"Kopili" i Çadrës dhe zotërinjtë e Brukselit...

24 Prill 2017, 09:38Politika TEMA

Nga Ilir Mborja

Çelësit që hap çdo bravë ne i themi “kopil”, ndërsa në Europë i thonë “zotëri”. Pra, atë që idiosemia shqipe e quan “kopil”, në frëngjisht i thonë “monsieur” (zotëri). Fjalori ynë shpjegon se KOPILI, veç fëmijës të lindur ilegal e pa atësi, si edhe stilemës për çelësin që në mënyrë jokorrekte hap çdo derë, ka edhe kuptimin: “Njeri i zgjuar e dinak, njeri finok, shejtan. Kopil i madh.” Ndërsa për foljen KOPILOJ jepet ky shpjegim: “Dredhoj, bëj hile; shpëtoj me dinakëri, Kopiloi bukur.” Pra, ndryshe nga Europa ku duam të integrohemi dhe ku çdo derë hapet vetëm për një zotëri, sociolinguistika shpjegon se në Shqipëri, prej dekadash, vetëm kopilit mund t’i hapej ajo. Zotëria tek ne rri pas dere dhe kopilimi ishte dhe është stil i ligjërimit i të gjithë politikanëve tanë që nga Ahmet Zogu e deri te këta të sotmit… Kopilim ishte edhe strategjia e gjithë historisë së zvarritur të Reformës në Drejtësi. Vitin që shkoi, kopilimi filloi me pisqollat e PD-së në Parkun e Lodrave tek Liqeni e pritet që të ndërpritet me zbatimin e ligjit të Vetting-ut. Por për të mbërritur deri aty, më parë, duhet që “kopili” të mbyllë Çadrën që ka hapur dhe të shkojë në parlament të dërgojë tre emrat që me kopili i kërkoi për komisionerë…

Historia e kopilimit të politikanëve tanë është e gjatë. Po le të ndalemi shkurtimisht tek sjelljet prej kopili që i patëm peshqesh nga Ramiz Alia dhe rrugëtimin stilistik të tyre deri tek Çadra e Frikës nga Vetting-u. Meqenëse e kam shprehur dhe më parë bindjen se kopilia ishte rruga që çoi drejt asfiksimit PD-në që në korrik të 2013-s, po e shtjelloj pak më shkoqur këtë histori: Kur Lulzim Basha dhe i ndjeri Sokol Olldashi filluan garën për kreun e ri të PD-së, i mëshuan premtimit për vazhdimësi në rrugën e Sali Berishës. Madje, ai premtim, për të ecur në gjurmët e idhullit të gjallë të demokratikasve, u përdor si arma kryesore mes  dy rivalëve. Lulzim Basha e Sokol Olldashi kopiluan pikërisht ashtu siç kopiloi edhe Ramiz Alia në 1986-n në kongresin IX të PPSH-së. Megjithëse pa rival për postin vakant që i kish lënë Enver Hoxha, përsëri nuk harroi ta theksonte vazhdimësinë e rrugës së pararendësit të tij te vdekur. Për të qetësuar fanatikët e shumtë të partisë, Ramiz Alia nuk u lodh për asnjë çast  së mëshuari avazit të vazhdimësisë dhe nga fillimi deri në fund, e quajti atë “Kongresi i vazhdimësisë”. Betimi i tij dukej se ishte një kopili për ta pasur mirë me fanatikët e shumtë të Enverit, me të cilët në fund të viteve ’90, PPSH-ja ishte e mbushur plot e përplot. Një nga ata që bënte pjesë në kategorinë e atyre që e vigjëlonin Ramizin se mos dredhonte nga stalinizmi i Enverit, ishte edhe Sali Berisha… Kori i atyre që këndonin rapsodinë e “yllit që ndriçonte botën” ishte shkaku që edhe Ramiz Alia do t’i mëshonte deri në fund kopilisë së vazhdimësisë derisa në dhjetor të ‘91-shit, për të hapur derën e pluralizmit, përdori si “çelës kopil” doktorin pardesybardhë…

Sjelljet prej kopili të lidershipit të PPSH-së vazhduan deri në grahmat e fundit të asaj partie. Pikërisht, te kjo psikozë dinake e ka shpjegimin parulla “PARTIA – SHQIPËRIA” e atyre që organizuan mitingun butaforik të pas 2 korrikut të ’90-s. Nga shkallët e Pallatit të Kulturës në Tiranë, lolot e PPSH-së, recitonin broçkulla e trashnin zërin, mu ashtu siç bën sot Luli tek Çadra… Kurse “kopili”, që kishte shkruar parrullën, e shihte mitingun nga televizori, ashtu siç bën këto ditë Sali Berisha me lolon e tij të Çadrës. Atëherë, parrulla e Ramiz Alisë tentonte drejtpërsëdrejti të lëshonte alarmin fals se: “Po të ikte Partia-shtet, nuk do të kishte më Shqipëri”, tamam si sot, kur nga Çadra lëshojnë budallallëkun më të madh se: “Po u bënë zgjedhjet e 18 qershorit pa PD-në, rrezikohet stabiliteti dhe paqja e Shqipërisë”?!. Atëherë, në korrik të ‘90-s, “kopili” që e kishte shkruar parrullën “PARTIA – SHQIPËRIA”, tentonte të na yshte të harronim të vërtetën më të thjeshtë, se: Shqipëri kish pasur edhe para PPSH-së dhe rrjedhimisht s’kishte pse të mos kishte edhe pas saj… E gjithë kjo shëmti shfaqej mu në sheshin “Skënderbej”. Edhe bronzi i kalit të heroit atë ditë skuqte nga turpi i asaj parulle, ndërsa “kopili” i PPSH-së, aspak. Ai e shikonte shfaqjen me parrullën e tij të poshtër nga televizori,  ashtu si në 28 Nëntor të 2012-s, “kopili” i PD-së, ndiqte pa u skuqur shfaqjen e përleshjes së shqiptarëve me tortën e tij idiote. Urrejtja për Vlorën i shtiu në tru Sali Berishës kopilinë për të bërë në Tiranë tortën më të madhe në botë, që në 100 vjetorin e Pavarësisë, në sy të gjithë botës,  përpara monumentit të heroit kombëtar, rezultoi në turpin më të madh të shqiptarëve. Edhe bronzi i Skënderbeut atë ditë skuqi përsëri nga turpi, ndërsa “kopili” i Partisë Demokratike, fare.

Por të kthehemi edhe një herë në 2013-n, atëkohë, kur dy garuesit për kreun e PD-së, Lulzim Basha dhe i ndjeri Sokol Olldashi iu drejtuan votuesve të tyre me premtimet për vazhdimësinë e rrugës së Sali Berishës… Sigurisht, ata donin ta fitonin atë garë dhe ajo armë u jepte rezultat, prandaj dhe nuk mund të fajësoheshin për përdorimin e saj. Por efikasiteti i kartës së vazhdimësisë dhe syri që i shkeli demokratëve “kopili” plak në favor të Lulzim Bashës, nxorri zbuluar mendësinë prej skllavi të atyre që votuan më 22 korrik… Demokratët ranë pre e kopilisë dhe votuan për “çelësin kopil” që u serviri idhulli i tyre “kopil”. Dhe ja ku mbërritën sot: Tek Çadra…

Partia Demokratike që lindi nga idealet e pastra të Lëvizjes Studentore të Dhjetorit 1990, shansin për të rilindur, më 22 korrik të 2013-s e humbi përfundimisht. Ajo datë shënoi fillimin e shtrirjes së saj në shtratin fatal të vdekjes. E gjithë kjo ndodhi se demokratët harruan që idealet demokratike në Shqipëri kanë qenë më të hershme se dita kur hodhi teserën e PPSH-së “kopili” Sali Berisha. Ata nuk mbajtën mend se Shqipëria ka qenë properëndimore qysh me Skënderbeun dhe ka qenë një kohë, që ashtu si në Perëndim, edhe në Shqipëri dera u hapej vetëm zotërinjve. Ajo kohë do të rikthehet tek ne në momentin që do të flaket tej morali që nderon “kopilin” dhe le pas dere zotërinë… Shqiptarët janë nisur për në Europë dhe me PD-në apo pa PD-në, do të mbërrijnë patjetër. S’ka “kopil” e Çadër “kopili” t’i ndalë drejt BE-së. Porta e Brukselit, gjithsesi do të hapet këtë here se “kopili” i Çadrës ka harruar se shqipja njeh vetëm fjalët “çelës kopil” dhe jo “mbyllës kopil”. Fatziu i Çadrës gjithashtu ka harruar se morali i “kopilit” që e ngujoi aty nuk përputhet fare me moralin e zotërinjve të Brukselit. Morali i atyre që e këshillojnë të mbyllë Çadrën dhe të firmosë Vetting-un, është i tillë që nderojnë zotërinë dhe jo kopilin… Prandaj nuk i impresionon dot me “thagmën” e varrosjes së PD-së as ata e as shqiptarët. Partitë venë e vijnë, ndërsa Shqipëria ka qenë dhe do të jetë europiane. Fjalori ynë, si fjalor i një prej gjuhëve më të vjetra të Europës, e shpjegon qartë edhe kuptimin e fjalës “kopil”, edhe të cilësorit “zotëri”… Pak kush sot në Shqipëri dyshon se Lulzim Basha është “zotëri”. Më mirë se kushdo, këtë e di “kopili” që e përdori si “çelës kopil” qysh në 22 korrik të 2013-s…

6 komente në ““Kopili” i Çadrës dhe zotërinjtë e Brukselit…”

  1. Sala says:

    bravo! Fiks e ke gjet!

  2. may says:

    Shume Sakte, Bravo !

  3. I pa pune 27 vjet says:

    BRAVO!

  4. Petriti says:

    Shkrim i perkryer. Te pakten i kuptueshem per te gjith shqipetaret

  5. Tema says:

    Rama ka 1 jave kohe per te qetsuar PD-ne., pastaj fillon eliminimi fizik te te pagdhendurit.Ultimatume te tilla eshte hera e pare qe PD-ja perballet.Ai qe te paralajmron s’eshte legen.

  6. gloria says:

    IK NË HOLLANDË O KOPIL,SE DO HYSH NË BURG!!!
    MALLKUAR QOFTË DITA QË TI HYRE NË POLITIKË!
    QENI BERISHA ,DO PAGUAJ PËR VEHTE DHE PËR TY!!??????dhe ????, DO NDIHMOJNË SHQIPËRINË,!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje