Presidenti i Partizanit, Gaz Demi, është shprehur në emisionin sportiv “Precesi Sportiv”, se në klubin e kuq shumë shpejt do të afrohen investitorë të huaj.
Demi tha se pavarsisht afrimit të investitorëve që do të rrisë nivelin e skuadrës, nuk do të jetë më shumë se kundërshtarët pasi nuk kërkon që gara të prishet.
Ndërkohë, numri një i presidencës së kuqe nuk nguroi të sulmonte dhe Federatën Shqiptare të Futbollit që sipas tij është një institucion që ka dështuar.
Si e shikon Gaz Demi, presidenti i Partizanit,sezonin e ri pa Tiranën?
Për mua si qytetar i Tiranës, i lindur dhe rritur në Tiranë, e konsideroj një fatkeqësi të madhe. Duke e parë këtë fakt si presidenti Partizanit, keqardhjen e shikoj dyfishe, pasi për të paktën një vit kryeqytetit do t’i mungojë përballja mes dy elitave të futbollit shqiptar, Tirana e krijuar para afro 100 vitesh, ndërsa Partizani para 72 viteve. Këto dy klube kanë pasur një histori të bukur me njëra -tjetrën, pavarësisht historive të tifozëve, që janë shokë me njëri- tjetrin, por që e zbukurojnë kryeqytetin në ditën e derbit.
Mendoni se ka lidhje sistemi në këtë rënie të Tiranës, duke ditur se keni qenë kritik i këtij sistemi të krijuar në federatë?
Këtu sistemi nuk është puna për të nxjerrë kampion dhe nga kategoria. Për mua si president i Partizanit sistemi është i rën. Nuk ka platforma se si do të ecë futbolli përpara. Nuk mund të futem te pjesa e Tiranës, pasi drejtuesit e saj e dinë se si e kanë patur punën dhe hallin me federatën. Pra, për mua sistemi është i rën, pa asnjë platformë përpara se diskutohen variante të ndryshme. Unë e kam kuptuar me vonesë, pasi e kam deklaruar se më parë nuk kam pasur lidhje me futbollin. A mund të më thotë njeri që Superliga është me 10 ekipe dhe Kategoria e Parë me 20 ekipe. Por në këtë kategori është bërë edhe një ndarje veri-jug, që ne shqiptarët gjithmonë kemi qenë kundër, kur PD dhe PS luftonin në politikë për ndarje skajesh. Shqipëria është shumë e vogël. A ka logjikë të bëhet kjo ndarje? Për çfarë bëhet? Për të shpërndarë investime, për të bërë vota. Duke u nisur nga kjo ka një problematikë të madhe atje që ekziston prej vitesh, ndërsa unë thuajse këtë vit e kam vënë re. Këtë do ta shikoj me prioritet dhe së shpejti kemi edhe mbledhjen e Komitetit në FSHF. Sistemi ka shumë defekte. Edhe ke Tirana, Kavaja dhe shumë ekipe të mëdha kanë problematikën e tyre.
Pra zoti Demi, nga tani e tutje nuk do të votoni më si më parë duke ngritur dorën lart për sistemin si të vendosur në allçi?
Fatmirësisht unë vetëm njëherë kam qenë aty. Edhe unë atë ditë votova me dorën në allçi, pasi nuk kemi pasur dije se çfarë bëhet. U bë sebep fondi i solidaritetit dhe kemi reaguar. Ndoshta edhe të tjetët do ta kuptojnë këtë gjë. Ne nuk kemi pse të mbrojmë federatën, jemi një nga ekipet legjendë në Shqipëri dhe ne duhet të vemë rregullat. Rregullat nuk vihen siç kemi votuar të gjithë më parë me dorën në allçi. Tani kemi filluar ta studiojmë dhe do të dëshiroja që këtë që po bëjmë ne ta bëjnë edhe klubet e tjera.
Partizani njihet si një skuadër me shumë Tifozë.
Eshtë skuadër që ka mbështetje në gjithë Shqipërinë, por edhe jashtë vendit. Çdo javë nisen dy autobusë me tifozë nga Saranda për të ndjekur ndeshjet e Partizanit. Kemi tifozë gjithandej, nga Maqedonia madje edhe nga Australia më nisin mesazhe pas çdo ndeshje të Partizanit.
Zoti Demi, si e vlerësoni pastërtinë e kampionatit shqiptar, nga 1 deri te 10-ta?
Kampionatin e keni për skuadrat, apo për atë që organizon kampionatin?
Për kampionatin shqiptar, sa i ndershëm dhe i pastër është?
Për kampionatin nuk dua të flas, por për federatën që organizon kampionatin nuk arrin as te njëshi.
Pse ky vlerësim për federatën?
