Lufta ndaj terrorizmit, DASH vlerëson Shqipërinë

19 Korrik 2017, 21:24Kronika TEMA

Departamenti amerikan i Shtetit ka publikuar këtë të mërkurë raportin për terrorizmin për vitin 2016, në të cilin vlerëson përpjekjet dhe kontributin e Shqipërisë në luftimin e këtij fenomeni.

“Shqipëria ka qenë një mbështetesë e fuqishme e luftës kundër terrorizmit në vitin 2016 dhe vazhdoi pjesëmarrjen e saj në radhët e Koalicionit Global për mposhtjen e ISIS, duke bërë donacione të shumta armësh dhe municionesh”, thotë raporti.

Dokumenti zyrtar citon rastin e datave 4 dhe 5 nëntor të vitit të kaluar, kur një operacion i mirëkoordinuar në nivel rajonal çoi në arrestimin e 4 individëve në Shqipëri.

“Operacioni parandaloi një sulm potencial terrorist që do të kryhej gjatë ndeshjes Shqipëri-Izrael, e vlefshme për Kupën e Botës, që do të luhej në Shkodër më datë 12 nëntor”, vijon raporti.

Departamenti i Shtetit vlerëson edhe faktin se të arrestuarit u akuzuan për mbështetje financiare dhe logjistike të ISIS, për rekrutim të luftëtarëve dhe për promovim të fjalimeve të urrejtjes.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje