FOTOT/ Shqipëria tjetër: E bukur, por e varfër dhe në mëshirë të fatit

12 Korrik 2017, 10:32Sociale TEMA
FOTOT/ Shqipëria tjetër: E bukur, por e varfër dhe në

Shqipëria është një vend i bukur.

Por, edhe shumë i varfër.

Këtë gjë e tregojnë edhe këto foto të postuara nga Arbër Kadia, që në një intervistë për Dita, tregon se si është Shqipëria jashtë Tirane.

Kam parë një Shqipëri të sinqertë. Kam parë një Shqipëri urbane e cila edhe aty ka nënndarjet e saj ku Tirana është një sui generis i vërtetë. Kryeqyteti bën një tentative individuale për t’u bërë më evropiane (por që për mua është një qasje që e largon ndaj vlerave reale shqiptare) Ndërsa në qytetet e tjera kam parë vendbanime mësëshumti të varfra qoftë në mjete financiare, por edhe mundësi të tjera. Ndërsa Shqipërinë e vërtetë që mban markën Shqipëri e kam parë në zonat rurale të cilat nuk janë impaktuar nga rendja për pasuri me të gjitha mënyrat. Në këtë sinqeritet dallohet thjeshtë tradita dhe zakonet të cilat i japin formën e karakterit të vendit ku jetojnë këta njerëz”, thotë ai, ndërsa ka shëtitur në zona të ndryshme të vendit, si pasojë e një projekti.

Më kujtohet një plak 83-vjeçar i cili kishte prerë me kosë 1 dynym tokë të mbjellë me jonxhë të cilit i kam publikuar një foto në fshatrat e Korçës. Më pyeti pasi bëra shkrepjen e parë se për çfarë e doja foton dhe i tregova që më pëlqente puna e tij si dhe më kujtonte gjyshin të cilin nuk e kam më. Më tha (qesh) “Ore po pse s’të vjen turp? Po e deshe për diçka të tillë pse s’më the të pozoj siç i ka enda” dhe vuri kosën në shpatull dhe pozoi gjithë solemnitet. Kjo më ndodhë në më të shumtën e kohës. Njerëzve i bëhet qejfi t’i fotografosh pasi punën e kanë për krenari dhe po t’i pyesësh nuk druhen ta tregojnë veten ashtu si janë. Ajo që kam vënë re është se ata nuk kanë qejf të ankohen pasi janë krenarë dhe të sinqertë. Sidoqoftë kur i pyet për vështirësitë e tyre në fshat nuk ngurojnë të të tregojnë si i kanë hallet dhe problemet të cilat po nuk jetove me ta nuk i kupton dot”, tregon Arbri.

“Ajo çka më ka bërë shumë përshtypje është që teknologjia bujqësore dhe blegtorale në këto vende i përket akoma shekujve më parë. Toka siç e dimë është shumë e fragmentuar dhe nuk bën sens ekonomik për të patur të ardhura që shkojnë përtej mbajtjes së frymës. Kam bërë një foto vetëm dje të një kali rrace shqiptare që kishte të ngarkuar në samar dhe një parmendë të vogël mbi të. Do të doja të thoja që ky është rasti i vetëm, por nuk është kështu përveç parmendave të shumta që shpesh tërhiqen nga gomerë, shihen shumë makineri kineze, çeke edhe gjermane të shekullit të kaluar që janë ë shërbim të këtij sektori. Jo vetëm këto makineri janë shumë të vjetra dhe me efiçencë të ulët por ato janë të pasigurta dhe më ka qëlluar shpesh të shqetësohem seriozisht për njerëzit që i përdorin ata. Mungesa e rrugëve dhe infrastrukturës në përgjithësi janë halli më i madh që lokalitet më të thella kanë. Për t’iu kthyer pyetjes tënde këta njerëz e gjejnë veten në një luftë konstante për të siguruar bukën e përditshme pasi prodhimi i tyre bujqësor (në shumicën e rasteve) mjafton sa për të mbajtur frymën”, tregon ai për gazetaren Entela Resuli.

Shqipëria rurale është më e sinqertë dhe si e tille s’ka nevojë të impostohet dhe të jetë peng i presionit social që vjen nga bota virtuale dhe shtysa për “modernizim”. Kjo Shqipëri e ka më të thjeshtë kërkesën për jetën. Këta njerëz kërkojnë që të kenë të garantuar infrastrukturën bazë pasi për gjithçka tjetër janë të gatshëm të punojnë vetë. Këtë e kam parë mësëshumti në zona ku këto nevoja janë zgjidhur, si për shembull Korça ku fshatra të tërë janë duke jetuar e gjithnjë e më shumë me frytet e punës së tyre larg presioneve që shkakton realiteti politik shqiptar”, vijon ai.

1 komente në “FOTOT/ Shqipëria tjetër: E bukur, por e varfër dhe në mëshirë të fatit”

  1. albaniafirst says:

    Shqiperia ka nje terren malor qe duke shtuar dhe fragmentimin e tokes nen pronesi te ndryshme e ben te pamundur futjen e makinerive moderne te bujqesise. Nga ana tjeter duhet thene se nuk ka shume rendesi se cfare makinash perdoren, e rendesishme eshte se njerezit I jane kthyer punes. Modernizimi vjen me vone dhe ne varesi te kushteve ekonomike dhe atyre gjeografike.
    Nga ana tjeter, varferi ka ne cdo vend, edhe ne ato qe jane vende te pasura. Kanadaja apo Amerika, ka zona qe kasollet qe tregohen ketu jane vila ne krahasime me ato qe shihen atje. Me kete nuk dua te them se ne jemi me mire se Kanadaja apo Amerika, por sic e them edhe me lart, e rendesishme eshte qe njerezit ne Shqiperi I jane kthyer punes dhe vetem me pune ecet perpara dhe krijohet mireqenia. Latinet thone: Roma nuk eshte ndertuar ne nje dite. E rendesishme eshte qe te vazhdojme ne rrugen qe kemi nisur. E ardhmja do jete me e mire per brezat e rinj. Per kete nuk kam asnje dyshim.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje