Dështoi marrëveshja me Gegën, Milinkoviç pranë firmës me Kukësin

26 Korrik 2017, 16:28Sport TEMA

Rrufe në qiell të pastër te Kukësi. Kur mendohej se në stolin e kampionëve të Shqipërisë do të ulej Skënder Gega, ky i fundit ka vendosur që të mos nënshkruajë kontratën me Kukësin për të zënë vendin e lënë bosh nga Ernest Gjoka.

Vendimi është marrë nga Gega, i cili ka njoftuar sot klubin se nuk dëshironte të fillonte bashkëpunimin me ta, edhe pse ishte gjetur gjuha e përbashkët prej disa ditësh. Nuk dihet se sa ka ndikuar në këtë çështje deklarata e lëshuar një ditë më parë nga presidenti Gjici që trajnerët shqiptarë nuk kishin profesionalizmin e duhur për të bërë hapa para në arenën ndërkombëtare.

Por duket se edhe verilindorët kanë qenë deri diku gati për një lëvizje të tillë pasi paralelisht me Gegën, kanë qenë në bisedime edhe me Mlladen Milinkoviç.

“Panorama Sport” ka mësuar se trajneri që drejtoi Luftëtarin një sezon më parë është shumë pranë firmës me verilindorët. Menaxheri i tij ka qenë në kryeqytet dhe ka zhvilluar bisedime konkrete me drejtuesit e Kukësit, ndërsa mbeten për t’u saktësuar vetëm disa detaje para zyrtarizimit të marrëveshjes.

E vetmja pengesë konkrete mbetet kontrata e tij me Luftëtarin. Nëse Milinkoviç do të arrijë të shkëputet nga gjirokastritët pa nisur një luftë të mirëfilltë mes klubeve, atëherë Gjici është gati t’i besojë skuadrën, përndryshe do të kërkojë një tjetër teknik nga jashtë Shqipërisë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje