Donald Trump ka deklaruar se SHBA do të tërhiqen nga marrëveshja e Parisit për ndryshimet klimatike. Ai tha se kërkon të rinegociojë një marrëveshje më të drejtë, nga e cila nuk dalin të disavantazhuar punëtorët dhe bizneset amerikane.
“Nëse arrijmë një tjetër marrëveshje, do të jetë fantastike. Nëse jo, s’prish punë.” Tha Trump, duke iu referuar paktit që është firmosur nga thuajse 200 shtete dhe që, për t’u arritur u deshën dhjetë vite diskutime.
Trump gjatë fushatës presidenciale e ka cilësuar termin “ndryshim klimatik” si një mashtrim. Por, së fundi, nën persionin e liderëve ndërkombëtarë dhe aleatëve, administrate e tij ka deklaruar se këndvështrimi i presidentit ka evoluar.
Pavarësisht kësaj, Donald Trump refuzoi të dorëzohej përpara kritikëve. Ai tha se do të donte të fliste me “qytetarët e Pitsburgut dhe jo të Parisit,” ndërsa mbante fjalimin në Kopshtin e Trëndafilëve në Shtëpinë e Bardhë.
Megjithatë, në kundërpërgjigjie ndaj presidentit amerikan, Franca, Gjermania dhe Italia lëshuan një deklaratë të përbashkët, në të cilën rikujtuan se marrëveshja e Parisit “nuk është e rinegociueshme.” /Përgatiti: Bjorn Runa, Toronto