Rajonet numër 4 dhe 2 ishin ndalesa e rradhës e drejtuesit politik të Qarkut të Vlorës Damian Gjiknuri ku prezantoi kandidatet Vilma Bello, Edmond Leka dhe Elona Hodaj.
Pasi theksoi vendimmarrjen e fundit të Këshillit Bashkiak të Vlorës që i hap rrugën procesit të bllokuar të legalizimeve në këtë zonë, Gjiknuri foli edhe për investimet e mëtejshme.
“Rruga do të përfundojë siç duhet, ndriçimin do ta keni, kanalizimet do ti keni, legalizimet do të përfundojnë. I nisëm ne dhe do ti përfundojmë siç i kemi nisur, qeveria socialiste. Ju thamë se do ti bëjmë pa para dhe rrisqet do ti marrë përsipër qeveria? Këtë po bëjmë. Shëtitoren do ta bëjmë dhe Pyllin e Sodës do ta kthejmë në park”, premtoi Gjiknuri.
Ai komentoi edhe mbi shqetësimin e banorëve të strehuar në kabinat e plazhit ndërsa sqaroi se “në lidhje me çështjen kabinave, e di që është problem i mbartur dhe shumë vjeçar. Unë kam folur me kryetarin e Bashkisë se çfarë zgjidhje mund ti jepet. Në bashkëpunim mbase edhe me partner privat të bëhen godina të reja ku dhe ju të sistemoheni dhe ata të zhvillojnë pronën.
Pra, dhe ju të merrni shtëpi e të bëhet një zgjidhje por dhe zona të zhvillohet. Unë kështu e mendoj zgjidhjen. Nuk është se them se do ta bëjmë nesër por mendoj se siç është zgjidhur në vende të tjera, në bashkëpunim me investitorë privatë të bëhen ndërtimet dhe ju të sistemoheni”.
Kandidatja Vilma Bello u shpreh e bindur se panorama e investimeve për rajonin 4 do të ndryshojë bindshëm në katër vitet e ardhshme.
“Qeveria e Partisë Socialiste me Edi Ramën, do të vazhdojë të bëjë gjithçka që ka nisur dhe do ti përfundojë ato për ti prekur të gjithë ne, qoftë në pjesën tjetër të Vlorës që duket sikur është urbanizuar pak më shumë, qoftë në këto zonat e tjera që duket sikur janë më pak të urbanizuara. Të jeni të bindur se ndryshimi do ta prekë shumë shpejt jo vetëm Vlorën por veçanërisht rajonin 4 dhe 5”, u angazhua Bello.
Për kandidaten Elona Hodaj, pak vite më parë investimet nuk mendoheshin por sot janë një realitet. “Të gjithë ne, nuk mendonim kurrë që mund të ekzistonte një Lungomare, të gjithë ne nuk mendonim se do të kishim bypass-in, të gjithë ne nuk mendonim se do të kishte rrugë, lulishte dhe gjelbërim. E pra, kjo është qeverisja e Edi Ramës, kjo është qeverisja që ka filluar”, u shpreh Hodaj.
Gjatë takimit të zhvilluar në rajonin nr.2 ku prezantoi Edmond Lekën, Gjiknuri përmendi edhe disa investime të pritshme.
“Nuk do të ketë më fare problem me energjinë elektrike por këto nuk janë të vetmet pasi u interesova për problemet që ka kjo zonë. Ju garantoj se shumë shpejt do të fillojë riparimi i rrugës edhe pas 5-katëshit pasi janë siguruar fondet. Shumë shpejt do të ndërtohet edhe palestra e shkollës Ismail Qemali, do të shtohen edhe katër klasa në mënyrë që mësimi të mos zhvillohet më me dy turne”, tha ai.
Kandidati Leka insistoi se katër vjeçari i ardhshëm përmbush objektivin e PS për Shqipërinë që duam. “Në këto 4 vjet kemi bërë shumë por nuk jemi të kënaqur sepse duam të bëjmë akoma më shumë. Ëndrra jonë për Shqipërinë e gjeneratës tjetër nuk përfundon në këtë katër vjeçar prandaj duam që katër vjeçari i ardhshëm të jetë realizimi i objektivit tonë final për Shqipërinë me një shtet, me më shumë punësim e më shumë mirëqenie”, theksoi Leka.