Parlameti u mblodh pas orës 21:00 për të vazhduar seancën e jashtëzakonshme dhe në tavolinë është Kodi Zgjedhor dhe Vettingu.
Mes palëve ishte rënë dakord për gjithçka dhe nuk parashikohej diskutim. Por ai që “prishi” qetësinë e seancës ishte kreu i LIBRA-s, Ben Blushi.
Blushi mori fjalën dhe hodhi akuza ndaj Partisë Demokratike dhe ndaj kryeministrit Rama.
Ai tha se me këtë marrëveshje ata po qeverisin bashkë dhe marrëveshja, sipas tij, është një marrëveshje kundër reformës në drejtësi.
Ben Blushi nisi fjalën e tij në Parlament mbrëmjen e sotme me një ironi drejtuar Partisë Socialiste dhe asaj Demokratike.
“Nuk dua t’jua prish dasmën. Berishën dhe Ramën i keni të dy në qeveri.”.
Kreu i LIBRA-s thumboi protestën e opozitës për “Republikën e Re”.
“Kjo është republika që doni. Ju që u futët për republikën e re, s’mrojtet asnjë kauzë.”-deklaroi Blushi, teksa tregonte se PS, PD dhe LSI kanë ndarë qeverisjen në tre pjesë.
Marrëveshjen Rama-Basha, Blushi e cilësoi si pazar për bashkëqeverisje, ndërsa deputetëve të majtë iu drejtua duke i kujtuar se janë bërë si Sali Berisha.
“Nuk ka shqiptar që nuk kupton se ky është pazar për bashkëqeverisje Sot jeni si Saliu me Saliun. S’e meritonte Shqipëria këtë.”
Sipas Blushit, ky bashkim u formua për një qëllim të vetëm, për t’i shpëtuar reformës në drejtësi.
“Ju u bëtë bashkë për t’i ikur reformës në drejtësi. Basha kuptoi që cadra nukë shtë imunitet absolut nga reforma në drejtësi. Askush nuk del nga qeveria për t’u mbrojtur nga reforma në drejtësi. E sabotuat reforma në drejtësi.”
Sipas Blushit, kjo bashkëqeverisje nuk garanton asgjë, ndërsa tre parti në qeveri nuk mund të bëjnë drejtësi ndaj njëra-tjetrës.
“Bashkëqeverisje mizore që s’garanton asgjë. Kush beson që 3 palë në qeveri do bëjnë drejtësi ndaj njëra-tjetrës.”
Për Blushin, të votosh për Rilindjen merr Sali Berishën, ndërsa të votosh këtë të fundit merr Edi Ramën.
“Voto Rilindjen merr Saliun. Voto Ramën merr çadrën. Ky është dështim. Ky është batak që jeni zhytur.”
Sipas Blushit, standarti i krijuar ndëshkon votuesin por jo komisionerin dhe numëruesin, dhe kjo ndodh pasi komisionerët dhe numëruesit janë të “bashkëqeverisjes”.
Në përfundim të fjalës së tij, Ben Blushi i uroi partive një bashkëqeverisje të mbarë.
“Keni krijuar një standart që ndëshkon votuesin por jo komisionerin dhe numëruesin. Kjo është republika e korrupsionit. Bashkëqeverisje të mbarë.”
Ben Blushi zgjodhi disa vargje të Fan Nolit për të mbyllur fjalën e tij.
“Çohuni katundarë e punëtorë që nga Shkodra e gjer në Vlorë”, citoi ai.
Replika e Kryeministrit Rama nisi e frymëzuar nga vargjet e Fan Nolit.
“Fan Noli do të rrotullohej në varr bashkë me katundarët e punëtorët, se nuk e di se kush është ai katundar e punëtor që voton Ben Blushin”, nisi fjalën e tij kryeministri.
Më pas, Rama replikoi me Astrit Patozin në lidhje me veshjen e tij.
“Sa për veshjen time Patoz, në fillim e përqeshin, pastaj e diskutojnë dhe në fund bëhet modë”, i tha kryeministri, që më pas iu rikthye replikës me Blushin.
“Nuk është bërë një ndryshim në Qeveri për të ndarë tepsinë. Ministrat që u votuan sot nuk kanë ardhur në Qeveri për të përfaqësuar PD, por për të garantuar opozitën si ministra teknikë në mbrojtje të zgjedhjeve. Pra edhe sikur PD të mos hynte në zgjedhje kishte dalë një urdhër më përpara për ndalimin e të gjithë shpenzimeve dhe të gjitha procedurave të reja në të gjithë kohën e fushatës.
Edhe pa PD në zgjedhje, qeveria deri më 25 qershor do të ishte thjeshtë një administratore e të përditshmes, ose e asaj që mund ta quajmë rutina e mekanizmit shtetëror. Drejtorët Blush, nuk do të zëvendësojnë drejtorët e mëparshëm, as për emërime, as për tendera dhe as për të prekur, qoftë edhe një petë të byrekut të tepsisë që ti e sheh nga larg dhe sa më larg ikën, aq më shumë të shtohet oreksi”, vijoi Rama.
Replikë nga vendi ndaj Blushit bëri edhe Edi Paloka.
Kreu i grupit parlamentar demokrat e nisi fjalën e tij me një vërejtje ndaj kreut të Kuvendit, Ilir Meta, që sipas Palokës nuk duhej t’i jepte fjalën për asnjë, por thjeshtë të votohej me rëndin e seancës së jashtëzakonshme.
“Na vjen këtu si i virgjër! Ka nja 20 vjet në Parlament me votat e Partisë Socialiste dhe tani na hiqet si i virgjër dhe flet se ça arriti çadra. Kështu që nuk duhej të diskutohej sepse nuk jemi në këtë seancë serioze, as të dëgjojmë të shesin virgjëri dhe as të dëgjojmë Kryeministrin që flet për trendin e veshjeve”, tha Paloka.
Edhe njehere Blushi goditi ne shenje si gjithmone me kritikat e tij , dhe thirrja e tij per protesta popullore eshte mëse e drejte. Por edhe Rama tha nje te vertete qe Blushi nuk ka bere gati asgje per elektoratin qe e votoi. Jo se Rama ka bere me shume per votuesit e tij.Dhe kjo eshte e verteta e hidhur e realitetit shqiptar. Populli shqipetare ka humbur revolten ndaj padrejtesise, por mesoi mire nje gje – te rroje partia,e çfaredo ngjyre qofte . Kjo qeveri edhe me ca shtesa te tjera dhe behet nje oktapod i mirefillte se tipod eshte aktualisht. Shpresojme qe ne 25 qershor shqipetaret te votojne me ndergjegjie dhe logjike ate Force politike qe ja vlen, pa u ndikuar nga premtimet boshe dhe thaset me miell ( po lane te bejne kuptohet ) .