Qasja e kësaj fushate elektorale te publiku është ajo e tre dimensioneve të lidhura pas mënyrës se si secila parti e lider, ka zgjedhur të komunikojë publikisht, tre dimensione diametralisht të ndryshme nga njëra tjetra.
Në njërën anë qëndron Lulzim Basha, që refrenin për qeverinë e inkriminuar të Ramës e zëvendësoi gradualisht me mesazhin që po dominon në takimet e tij: “Planin e PD e mbështet edhe Trump”.
Me përpjekjen për të treguar se gëzon një mbështetje nga jashtë dhe përdorur këtë si kartë për besueshmërinë dhe vlerën e programit të tij, Basha në fakt po reflekton boshllëkun që ka në modelet, dëshmitë, provat, me të cilat mund të legjitimojë aftësitë e tij në vendimarrje.
Fjala vjen, nuk kemi dëgjuar prej tij shembuj pozitivë, qoftë shembuj nga qeverisja demokrate ku ai ka shërbyer si ministër, qoftë si kryebashkiak. Zero mesazhe me dëshmi që mund të lartësonin produktin e tij politik. Lulzim Basha, nëdiskursin e tij publik, e ka varrosur profilin e tij politik të kohës para se të bëhëj kryetar i PD. Nuk përmend as suksese, as dështime, aq më pak të bëjë “mea culpa”.
Ky është rasti i parë i një politikani që në fushatë elektorale, flet vetëm për gabimet e kundërshtarit, por nuk di si të legjitimojë pse është në gjendje të jetë më i mirë se kundërshtari. Ndoshta për elektoratin do të ishte më bindëse nëse nga Basha do të dëgjonte një vepër që e bën atë të ndihet krenar për qënien e tij në politikë, se sa mesazhi për mbështetje nga Trump. Mbështetje që Basha nuk e legjitimon me asgjë tjetër, veç një fotoje me presidentin amerikan.
Ndërsa, Ilir Meta, është zhveshur nga aura e sloganit të gjetur “me qetësi dhe dashuri”. Pas staturës artificiale të burrit të urtë, që qëndronte midis palëve, në pritje të kolltukut presidencial, tani kemi një politikan çdo ditë e më tëpër agresiv, kundër palëve, me mesazhe që tejkalojnë jo vetëm qetësinë dhe dashurinë, por edhe etikën e një presidenti të zgjedhur që duhet të përçojë frymën e unitetit të popullit.
Komunikimi i tensionuar i Ilir Metës dhe thirrjet për armatosje të popullit, serioziteti me të cilën i drejton, nuk janë thjesht një shkujdesje emocionale e ngarkesës elektorale, por thirrje me të cilat kërkon të luftojë kundërshtarët e tij politikë, që sipas tij, po kërkojnë të dëmtojnë LSI-në përmes dhunës së ushtruar ndaj militantëve të saj. Tingëllon e rrezikshme nga goja e një presidenti të popullit që të nxisë “luftën”.
Dimensioni i egër, i dhunshëm dhe imponues i Ilir Metës është ana e errët e kësaj fushate, një format i paprecedent politik, ku në vend të premtimeve e programit për qytetarët, dominojnë kërcënimet për kundërshtarët. Pavarësisht sa i mirëstrukturuar dhe me këmbë në tokë mund të jetë ndoshta programi i LSI, ajo që percepetohet në psikën e qytetarëve nga partia e Ilir Metës, është tensioni që transmeton ky i fundit në daljet e tij publike.
Edi Rama duket se kërkon të bindë elektoratin se qëndron mbi karagjozllëkun e Bashës për mbështetjen e Trump dhe frymën përçarëse të Ilir Metës, shumë më tolerant ndaj agresivitetit të këtij të fundit, duke reflektuar një përpjekje për ta distancuar veten nga formati i rrezikshëm ku e ka futur veten Meta.
Rama shfaqet më i fokusuar te raporti dhe forcimi i lidhjes me votuesit, duke e vendosur këtë raport në një sfond patriotik, kur flet për vota kuqezi për Shqipërinë që duam, jo pushtet për të ndarë tepsinë. Rama, ka dalë nga kurthi i një rrethi të mbyllur mes tre personazhesh që tallen, akuzojnë, kërcënojnë njëri tjetrin, rreth që tradicionalisht ka karakterizuar fushatat tona dhe e drejton timonin në këtë rast, nga qytetari, duke ia dedikuar atij raportin e kësaj fushate. Nuk është as midis të dyve, por mbi të dy.
Ndryshe nga Basha, ruan fort lidhjen me përgjegjësinë e tij, sepse bën një “mea culpa” për çfarë nuk mundi të bënte dot në 4 vjet për shkak të sistemit të tepsisë që ushqen partitë. Nga kjo “mea culpa” lind raporti që ai po do të ndërtojë me qytetarin. Nuk e injoron qytetarin me mesazhe imponuese si dy të parët.
Formati politik i tij është i paprecedentë, sepse në vend që të ruajë statusquo-të, po kërkon të emancipojë shqiptarët dhe politikën, me idenë se nuk ka kuptim militantizmi partiak, kur një parti nuk përmbush rolin e saj madhor, shtet-bërjen.
“Mbi të majtën e të djathtën është Shqipëria, është flamuri i Skënderbeut dhe Ismail Qemalit, janë fëmijët e Shqipërisë pa dallim. Prandaj të majtë e të djathtë të votojmë kuqezi në 25 qershor për PS”.- është thirrja e tij e përsëritur.
Ai po del mbi mendësinë tradicionale të lidhjes së vërbër me partinë edhe kur ajo nuk bën asgjë për komunitetin dhe shtetin. Me thirrjen e tij të dashurisë ndaj Shqipërisë, mbi dashurinë për partinë, Rama po kërkon të zhbëjë mentalitetin që ka ushqyer rolin e partive politike si zgjidhja e halleve personale për individin, por jo si mekanizma të një sistemi publik të përbashkët, që funksionon për të gjithë njësoj.
Nëse qëllimi emancipues i kryeministrit ende në detyrë, është i vertetë apo vetëm një strategji e mirëmenduar, mbetet për tu provuar në rast se ai do të arrijë të marrë edhe një mundësi të dytë nga qytetarët shqiptarë.