Seks për 300 euro në zonat ‘VIP’ të Tiranës, tutorët dënohen me 20 vite burg

27 Prill 2017, 11:23Kronika TEMA

Dënohen me 20 vite burg në total dy persona të akuzuar për shfrytëzimin e disa vajzave si prostituta luksi në Tiranë  nga Gjykata e Tiranës

“Shërbimet e seksit” për klientët varionin nga 100 deri në 300 euro dhe ofroheshin në hotele në zona “VIP” të kryeqytetit. Në përfundim të gjykimit, një treshe gjykuese e vlerësoi të provuar akuzën “shfrytëzimit të prostitucionit”, në bashkëpunim, për të pandehurit Nik Gjonikaj dhe Besnik Manka.

Ata u dënuan përkatësisht me 11 dhe 9 vjet heqje lirie. Në të njëjtin gjykim, u fajësua për “prostitucion” e pandehura Aureta B., një nga vajzat e shfrytëzuara dhe për akuzën e “moskallëzimit të krimit” i pandehuri Bledian N., i cili ka shërbyer si taksist për lëvizjen e vajzave në destinacione. Ata u dënuan me nga 6 muaj heqje lirie.

Të katër të pandehurit fituan uljen e një të tretës së këtij dënimi, për shkak se çështja u gjykua me procedurën e gjykimit të shkurtuar, ndërsa për Aureta B. dhe Bledian N. gjykata vendosi përfundimisht lënien e tyre në Shërbimin e Provës për një periudhë 2- vjeçare.

Të pandehurit e kësaj dosjeje u gjykuan në një proces të veçuar nga tre të bashkëpandehurit e tyre, Domenika D., M. N. dhe Hajredin S. Referuar vendimit të gjykatës, të siguruar nga “Panorama”, përveç të pandehurit Nik Gjonikaj, që ka mbajtur qëndrim mohues, të pandehurit e tjerë kanë pranuar akuzën. Ata janë “zbërthyer” para prokurorëve duke rrëfyer rolet dhe funksionet e gjithsecilit në rrjetin e prostitucionit të luksit në kryeqytet.

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje