Zbulohet Qarku ku do kandidojë Lulzim Basha, i pari në listë

23 Maj 2017, 19:53Politika TEMA

Priten me mjaft interes listat që do dorëzojë Lulzim Basha në KQZ për zgjedhjet e 25 qershorit.

E ndërsa në media prej më shumë se dy ditësh po qarkullojnë lista emrash të mundshëm sipas qarqeve respektive, newsbomb.al mëson se ku do të kandidojë vetë kryetari i opozitës Lulzim Basha.

Burimet bëjnë me dije se kreu i demokratëve ka zgjedhur të kandidojë në Elbasan si i pari i listës.

Pas tij, pra i dyti në listë do të jetë deputeti aktual i PD-së, Luçiano Boçi.

Strukturat e PD-së në Elbasan kanë nisur menjëherë punën dhe po angazhohen maksimalisht në mënyrë që rezultati në qarkun ku kandidon vetë kryetari mos jetë zhgënjyes. Basha rikthehet në Elbasan pas 8 vitesh pasi në vitin 2009 ishte kryesuesi i listës, kohë kur PD-ja korri goxha sukses duke marrë 7 deputetë, rezultat historik i demokratëve, raporton newsbomb.al.

Basha këtë herë do të jetë përballë Taulant Ballës nga PS, Monika Kryemadhit nga LSI dhe Aqif Rakipit të PDIU.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje