Nga Lezha, kryeministri Edi Rama u ka bërë thirrje votuesve të rinj që më 18 qershor të votojnë forcën e ndryshimit, që sipas tij solli qeveria e tij në këto vite.
“Këto që ne bëmë në 3 vjet e gjysmë mund të ishin bërë shumë vite më parë. Në këtë vend nuk kishte më asnjë shpresë. Kjo që kemi bërë ne është ndryshimi i madh mes nesh dhe atyre që janë ngulur në bunkerin prej plastmasi sepse kanë frikë nga drejtësia”, ka thënë Rama.
Ai ka akuzuar opozitën se, refuzon zgjedhjet e 18 qershorit pasi dëshiron të mbajë në punë prokurorët dhe gjyqtarët e korruptuar.
“Nuk duan që pas 27 vjetësh nën thundrën e padrejtësisë drejtësia të çlirohet nga kthetrat e korrupsionit. Ata e dinë mirë që duke dalë hapur kundër vettingut nuk mund të shkojnë përballë demokratëve e t’u thonë na jepni votën, ndaj nuk duan zgjedhje”, ka thënë Rama.
Duke theksuar se, PS dhe aleatët e saj i duan zgjedhjet për të vendosur drejtësinë, Rama ka akuzuar lidershipin opozitar se, “janë gati të na prishin me Europën dhe Amerikën, ndaj u janë vërsulur ambasadorëve”.
“Me gjuhën e urrejtjes dhe të ndasisë, ata përpiqen të na ndajnë e përçajnë, duke shkelur çdo normë të edukatës.
Ata për ne janë e shkuara, ndërsa për ne e ardhmja është në mendjet e djemve dhe vajzave që duan sukses e progres.
Me Partinë Socialiste, Shqipëria mund ët bëhet anëtare e BE-së, por ata duan të na ndajnë nga BE-SHBA për të mbrojtur gjykatësit e korruptuar”, tha kryeministri.
Rama më pas tha se ish-paraardhësi i tij Berisha mërzitet kur shikon kaq shumë njerëz, por se sipas tij, “më e rëndësishme se partia është Shqipëria”.
Per mua e vetmja parti demokratike ne Shqiperi eshte Partia Socialiste