6 ndeshje si titullar, 19 në total gjatë këtij sezoni me fanellën e Partizanit. Jurgen Bardhi është e ardhmja por edhe e tashmja e skuadrës së kuqe.
I rritur në këtë klub, 19-vjeçari duket se ka arritur të fitojë besimin e trajnerit Sulejman Starova me paraqitjet e tij. Në ndeshjen e fundit ndaj Luftëtarit ai zbriti në fushë që nga minuta e parë dhe bashkë me Filin i dha më shumë fantazi fazës sulmuese.
Edhe pse ende jo një pikë referimi në këtë skuadër, ai thekson se mbetet në dispozicion të skuadrës për të arritur objektivin final.
Vendi i parë me 2 pikë më shumë se Kukësi ndjekës. Në javën e 28 Partizani bëri hapin e madh dhe Bardhi e pranon se kjo ishte një surprizë e ëmbël për të gjithë.
Tashmë të kuqtë vizitojnë Shkodrën për të ruajtur hapin kryesuese dhe 19-vjeçari shpreson t’i japë sërish një dorë skuadrës së tij për të vijuar ecurinë pozitive të javëve të fundit.
Por edhe pse është Kukësi skuadra ndjekëse në betejën e titullit, Bardhi thekson se Skënderbeu mbetet një ekip cilësor dhe ndoshta rivali më i fortë./SS/