Nuk dua të hyj më thellë se çfarë është bërë. E përmenda pak këtu, jo pa qëllim, kur themi federatë duhet të mendojmë si organizim. Ata që e drejtojnë sot federatën e kanë bërë si marifet biznesi. Unë kam shumë shoqëri te politika. Nuk ka logjikë kjo ndarje e Superligës, Kategorisë së Parë dhe Kategorisë së Dytë. Ose bëje me 12, siç ka deklaruar edhe presidenti i Flamurtarit në prononcimin e fundit, që për mua është logjik. Që këtu nis të dyshoj, se këtu kontroll financiar nuk di njeri të jetë bërë. Por jemi duke i parë kështu, hap pas hapi. E publikoj një gazetë se ka fond solidariteti, pasi sot asnjë nuk do të kishte marrë gjë. Madje duhet që atij sajtit që e publikoj, të gjithë si presidentë t’i japin ndonjë kafe. Ata na kanë lajmëruar, pasi vetëm nga gazeta e morëm vesh ne.
Presidentë të tjerë kanë deklaruar se kanë pasur dijeni për këtë…
Edhe presidentin e Kukësit, të cilin e uroj për kampionatin, kur kemi qenë përballë i kam bërë pyetjen për këtë gjë. Safeti e ngatërronte pa dashje këtë gjë me investimet. Edhe unë e uroj Kukësin për suksesin, kryesisht qytetin.
Kalojmë te Partizani. Si e gjykoni sezonin e skuadrës suaj?
Po të ishte shumë i mirë, do të ishim kampion. Ka pasur ato luhatjet e veta, kryesisht në fillim ku patëm shumë. Por në fundin e fazës së dytë sikur u ngritëm pak. Jo vetëm tifozët e Partizanit, por e gjithë Shqipëria e di që Partizani ka zhvilluar dy faza jashtë shtëpisë së vet. Por që të mos bëhem i bezdisshëm, kjo ka ardhur për shkak të mos organizimit të federatës. Se kisha dëgjuar se FSHF paska qenë edhe investitore në stadiumin “Dinamo” dhe mund ta zgjidhte këtë problem edhe me Korabin. Kjo është një pikë që nuk dua ta kritikoj stafin, pasi duke luajtur jashtë Tiranës kemi pasur humbje nga tifozëria. Si president dhe drejtues i Partizanit ne do të bëjmë analizat tona dhe shpresojmë që t’i rikuperojmë sa më shpejt.
Ku mendoni se e humbi Partizanin titullin?
Atë pjesën e të luajtur në Elbasan në dy fazat e para të sezonit e rikuperuam pas kthimit në Tiranë. Ishin 200-300 tifozë kur luanim jashtë, por ardhja në Tiranë sikur e rikuperoi diçka ecurinë. Nuk mund të flas sot se ku gabuam, pasi këtë gjë do ta bëjmë në analizën tonë si klub dhe të gjemë defektet. E dinë, i madh dhe i vogël, sesa është penalizuar Partizani. Nuk dua që t’i bëj qejfin trajnerit tim Starova, ka pas apo nuk ka pasur të drejtë, sepse edhe ai ka defektet e veta.
Çfarë do të ndryshojë në sezonin e ardhshëm te Partizani?
Ndryshimet do të nisin që tani për Ligën e Europës. Grupi është që tani, por do të kemi disa lëvizje, me të cilat po merret stafi teknik.
A do të jetë sërish trajner Starova?
Do të bëjmë analizat dhe i pari do të jetë Starova, pasi edhe ai mund të ketë projektin e vet. Presim që të ulemi dhe bisedojmë, pasi nuk jemi ulur akoma, sepse Starova ka kryer një operacion.
Po ju, do të dëshironi ta mbani?
Mos ma bëni më këtë pyetje. Starovën e kam më shumë sesa trajner. Starova është këshilltari im. Starova ngeli trajner, sepse patëm një ngërç me ish-trajnerin. Në momentin që ai e dorëzoi unë i thashë të marrë skuadrën. Do të bëjmë një analizë sesi ka punuar. Partizani ka një staf shumë të madh dhe do të shikojmë me qetësi dhe dashuri, siç thotë Ilir Meta. Por do të themi që Partizani gjithmonë do të jetë aty lart. U bënë katër vjet, nuk e them se nuk e do federata, por ata nuk e respektojnë, pasi është i vetmi klub që vepron me rregulla, që punon në mënyrë korrekte, të ndershme, me investime serioze. Atë që Bamiri (Topi) e kishte merak për Tiranën, po e bëjmë për Partizanin. Po bëjmë një grup menaxherial shumë të mirë dhe një grup investitorësh, që shumë shpejt do t’i dëgjoni që do të futen në sportin shqiptar. Ne jemi në fazën e investimeve dhe të huajt kur afrohen duan që të shikojnë diçka për të arritur atje ku duhet, një garë brenda kampionatit shqiptar, jo që të dalim ne këtu lart dhe më pas nuk ka më vlerë futbolli. Po bëhet edhe kjo akademia e arbitrimit, do të kemi edhe zgjedhje vitin tjetër dhe ishalla dhe ata që do të kandidojnë si kandidatë për president të sjellin platforma.
Ka kandidatë konkretë?
Kandidatë ka pasur gjithmonë, por mbase nuk ka pasur platforma. Më duket se herën e fundit nuk ka patur kandidatë alternativë.
Partizani do të mbështesë ndonjë kandidaturë?
Partizani do të mbështesë platforma. Brenda platformës do të jetë edhe individi. Partizani është për rregulla loje të pastërta. Ai që do të jetë kandidat me nota të larta, padyshim që do ta mbështesim.
Nga e prisni platformën?
Para tre muajsh ishte Partizani i vetmi që foli dhe tronditi. Partizani është i futbollit shqiptar, nuk jam njeri aktiv nëpër politika. Por duke qenë pjesë e futbollit, dua apo nuk dua do të jem pjesë atë ditë, sepse është interesi i të gjithëve. Unë jam për edukim brezash jo për këto barsoletat e arbitrave. Ne duhet të krijojmë grupmosha, që nesër futbollistët 15-vjeçarë të mos tremben që të vijnë te Partizani. Për momentin është bërë problem puna e arbitrave, pasi federata i ka dënuar të gjithë, nuk kemi gjyqtarë për momentin. Të paktën tani luajmë në Ligën e Europës dhe do t’i kemi të huaj gjyqtarët. Por më kanë qetësuar se akademia e arbitrave po ecën me seriozitet dhe shpresojmë që këtu të mos i kenë futur duart pjesa e pisët e federatës.
Edhe diçka të gjithë moviolat në emisionet televizive përgatiten dhe përcillen nga persona të cilët janë punonjës të FSHF-së , pra rrogëtarë pranë këtij institucioni . Ne si Partizan jemi që sektori i arbitrimit të jetë i panvarur.
Mos ka ndonjë platformë zoti Demi për zgjedhjet e ardhshme në FSHF?
Platforma? Unë jam president i Partizanit dhe nuk kam lidhje me drejtimet e federatës dhe as me drejtimet politike. Jam futur te sporti dhe po mësoj. Nuk është vetëm Partizani në futbollin shqiptar. Ka personalitete që kanë vlera. Ashtu si në politikë edhe në sport detyrimisht do të nisë vetingu. Platformat janë se si do të ecë katërvjeçari në futboll. Ata zotërinj që do të jenë atje, për mua si Partizan do të kenë ndihmesë për atë që ka platformën më të mirë dhe që do të jetë më korrekt për të drejtuar federatën.
Tifozët kanë interes dhe e kanë merak. Ekuban do të vijojë të jetë pjesë e Partizanit?
Kemi shumë shpresë që ai do të qëndrojë me Partizanin, por dihet që Ekuban është nën kontratë me Kievon. Kievo na e ka lënë për një vit dhe shpresoj që brenda datës 5-6 qershor të vendoset dhe klubi italian të na e lërë edhe për 6 muaj apo një vit apo diçka më shumë.
Do të vijoni të luani në “Selman Stërmasi”?
Normalisht do të vazhdojmë të luajmë. Shpresoj që në shtator të kemi përfunduar së ndërtuari stadiumin tonë.
Pse pranuat që ta publikoni atë videoskandalin për tenantivë korruptimi të lojtarëve tuaj pas ndeshjes me Kukësin?
Kjo video ka qenë bërë para ndeshjes. Sinqerisht, çunat më thanë për ta vazhduar më shumë atë punë. Pasi ka mbaruar ndeshja më vijnë dy lojtarë, pasi kishin diçka. E kisha harruar atë muhabetin e videos dhe i them dikujt pse nuk ma çuat një herë që ta shikoj. Pas ikën dy lojtarët ma dërgoi një person dhe mu duk diçka jo serioze. Tani atë punë po e ndjek prokuroria. Unë atë video e kam parë pas ndeshjes, 2-3 ditë më pas. Ajo që u transmetua në emisionin “Fiks Fare” ka ndodhur, ndaj më mirë ta ndjekim ligjërisht. Do kisha dëshirë që të dëgjoj këta fjalët e të tjerëve, që thonë se nuk kanë përgjegjësi.
A ia keni besuar ndërtimin e skuadrës Moxhit?
Moxhi është një njeri me eksperiencë shumë të madhe. Ne kemi bërë një akord trevjeçar. Nuk kemi bërë marrveshje vetëm për skuadrën, por gjithë ndërmarrjen Partizani. Për të qenë korrekt, ai do të përfshihet më shumë me ecurinë e ndërmarrjes, jo thjeshtë të ekipit.