Londër, rreziku nga zjarret,  evakuohen banorët e disa pallateve të ngjashme me kullën Grenfell Tower

24 Qershor 2017, 16:39Bota TEMA

Banorët e më shumë se 700 banesa në zonën e Vilave Zvicerane në Londrën veri-perëndimore janë evakuuar për shkak të shqetësimeve të sigurisë ndaj zjarrit.

Këshilli i Camden u shpreh se banorët u zhvendosën për t’i hapur rrugë punimeve emergjente të sigurisë ndaj zjarreve.

Këshilli gjithashtu shtoi se për këta persona po rezervohen hotele por rreth 100 banorë e kanë kaluar natën në shtretër me ajër të vendosur në një qendër për kohën e lirë.

Mbulesa e jashtme e ndërtesave në këtë bllok banimi ka rezultuar të jetë e ngjashme me atë të Kullës Grenfell në Londrën perëndimore, ku zjarri i disa ditëve më parë mendohet të ketë vrarë 79 persona.

Chalcots u rinovua në vitet 2006-2009 nga e njëjta firmë që mbikëqyri punimet në Kullën Grenfell.

Sipas Këshillit të Camden, veshja e jashtme termale në 5 kullat e banimit të zonës do të hiqet, ndërkohë që ekzistojnë shqetësime edhe për izolimin e tubave të gazit që shkojnë në apartamente si dhe për dyert rezistente ndaj zjarrit.

Vendimi për evakuimin erdhi pasi shërbimet zjarrfikëse raportuan në Këshillin e Camden se nuk mund të garantohej siguria e banorëve në këtë bllok.

Punimet për sigurimin e zonës do të kërkojnë disa javë për t’u përfunduar, ndërkohë që qeveria është zotuar të ofrojë gjithë mbështetjen e duhur për banorët dhe zyrtarët që po punojnë në këtë bllok.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje