Ekipi i partisë Socialiste të qarkut Gjirokastër çeli dje zyrtarisht fushatën elektorale për zgjedhjet e 25 Qershorit, nën entuziazmin e rreth 1000 të rinjve nga Gjirokastra, Tepelena, Permeti, Dropulli, dhe e gjithë zona.
Kryesuesi i listës së PS në këtë qark Bledi Çuçi, i cili shërbeu edhe si ‘dixhei’ gjatë këngës zyrtare të fushatës, shprehu bindjen e tij se motivimi dhe energjia e këtyre të rinjve është garanci absolute për Shqipërinë që duam.
“Çfarë energjie e jashtëzakonshme, sa mirë është ta nisësh fushatën më këta të rinj të mrekullueshëm. Është shumë e rendësishme që gjatë këtij muaji të trokasim derë me derë, shtëpi më shtëpi e t’u themi të gjithë shqiptarëve se në datën 25 nuk do votohet thjesht për një deputet në Parlament, por do votohet për Kryeministër Edi Ramën dhe për Shqipërinë në Europë.”
Më tej, ministrja e Kulturës znj. Mirela Kumbaro deklaroi se Partia Socialiste mbetet e vetmja alternative e bindëse dhe e qënësishme për qeverisjen e vendit.
“ Ju jeni garancia e fitores së padiskutueshme të 25 qershorit. Ju jeni sot ekipi dhe forca më frymëzuese me krenari, profesionalizëm dhe dinjitet. Adrenalina kësaj fushate janë të gjithë të rinjtë e qarkut, jo veç ju që ndodheni sot këtu me ne. Sepse ne, të gjithë së bashku nga Përmeti, Këlcyra, Memaliaj, Tepelena, Libohova, Dropulli dhe Gjirokastra jemi më të sigurt se asnjëherë tjetër për fitoren e të vetmes parti për të cilën ia vlen dhe duhet të votohet më 25 qershor, Partisë Socialiste të Shqipërisë”
Rinia është një nga shtyllat e forta të Partisë Socialiste, e cila duket se do të vazhdojë të bazohet në mbështetjen e tyre për të siguruar mandatin e dytë qeverisës.