Kukësi kundër Gegës, sqaron situatën për trajnerin e ri

27 Korrik 2017, 12:12Sport TEMA

Klubi i Kukësit ka reaguar së fundi me një deklaratë zyrtare, ku sqaron çështjen e trajnerit të ri. Më tej, klubi verior mban qëndrim ndaj trajnerit Skënder Gega, duke e quajtur sjelljen e tij jo profesionale.

Ja deklarata e plotë e klubit verior: “F.K.Kukësi është në procesin e shqyrtimit të kandidaturave për postin e ri të trajnerit të ekipit dhe po ndjek më vëmendje CV-të dhe projektet që kanë trajnerët, të cilët si objektiv të padiskutueshëm kanë daljen kampion.

Në shtypin e ditës dhe në rrjetet sociale ka një furi lajmesh të pavërteta për emra trajnerësh dhe largime apo afrime lojtarësh, por klubi nuk ka ndërmend të merret shumë me këto gjëra, por me projektin madhor të një klubi që ka si synim fitimin e titullit.

Trajner te Kukësi nuk mund të bëhet askush nëpërmjet mediave apo rrjeteve sociale, por me projekte serioze dhe objektiva të qarta.

Sa i përket kandidaturës së z. Skënder Gega, mund të sqarojmë opinionin publik se nuk ka patur asnjë akord me të nga ana e klubit.

Klubi, që tashmë ka përvojën dhe suksesin e duhur dhe nuk është ndalur asnjë minutë në punën serioze të forcimit të ekipit dhe riformatimit të një klubi kampion, po shqyrton pa ngutje projekte më të mira që po sjellin kandidatët për trajner, ku kërkohen objektiva të qartë për marrjen e trofeve. Gjithashtu sigurojmë tifozerinë tonë që të ketë besim te klubi dhe të mos bie pre e informacioneve të gabuara që japin mediat apo dhe individë të caktuar, të cilët nuk janë më pjesë e Kukësit, ose bëjnë lojën e ekipeve të tjera duke përmendur emrin e Kukësit për të rritur pazaret e tyre dhe për të ricikluar emrin e tyre, ndoshta të harruar, ndërkohë që klubi ynë nuk i ka në planet e veta.

Kukësi është projektuar për kampion. Historia jonë në futbollin shqiptar dhe atë evropian është një perlë dhe jo vetëm në Shqipëri, por edhe më gjerë. Normalisht që posti i trajnerit dhe stafit që ai përzgjedh do të peshohet mirë përpara se të vendoset.

Presidenti Gjici nuk është ndalur dhe nuk do të ndalet në punën e tij për të mbështetur ekipin dhe tifozerinë, që së bashku sërish të jemi elita e futbollit shqiptar.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje