Gjiknuri e Malaj takojnë studentë të ekselencës: Të kthejmë Vlorën në qendrën më cilësore të arsimit

18 Qershor 2017, 09:15Politika TEMA

Drejtuesi politik i Partisë Socialiste në Qarkun e Vlorës Damian Gjiknuri dhe kandidatja për deputete Vilma Bello, e cila vjen nga bota akademike, zhvilluan një takim me nxënës dhe studentë të ekselencës. I ftuar i veçantë në këtë bashkëbisedim ishte profesori e njëkohësisht ish-ministri i Financave Arben Malaj ndërsa mori pjesë edhe Kryebashkiaku Dritan Leli.

Kandidatja Bello u ndal tek reformat e ndërmarra në arsim gjatë këtyre katër viteve të drejtimit të qeverisë nga Partia Socialiste.

“U bë një punë e madhe për të shmangur ato universitete që kishin një falsitet të jashtëzakonshëm të diplomave. Prindërit kishin investuar por vlera e diplomave nuk ishte ajo që studentëve u duhej. Reforma ka ndikuar mjaft në atë që diplomat sot dhe vlera e diplomës së studentëve që dalin është më dinjitoze dhe me një përballje më të drejtë me realitetin në të cilin ju do të punoni”, u shpreh Bello.

Duke vlerësuar potencialin që mbart brezi i ri në një qytet universitar si Vlora, profesori Arben Malaj premtoi se pas fushatës zgjedhore do të angazhohet për një strategji specifike.

“Ne do të diskutojmë pas fushatës, sepse edhe unë kam detyrimet e mira shumë mirënjohëse. Të shohim se si mund të kemi një bërthamë të një grupi vlonjatësh nga të gjitha përfaqësimet që të mund të bëjmë një strategji specifike për ta kthyer Vlorën qendrën më të madhe dhe cilësore të arsimit”, premtoi Malaj.

Drejtuesi politik i Qarkut të Vlorës Damian Gjiknuri tha se ka ndërmarrë tashmë një iniciativë për ti ardhur në ndihmë Universitetit të Vlorës.

 “Unë personalisht kam ndërmarrë një iniciativë që dua ti vi në ndihmë Universitetit të Vlorës. Lidhet me hapjen e një qendre për trajnim për naftën dhe gazin, duke përfituar nga disa fonde që kemi nga projekti TAP për asistencën teknike dhe trajnimin e specialistëve për industrinë e gazit në të ardhmen”, theksoi Gjiknuri.

Më tej, ai u ndal edhe tek idea për krjimin e një institute ndërkombëtar për studimet detare.

“Interesi është i madh dhe paratë janë. Qeveria shqiptare dhe Bashkia do të vënë në dispozicion një objekt shtetëror për tu bërë e mundur për të krijuar një institut ndërkombëtar për studimet detare”, nënvizoi Gjiknuri.

Nga ana e tij, Kryebashkiaku Leli tha se studentët e ekselencës do të përfshihen në vlerësimin finanicar të Bashkisë.

“Ka qenë dëshirë e imja dhe shpresoj ta bëj realitet, në buxhetin e vitit të ardhshëm të Bashkisë së Vlorës që studentët dhe nxënësit e ekselencës të përfshihen në vlerësimin financiar të Bashkisë së Vlorës me mundësi që bashkia ka ajo ofrojë”, tha Leli.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje