Tre parti të majtë “shkrihen”, që votat t’i shkojnë PS-së. Milo e Gjinushi refuzojnë

24 Maj 2017, 10:47Politika TEMA

Pas vendimit që në zgjedhjet e 25 qershorit të mos garohet me koalicione, 3 aleatët e vegjël të majtë vendosën që të tërhiqen duke kërkuar nga mbështetësit e tyre që të votojnë Partinë Socialiste.

PSV 91, Partia Socialiste e Moderuar (PSM) si dhe Uniteti Kombëtar edhe pse janë regjistruar në KQZ si forca garuese në zgjedhjet parlamentare, kanë vendosur sot të dalin nga gara.

Kryetari i PSV91, Petro Koçi deklaroi se mbështetësit e tij të votojnë për PS.

“Duke pasur parasysh që nuk janë regjistruar koalicione, kemi vendosur që të mbështesim PS që të sigurojë 71 mandate.

Çdo votë e hedhur për partitë e vogla dëmton Partinë Socialiste. Disa subjekte janë regjistruar, që do të thotë se cdo votë e hedhur për ato dëmton PS“, tha ai.

Koçi i bëri thirrje edhe Gjinushit dhe Milos që të tërhiqen nga gara dhe që vota të shkojë për PS.

Ndërsa Gjergj Koja i PSM, thekoi se “Mbledhja vendosi që aleatët e PS t’u bëjmë thirrje mbështetësve të votojnë PS si e vetmja mundësi për të vazhduar reformat pas 25 qershorit”.

Çdo aventurë tjetër do të ishte e rrezikshme. Vendimmarrja ishte totalisht e pavarur, unanimiteti ishte i plotë. Kjo është e vetmja mënyrë ne të mos bëjmë eksperimente për të ardhmen e Shqipërisë”, tha ai.

Ndërsa Idajet Beqiri, kryetar i Partisë Uniteti Kombëtar, deklaroi se “nuk ka asnjë zhgënjim te aleatët, kjo është strategji e partive të majta për maksimizuar fitoren”.

Premtimi i vetëm nga Rama është që të vazhdojë reformat dhe ne këtë kërkojmë”.

Ai theksoi se PS duhet të sigurojë 71 mandate në 25 qershor, për të vijuar qeverisjen e vendit.

“Votat t’i shkojnë PS-në, në mënyrë që të kemi vazhdimësinë e kësaj qeverisje për të bërë reformat. PS duhet të arrijë të marrë 71 vota”, tha Koçi.

Por ftesën e Petro Koçit nuk e kanë pritur aspak mirë, as Paskal Milo i PDS-së dhe as Skënder Gjinushi i PSD-së.

Milo është ndier i lënë pas dore nga kryetari i PS-së dhe është shprehur:

“Rama të më ftojë vetë, jo të përdorë Koçin si mercenar. Unë nuk refuzoj ftesa për të biseduar. Nëse më fton Rama në negociata, do të paraqitem.”

Kurse Gjinushi nuk është tunduar aspak:

“Ne nuk tërhiqemi. Afati ligjor për të tërhequr regjistrimin ka ngrirë. PS-ja nuk fiton pa mua. Unë i siguroj dy mandate”, është shprehur Gjinushi për median.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje