Investimi në 22 rrugë në Shkozë/ Veliaj: Kush votoi për punën, punë do të marrë

28 Korrik 2017, 12:04Sociale TEMA
Investimi në 22 rrugë në Shkozë/ Veliaj: Kush votoi për

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, inspektoi fillimin e punimeve për ndërtimin e 22 rrugëve të bllokut që kufizohet nga Rr. “Bashkim Kodra” – “Shkretëve” – “Shpëtim Zajmi” – “Spahiu” – “Ali Shefqeti”, në zonën e re të Shkozës. Duke u ndalur te ky investim i rëndësishëm për këtë pjesë të qytetit, Veliaj tha se është një tjetër premtim i mbajtur, duke siguruar qytetarët se Bashkia e Tiranës është e fokusuar tek puna.

“Jam i lumtur sepse isha këtu ditën e fundit të fushatës dhe gjithmonë njerëzit kanë atë skepticizmin dhe thonë: A do të kthehen ndonjëherë?! Më vjen mirë që një muaj më pas kthehemi po te kjo zonë me një investim të filluar, me një premtim të mbajtur brenda muajit, për të siguruar çdo njeri, që kush votoi për punën, punë do të marrë, kush votoi për llafet dhe për gjumin gjumë, do të marrë llafe. Ndaj, besoj që kemi bërë vendimin e duhur”, tha ai.

Veliaj vlerësoi ritmin e punimeve në këtë zonë dhe siguroi se me këto ritme do të vazhdohet gjatë gjithë verës. “Po shfrytëzojmë maksimalisht kohën që njerëzit janë me pushime për t’u siguruar që kur ata të kthehen nga pushimet, t’i gjejnë gjërat të përfunduara. Po investojmë në një hapësirë e cila është zhvilluar e gjitha pas viteve ’90. Siç e shikoni vetëm pak metra më tej është kufiri i Tiranës së vjetër me Tiranën e Re, ku janë rreth 2500-3000 banorë, e për herë të parë fusim një investim”, u shpreh Veliaj. Investimi në këtë bllok, ku mbizotërojnë ndërtime të realizuara pas viteve ’90, parashikon sistemimin e rrjetit të ujësjellës-kanalizimeve, trotuare, shtresa asfalti, ndriçimin si dhe pajisjen me të gjithë sinjalistikën e nevojshme duke përmirësuar ndjeshëm cilësinë e jetës për banorët.

“Dua t’i ftoj të gjithë qytetarët, jemi akoma në situatë krize, ju lutem kurseni ujin e pijshëm. Nëse përdoret në mënyrë të panevojshme, praktikisht kemi lënë pa ujë dikë tjetër në një cep tjetër të Tiranës. Ndaj të jemi ende vigjilentë. Shumë njerëz e harrojnë që uji që del nga çezma apo nga shërbimet higjieno-sanitare në shtëpi, duhet të derdhet diku. Kështu, për herë të parë në këtë zonë po bëjmë edhe kanalizimet. Nga një zonë ku kanalizimet më përpara derdheshin në rrugë, sot kemi marrë përsipër edhe këto investime”, theksoi Veliaj.

Por, nisur edhe nga temperaturat e larta dhe rreziku për zjarre, kreu i Bashkisë u bëri thirrje banorëve që jetojnë në zonat përreth Tiranës që të bëjnë kujdes, ndërsa kërkoi që të sinjalizojnë sa më parë çdo rast, pasi kështu mund të shmangen dëme të parikuperueshme në pyje dhe pronën e banorëve. “Zjarrfikësit tanë po bëjnë një punë heroike, ama nga ana tjetër, burimet tona janë të kufizuara. Nëse për të liruar 20m2 tokë për bahçe, dikush djeg 24 hektarë pyll, bën një dëm të jashtëzakonshëm. Ndaj i lutem të gjithëve të tregojnë kujdes, të telefonojnë 112 nëse ka probleme me zjarrin. Shteti sigurisht që duhet të mbajë përgjegjësitë e veta, por shteti nuk mund të jetë kudo i pranishëm nëse qytetarët vetë dëmtojnë pronën publike ose nuk tregojnë gatishmëri në rast rreziku dhe nevoje”, përfundoi Veliaj.

3 komente në “Investimi në 22 rrugë në Shkozë/ Veliaj: Kush votoi për punën, punë do të marrë”

  1. Pallati 22 says:

    Urime Erjon!
    Te pergezojme per cdo pune qe beni.
    Nje pyetje: Kur do merreni edhe me rrugicen e Pallatit 22 ne Rrugen “Sami Frasheri” (sot “Deshmoret e 4 Shkurtit”)?

  2. Che Guevara says:

    Bravo lal Eri se po i mban premtimet me mashtrime!
    Po ndertoke 22 rruge ne Shkoze qe ka 2000 banore,ndersa ne Yzberish(KMY) qe ka 50 mije banore akoma nuk ke ngulur nje gozhde!
    Ku i ke cuar qindra milionat, qe banoret e Yzberishit paguajne cdo muaj ne faturat e ujit per pastrimin,gjelberimin dhe arsimin?
    Ne Yzberish nuk ekziston asnje cerdhe apo kopesht shteteror,nuk keni mbjelle si Bashki ASNJE PEME,se per lu7le nuk behet fjale!
    Jo 22 rruge, sa po beni ne Shkoze,por vetem nje rruge te kishit shtruar ne Yzberish,do te ishit nderuar!
    Nuk e kuptojme pse na trajtoni si GETO,apo mos valle banoret e zonave ku ndertoni ju japin miliona RYSHFET?
    A keni plan 4 vjecar investimesh si Bashki?
    Ne se po,pse nuk e shpallni,se e keni detyrim kushtetues dhenien e informacionit qytetareve?

  3. Genti says:

    Do ishte mire besoj qe te vononit ndonje nga keto rruge e te perdornit ca klor organik per pusetat e rrugeve qe kundermojne e ndoshta sjellin ndonje epidemi se lanen u pa puna do e “durojme”!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje