Vetëm 15 tifozë e pritën Interin në dyert e Pinetinas, për ditën e parë të përgatitjeve të zikaltërve. 25 lojtarët e grumbulluar kryen kontrollet mjekësore, si edhe takuan trajnerin e ri, Luciano Spalletti dhe stafin e tij.
Skuadra nuk ka ndryshuar, pasi ende nuk është afruar ndonjë emër i madh në merkato. Pavarësisht punës së rëndësishme përsa i takon largimeve, që i lejoi skuadrës të respektojë regullat e “Fair Play Financiar” pa sakriikuar Perisic apo titullarët e tjerë, Interi mbetet në vend.
Në grumbullim nuk u paraqitën 13 lojtarë, pjesa më e madhe lojtarë të ekipeve kombëtare, ndërsa mes atyre që munguan ishin edhe blerja më e re Skriniar dhe Gabigol, me klubin që shpreson se braziliani do të pranojë propozimet për tu huazuar në një tjetër skuadër.
Përsa i takon përforcimeve, në skuadër janë në pritje të Borja Valeros. Interi synon që në këtë fillim sezoni të afrojë të paktën 8 lojtarë të rinj, nga të cilët pjesa më e madhe do të jenë titullarë.
Nga Vidal te Nainggolan, për të vazhduar me N’Zonzi apo edhe Douglas Costan. Por, shqetësimi më i madh është mbrojtja, e cila duhet riformatuar. Objektivi kryesor në repartin difensiv është Marquinhos i Paris Saint Germain apo edhe Dalbert i Nice. Mes shitjeve dhe blerjeve, grupi Suning është gati të shpenzojë 150 deri më 200 milionë euro, për të ndërtuar një Inter konkurrues në kampionat dhe për tu rikthyer në kupat e Europës.