. (Përjashtim bën Partizani, që ka një tabelë “Mos e Krruaj”).

Eh, sa shumë ka bërë AI që me sa duket, nuk ia paskan ditur mirë vlerat. Iu thafshin duart atyre që nuk e votuan Presidentin e suksesshëm, që UEFA-s do i duhej më shumë se kurrë. Ka disa muaj që për të mirën e futbollit Europian, ai udhëton nga shteti në shtet për të treguar projektet e tij. Nuk u kërkon votën, por mundohet t’i bindë me punët e mira që ka bërë. Për këtë arsye mban pas veten gjithnjë një zyrtar të Federatës dhe një gazetar që ia përmend gjithnjë mediatikisht sukseset e mëdha që ka arritur FSHF-ja gjithë këto vite. Po tani? Tani që nuk fitoi, si do dalin shpenzimet?! Në zyrat e Federatës askush nuk u flet. Janë të tërbuar nga padrejtësia e madhe që kanë bërë. Më i miri i të gjithë kandidatëve nuk fitoi.

Nuk kanë lot për të derdhur, por mësuan si funksionon. Edhe te Skënderbeu me Kukësin po qajnë. Miku i mirë i Futbollit nuk fitoi… Por, në muajt e ardhshëm i pret një tjetër mision. Të punojnë bashkarisht për zgjedhjet politike. Familja e presidentit ka sërish angazhime. Në zyrat e Federatës kjo i mban të motivuar. Këtë herë do tregojnë se për të mirën e Popullit Shqiptar, nuk do ua “vjedhin” më votën.

Mos mendoni se FSHF-ja është kthyer në pronën e një individi të vetëm, që e përdor për interesat e veta. Vetëm dashakeqët do mendonin ashtu. Madje, kanë arritur deri aty sa mendojnë se ky është fillimi i fundit të kupolës së Federatës… Dashakeqët…

Nga Ilir Bylmezi

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje