Ogerta Manastirliu: Ju tregoj lidhjen time me PS!

9 Qershor 2017, 11:19Politika TEMA

Ogerta Manastirliu jep këtë intervistë për dritare.net ku për herë të parë flet për veten. Thotë se nuk i pëlqen të flasë, pasi dëshiron që njerëzit ta gjykojnë dhe vlerësojnë për ato që bën dhe jo për atë që thotë.

Manstirliu tregon lidhjen e saj me PS, punën me Ramën si kryebashkiak dhe kryeministër, arritjet që solli si drejtore e QSUT dhe planet e saj për njësinë ku kandidon./dritare.net

Jeni nga të rrallët  persona publikë që jepni rrallë intervista dhe që kur flisni, flisni vetëm për punën. Kush është Ogerta Manastirliu?

Një nga gjërat që më pëlqen më pak të bëj është që të flas në vetë të parë, për veten. Personalisht, nëse do të kisha zgjedhjen, që njerëzit të më gjykonin dhe vlerësonin për atë që bëj, apo për ato që them, natyrisht që do të zgjidhja të parën. Nga ana tjetër, mbi të gjitha sepse jemi në mesin e një fushate elektorale, e konsideroj detyrim të respektoj kërshërinë, jo thjesht tuajën si gazetare, por mbi të gjitha të publikut që ka absolutisht të drejtë të njohë përfaqësuesit e tij në institucionet e qeverisjes. Dhe jo vetëm ata votues të Njësisë 9 ku jam duke punuar e me të cilët zhvilloj takime të përditshme, jo vetëm për t’u njohur më mirë me njëri-tjetrin, por edhe për të shpalosur programin e Partisë Socialiste për katër vitet e ardhshme. Që t’i rikthehem pyetjes tuaj, unë kam përfunduar studimet e larta në fakultetin e Shkencave të Natyrës, në degën Kimi dhe më tej studimet master në po të njëjtën degë. Mbaj Titullin Doktor i Shkencave në Kimi Analitike dhe Mjedis dhe për shumë vite jam angazhuar si pedagoge e jashtme pranë këtij fakulteti. Përsa i përket karrierës, kam qenë pjesë e ekipit të Bashkisë së Tiranës – dhe do të kërkoja mirëkuptimin tuaj që ta lija pak mënjanë modestinë – në një nga periudhat më të suksesshme të këtij institucioni, kur Tirana njohu një transformim rrënjësor, gjatë dekadës së parë të viteve 2000.

Jam nënë e dy vajzave, Altea dhe Emili, të cilave, pavarësisht gjithë angazhimeve që kam pasur në vitet e fundit, jam përpjekur që të mos u mungoj në asnjë moment, por shpesh herë kjo përpjekje ka qenë në kufijtë të pamundurës. Ndonëse mendoj që, edhe sikur gjithë kohën e botës po të kisha pasur në dispozicion, sërish nuk do të më kish mjaftuar për të qëndruar pranë tyre.

Ju keni një ngritje shumë interesante në karrierën tuaj. Nga drejtore e QSUT, u bëtë ministre dhe së shpejti do të jeni deputete. Si përfunduat në politikë?

Në fakt unë do ta konsideroja jo dhe aq të panatyrshëm kalimin tim, nga pozicioni i Drejtores së QSUT, në atë të Ministres së Shëndetësisë. Siç e dini, Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” është institucioni më i madh shëndetësor në Shqipëri, është një institucion shëndetësor terciar në të cilin marrin shërbim qytetarë nga e gjithë Shqipëria, pra në një farë mënyre është institucion shëndetësor mbarëkombëtar. Si rrjedhojë, është njëkohësisht institucioni në të cilin nuk ka problematikë të sektorit shëndetësor në Shqipëri, që nuk e ndesh. Dhe fakti që kam qenë “në terren”, çdo ditë, përgjatë më shumë se tre viteve, më ka ndihmuar shumë për të prekur nga afër këto problematika, gjë që padyshim është shumë e vlefshme në momentet kur, siç ndodhi me mua, kalon nga drejtimi i një institucioni politikë-zbatues, në krye të një institucioni politikë-bërës, siç është Ministria e Shëndetësisë. Gjithmonë duke ndjerë peshën e përgjegjësisë, iu përgjigja detyrës së ngarkuar nga Kryeministrit, për të drejtuar Ministrinë e Shëndetësisë në një moment ndryshimesh, në qeverinë shqiptare.

