Shpërthimi në Dortmund, gjermanët u ofrojnë strehë tifozëve të Monakos

12 Prill 2017, 00:15Sport TEMA

Futbolli u trondit të martën mbrëma nga tre shpërthime pranë autobusit që po transportonte ekipin e Borusia Dortmundit nga hoteli në stadium për ndeshjen ndaj Monakos në Ligën e Kampioneve.

Menjëherë pas ngjarjes ku mbeti i dëmtuar lehtë në dorë mbrojtësi Mark Bartra, bota e futbollit u bë bashkë në mesazhet e solidaritetit ndaj ekipit verdhezi, me dhjetëra mesazhe që vërshuan në rrjetet sociale.

Në fakt, solidarizimi filloi menjëherë pasi drejtori i Borusias, Hans-Joakim Vacke, bëri të ditur atë çfarë kishte ndodhur, me mbështetësit e ekipit mik që filluan koret “Dortmund, Dortmund”.

Për t’ua shpërblyer, gjermanët nisëm një fushatë në rrjetet sociale për t’u ofruar një vend falas për të kaluar natën tifozëve francezë që mbetën në Dortmund pas shtyrjes së ndeshjes për të mërkurën.

Nën moton “Një shtrat për tifozët miq”, mijëra mesazhe vërshuan në ndihmë të mbështetësve të Monakos. Fushata u mbështet edhe nga faqja zyrtare e Borusias në “Twitter”, e mandej edhe nga ajo e Monakos. “Të dashur tifozë të Monakos. Nëse keni nevojë për strehim në Dortmund, ju lutem lidhuni me hashtagun #bedforawayfans”, ishte postimi i klubit verdhezi.

Edhe një herë futbolli dëshmon se di të lërë mënjanë rivalitetin për çështje më të rëndësishme se loja në fushë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje