Tiranapost.al ka siguruar vendimin e gjykatëses Gentiana Mucaj, e cila rrëzon Dritan Demiraj (sot ministër i Brendshëm) nga kërkesa për tu rikthyer në punë në vitin 2015, si komandanti i Forcave Speciale.
Demiraj u lirua nga radhët e FA në vitin 2014 për shkelje të ligjit për statusin e ushtarakut.
Ai rezultoi se kishte kryer 104 udhëtime jashtë vendit pa lajmëruar eprorët.
Pas lirimit, Ministria e Mbrojtjes depozitoi ndaj tij dy kallëzime penale për keqpërdorim të forcave speciale komando.
Sipas kallëzimit, Demiraj kishte angazhuar forcat komando në kundërshtim me ligjin në një kampionat europian për të rinjtë në peshëngritje, në qytetin e Durrësit dhe në një tjetër rast i ka angazhuar në kërkim të floririt në zonat e Mokrës.
Të dy këto materiale kallëzuese janë pushuar nga Prokuroria, ndërsa vetë Demiraj i ka cilësuar si të gënjeshtërta dhe të urdhëruara nga ministrja e Mbrojtjes, Kodheli, të cilën tani do ta ketë përballë në tryezën e qeverisë.
Por përplasja e Demirajt me ministren Kodheli është më e thellë se kaq.
Vëllai i kolonel Demirajt, Taulant Demiraj, ka qenë truproja e ish-ministrit të Mbrojtjes Arben Imami, ndërsa në kohën kur Partia Socialiste ishte në opozitë dhe akuzoi SHIU-n se kishte përgjuar eksponentë të PS dhe diplomatë të BE-së në vendin tonë, Taulant Demiraj mbante postin e nëndrejtorit të shërbimeve inteligjente ushtarake.
Por tani të vjen në mendje shprehja: Më mirë një mik se sa një thesar.
Se miqësia me ish-ministrin e Mbrojtjes, Arben Imami dhe Lulzim Bashën e bëri ministër. Pushteti një vlerë me thesarin ka.