Znj. Manastirliu, ç’do të thotë për ju të jesh e majtë?

Personalisht vij nga një familje me një traditë të fortë në mbështetje të majtës dhe Partisë Socialiste. Madje dhe në kohëra nga më të vështirat, jo vetëm politikisht, për këtë forcë politike. Të jesh i majtë, në opinionin tim personal, do të thotë t’u përmbahesh parimeve që i kanë bërë forcat progresiste kudo në botë, të suksesshme, në përmbushjen e detyrimeve për rritjen e mirëqenies së qytetarëve, duke ruajtur njëkohësisht drejtësinë sociale.

Të jesh i majtë do të thotë të punosh fort për një shtet më të drejtë në shërbim të qytetarëve, një shtet funksional që të garantojë punësim dhe mirëqenie për qytetarët sot, por edhe një të ardhme më të mirë për brezin që do të vijë. Të jesh i majtë do të thotë që përmes politikave sociale, të punosh që të gjithë të kenë shanse të barabarta, do të thotë të vësh në zbatim politika të cilat i mbrojnë njerëzit qoftë nga përjashtimi social, qoftë nga arroganca e pushtetit. Në pikëpamjen time, element thelbësor i një qeverisjeje të majtë, është ndërtimi i një shtet ku të gjithë, pavarësisht statusit ekonomik dhe shoqëror që gëzojnë, pavarësisht origjinës, kanë të njëjtat të drejta në burime, në ekonomi, në shoqëri, ku të gjithë trajtohen njësoj dhe të gjithë janë të mbrojtur prej shfrytëzimit apo përjashtimit. Mbi të gjitha, të jesh i majtë do të thotë të punosh për të garantuar solidaritet nga ana e të gjithë shoqërisë, për ata që janë të pamundur, që janë më të varfër. Duke iu garantuar atyre shërbimet që meritojnë në një shtet demokratik,si kujdesi shëndetësor, sistemi arsimor etj. Thënë me një fjali, të jesh i majtë do të thotë të ndërtosh një shoqëri të mirëqenies, ku askush nuk mbetet pas dhe ku të gjithë kanë shanse të barabarta.

Kandidoni si deputete për herë të parë. Si e morët vesh lajmin se do të jeni pjesë e listës së PS?

Jam informuar zyrtarisht pas mbledhjes së kryesisë së Partisë Socialiste. Padyshim është një përgjegjësi shumë e madhe, përgjegjësi të cilën e ndjej më shumë sot, në takimet dhe bisedat me banorët e Njësisë Nr. 9 në Tiranë, të cilën mbuloj. Është përgjegjësi sepse unë do të jem përfaqësuesja e tyre në Parlamentin e Shqipërisë, do të jem njeriu ku do të reflektohen pritshmëritë e të gjithë atyre që do të votojnë ose jo për Partinë Socialiste, për të pasur një qeverisje më të mirë nesër.

Është bindja ime që, nëse kemi ide dhe projekte për të sjellë ndryshim në këtë vend, nëse unë dua që fëmijët e mi të rriten në një vend i cili do të jetë edhe më i mirë se ai ku u rrita unë, atëherë do të ishte mirë që kjo mundësi  të përdoret në mënyrën më të mirë duke dhënë edhe unë kontributin tim nëpërmjet pjesëmarrjes në politikë për të ndërtuar Shqipërinë që duam. Për sa i përket kandidimit në listën e Partisë Socialiste, më lejoni ta përsëris se është privilegj i madh, të jesh pjesë e listës së kandidatëve  forcës politike më të suksesshme, Partisë Socialiste.

Pasi ju u bëtë ministre në mars 2017, doli një video ku si pjesë e stafit të Ramës, i sapozgjedhur në krye të bashkisë, i bënit një dhuratë me foto të Tiranës. Aty ka nisur njohja juaj me kryebashkiakun Rama?

Po, ky ishte “zbulimi” i madh i ditës, i një videoje në emisionin “Opinion”, ku në përfundim të një fushate spektakolare dhe triumfuese, ne, grupi i të rinjve të fushatës së kandidatit të atëhershëm për Bashkinë e Tiranës, Edi Rama, i bëmë një dhuratë simbolike, një foto te shkrepur ditën e çlirimit të Tiranës nga një fotograf gjerman. Bashkë me dhjetëra të rinj të tjerë, iu bashkova ekipit fitues të kandidatit që do të drejtonte me sukses Bashkinë e Tiranës në tre mandatet e ardhshme. Do të thosha se e konsideroj veten me fat që isha pjesë e një fushate elektorale, e cila shënoi një ndryshim rrënjësor, në mënyrën se si zhvilloheshin fushatat deri atëherë në Shqipëri.

Duke qenë se keni qenë pjesë e stafit të tij, keni parë më afër punën dhe keni bashkëpunuar me të. Po ashtu keni qenë pjesë edhe e qeverisë. Ku ndryshon Rama kryebashkiak, nga Rama kryeministër?

Për mendimin tim, ngjashmëria kryesore mes Edi Ramës kryetar Bashkie dhe Edi Ramës kryeministër është e thjeshtë: Ai di të krijojë dhe më pas të udhëheqë një ekip të suksesshëm. Institucioni i Bashkisë së Tiranës gjatë tre mandateve të Edi Ramës kryetar Bashkie ka qenë pa as më të voglin dyshim, një prej institucioneve më të suksesshme, më të përkushtuar që ka patur ndonjëherë shteti shqiptar. Këto e them jo si një përjetim personal. Prova më e madhe janë punët e mëdha që u bënë dhe që e transformuan rrënjësisht Tiranën, por edhe tre fitoret e njëpasnjëshme spektakolare, që ishin shenja e fortë e besimit që qytetarët e Tiranës kishin tek Edi Rama si kryebashkiak dhe Bashkia e Tiranës. Fakti që mandati i katërt iu vodh paligjshmërisht, nuk i zhbën aspak ato suksese, përkundrazi.

Dritare.net- Formimi juaj vjen nga Fakulteti i Shkencave të Natyrës dhe jo nga mjekësia, por për 3 vjet e gjysmë drejtuat QSUT. Ishte e vështirë të përballeshit me një fushë që nuk ishte tamam e juaja?

Po ju them një detaj interesant. Tema e Masterit që kam mbrojtur ka qenë lidhur me metodat e analizës analitike së nivelit të koagulimit të gjakut. Shpesh herë me shaka, e përmend këtë si pikëtakimin mes formimit tim akademik dhe detyrës që përmbusha në krye të institucionit më të madh shëndetësor në vend. Por përtej shakave, padyshim që vështirësia ishte shumë e madhe, në momentet e para kur mu ngarkua kjo detyrë. Vështirësia nuk buronte thjesht nga fakti që përballesha me një fushë që, siç thoni edhe ju, nuk ishte “tamam e imja”. Sepse sot, pas kësaj eksperience, e kam edhe më të fortë bindjen se për të drejtuar një institucion si QSUT, nuk duhet të jesh domosdoshmërisht mjek, madje do të shtoja që, e kundërta është e vërtetë. Në thelb, bëhet fjalë për menaxhim. Jo vetëm për shkak të eksperiencës personale, por duke marrë parasysh edhe përvojat më të mira botërore, e konsideroj të qenit menaxher i mirë, një prej elementeve kyçe për drejtimin me sukses të një institucioni siç është Qendra Spitalore Universitare Nënë Tereza. Menaxhim burimesh financiare, dhe mbi të gjitha, menaxhim i mirë i burimeve njerëzore, që në një institucion si QSUT, shpesh herë merr rëndësi primare. Kam pasur fatin të punoj me një staf mjekësh të jashtëzakonshëm dhe me mbështetjen e tyre, ne si ekip, ja kemi dalë t’i ndryshojmë faqe QSUT-së.

Cilat janë arritjet më të mëdha në krye të këtij institucioni? Keni ndonjë peng për atë që nuk është bërë?

Është e rëndësishme të kujtojmë si e gjetëm Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza 4 vjet më parë. Një treg i madh gjithfarësh, ku vetëm kujdes cilësor nuk ofrohej. Ditën e parë të punës e gjeta spitalin pa serume, sepse kompanitë nuk e furnizonin më QSUT-në, për shkak se borxhi që kishte lënë qeverisja e kaluar në total, kalonte 40 milion dollarë.

Ndërsa për gjithë shtetin ishin 720 milionë dollarë fatura të papaguara në sektorë të ndryshëm. Gjatë tre viteve e gjysmë jo vetëm përmirësuam ndjeshëm furnizimin me barna dhe materiale mjekësore por dhe dyfishuam citostatikët, barnat e shtrenjta që shërbejnë për pacientët që vuajnë nga sëmundjet tumorale.

Nuk mund të lë pa përmendur realizimin për herë të parë të urgjencës kardiake 24/7. Nëse do të shkojë në spital në vitin 2013 me një urgjencë kardiake në fundjavë, nuk do të merrje shërbim. Ne arritëm të ngremë shërbimin e urgjencës kardiake 24 orë, çdo ditë të javës, duke shpëtuar mijëra jetë njerëzish. Investuam në shërbime të reja si ai i urgjencës neurovaskulare nëpërmjet procedurave të reja mjekësore. Kemi bërë shumë për infrastrukturën e spitalit më të madh në vend. Sigurisht me mbështetjen e pakursyer të Qeverisë Rama. Vendosëm akseleratorin e dytë linear në QSUT, në spitalin onkologjik, duke përmirësuar radioterapinë.  Pajisjet mjekësore tashmë i janë nënshtruar një regjimi mirëmbajtjeje të plotë. Instaluam pajisje të reja si SPECT CT, një pajisje diagnosikuese unikale në Shqipëri (nuk ekziston as në shërbimin privat) e cila është shumë e rëndësishme për diagnostikimin në kohë të sëmundjeve tumorale, neurologjike, kardiake etj. Ndërtuam një Qendër të konsultave ambulatore moderne me një sistem prenotimi online për të lehtësuar qytetarët dhe për të shmangur sorollatjet në dyert e spitaleve.

A janë këto që kemi bërë mjaftueshëm për shërbimin që meritojnë shqiptarët? Sigurisht që jo. Kemi ende shumë punë për të bërë për shëndetësinë që duam. Për t’u kthyer te pyetja juaj, unë nuk kam pengje. Sepse jam e bindur se, jo vetëm në QSUT, por në të gjitha spitalet dhe qendrat tona shëndetësore, puna nuk do të ndalet këtu. Në mandatin tonë të dytë, do të ndërtojmë spitalin e ri të sëmundjeve të brendshme në QSUT si dhe do të zgjerojmë dhe rikonstruktojmë Pediatrinë, sipas standardeve europiane. Por nuk do të përqendrohemi vetëm në QSUT. Do të rrisim financimin publik për shëndetësinë deri në 65% në mandatin e dytë nga 43% që e gjetëm. Do të garantojmë shërbim të shpejtë dhe cilësor të urgjencës kombëtare në territor. Do të rrisim investimet në shëndetësi dhe do të ndërtojmë një spital të ri ekselence në Fier dhe 10 qendra shëndetësore të reja në të gjithë vendin në katër vitet e ardhshme.

Sigurisht infrastruktura është e rëndësishme, por qëllimi dhe angazhimi ynë madhor mbetet mbulimi shëndetësor universal për çdo shqiptar, pavarësisht mundësisë apo pamundësisë për të paguar. Ne do realizojmë brenda mandatit të ardhshëm mbulim shëndetësor universal të aksesueshëm dhe shërbime falas për qytetarët.

Gjatë kohës që takoni banorët në terren, njiheni edhe me problematikat e tyre. Cilat janë ato më shqetësuese dhe çfarë programi ka PS për zgjidhjen e tyre?

Në takimet e mia të përditshme nuk përpiqem të flas vetëm për ato që do të bëjmë, apo ato që kemi bërë deri më sot, të cilat siç e thashë janë shumë, dhe shumë më tepër do të jenë në mandatin tonë të dytë. Përpiqem të ndaj me ta hallet dhe problemet që kanë, të diskutojmë për mënyrat e zgjidhjes.

Kryeministri Edi Rama dhe Partia Socialiste, në fillimet e mandatit të parë, nuk premtoi që do të ndërtonte parajsën mbi tokë brenda një mandati. Do të ishte gënjeshtër dhe askush nuk do ta besonte. Ne nuk premtuan që me një shkop magjik do t’u jepnim fund halleve. Dhe unë konstatoj që qytetarët janë të vetëdijshëm për këtë. Në takimet me ta unë perceptoj besim, dhe një rikthim të shpresës. Them rikthim të shpresës, sepse në 27 vite tranzicion rraskapitës, shpresa u kishte humbur. Ndërsa besimi i tyre buron sepse ata vetë janë dëshmitarë të përpjekjeve të mëdha që janë bërë këto katër vite për të ndryshuar gjendjen e tyre.

Aty ku gjetëm një Shqipëri ku rritja ekonomike ishte ndalur në vend, qeveria e Partisë Socialiste e trefishoi rritjen ekonomike. Aty ku gjetëm në Shqipëri me financa të rrënuara, ne vumë nën kontroll borxhin publik. Aty ku gjetëm një shtet të zhytur në borxhe, ne shlyem plot 720 milion dollarë borxhe.

Aty ku gjetëm një skemë pensionesh të dështuar, ne e shpëtuam nga falimentimi dhe sot, me shtimin e 200 mijë kontribuuesve, e kemi kthyer në një model suksesi. Aty ku gjetëm një sistem energjetik të rrënuar, ku vjedhja ishte kthyer në sistem, ne po ngremë nga themelet një sektor energjetik që nuk është më barrë mbi shpatullat e shtetit, por një e mirë publike për qytetarët.

Aty ku gjetëm institucione që e kishin humbur besimin e qytetarëve, një Shqipëri me shërbime publike të dështuara ne premtuam një shtet në shërbim të qytetarëve. Aty ku gjetëm një Shqipëri ku varfëria ekstreme ishte shtruar këmbëkryq, në tre vjet e gjysmë u dhamë mundësi punësimi 180 mijë shqiptarëve.

Ndoshta u zgjata, por janë me të vërtetë shumë ato që qeverisja socialiste ka bërë gjatë katër viteve të fundit, ashtu sikurse ne të parët jemi të vetëdijshëm se nuk kemi bërë gjithçka që do të kishim dashur dhe do të kishim mundur të bënim. Ashtu siç jemi të vetëdijshëm për sa kemi për të humbur, nëse në 25 qershor, shqiptarët nuk i japin një mandat të qartë Partisë Socialiste për të çuar përpara reformat edhe në mandatin e dytë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje