Krasniqi replikon me Starovën: Jo çdo ndeshje fitohet me mbrojtje

1 Gusht 2017, 17:15Sport TEMA

Mbrojtësi Gëzim Krasniqi është optimist për të ardhmen e Partizanit dhe ka besim se ndryshimet e bëra në kullën drejtuese mund të sjellin ndryshimin e shumëpritur.

Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, Krasniqi ka edhe një përgjigje për ish-trajnerin Starova, i cili, pas eliminimit të ekipit në Europë, tha se Partizanit i duhet një qendërmbrojtës, pasi Atanda, Malota dhe Krasniqi kanë gabuar shumë gjatë sezonit. Ndërsa mungesën e derbit, mbrojtësi e shikon më shumë te tifozët, pasi për lojtarët të gjithë rivalët janë njëlloj.

Gëzim, Partizani ka emëruar trajnerin e ri. Si e shikoni afrimin e Mark Iulianos në krye të pankinës së kuqe?

Për trajnerin kemi dëgjuar që punon mirë. Shpresoj që të kemi një bashkëpunim të mirë si skuadër për objektivin e klubit. Të gjithë presin ndryshimin e madh te Partizani, ndaj le të besojmë se ky është sezoni i duhur për të bërë diferencën.

Ish-trajneri Starova, pas eliminimit nga Liga e Europës, ka pasur rezerva të mëdha për tre qendërmbrojtësit, duke përfshirë edhe ju. Keni ndonjë koment për fjalët e ish-trajnerit?

Për sa u përket kritikave të ish-trajnerit, nuk e kuptova pse ka përmendur emra, pasi ka qenë ai i pari që thoshte se kur humbim, humbim të gjithë, kur fitojmë, fitojmë të gjithë.

Mbrojtja e Partizanit doli më e mira e Superiores, jo vetëm në sezonit e fundit, por edhe në kampionatet e mëparshme. Ndaj nuk e kuptoj se çfarë ka dashur të thotë Starova me këtë. Jo çdo ndeshje fitohet me mbrojtje.

Starova, gjithashtu tha se ekipi e ka të nevojshme të përforcohet me një qendërmbrojtës. Një lojtar i tillë ju tremb apo e shikoni si një motiv për t’u përmirësuar?

Besoj që trajneri i ri që ka ardhur do të bëjë lëvizjet e duhura. Skuadra jonë e ka organikën dhe jemi një grup që luajmë bashkë prej 3 sezonesh. Kushdo që do të vijë, pavarësisht çfarë pozicioni luan, thjesht rrit konkurrencën në skuadër. Sa i përket pjesës sime, e kam shprehur shpesh: çdo qendërmbrojtës është i mirëpritur në ekip dhe ardhja e tij nuk më tremb, por më gëzon, pasi më pëlqen konkurrenca.

Ekipi pushon që pas eliminimit nga Liga e Europës, mos ndoshta do të ndikojë për keq kjo pauzë kaq e gjatë në sezonin e ri?

Kemi pasur shumë nevojë për një pushim të tillë, pasi dihet që ekipi ka qenë në aktivitet të vazhdueshëm në dy vitet e fundit dhe pushimet i kemi pasur të limituara. Të jem i sinqertë, kemi kohën e mjaftueshme për t’u përgatitur dhe për të qenë gati për sezonin e ri.

Çfarë duhet të bëjë Partizani që të mos përsërisë gabimet e së shkuarës për të shkuar te titulli kampion?

Besoj që stafi teknik do të bëjë lëvizjet e duhura për të plotësuar grupin. Ekipi ka nevojë për 2-3 afrime cilësore, sidomos në repartin sulmit, pasi aty kemi pasur edhe largimet më të mëdha. Ndaj me këto lëvizje gjithçka do të jetë në rregull për mendimin tim.

Superiores do t’i mungojë këtë vit derbi i kryeqytetit, ju si lojtar si e si e mendoni këtë sezon pa duelet ndaj Tiranës?

Derbi është më shumë i ndjeshëm për tifozët, pasi një fitore në ndeshje të tilla shijon shumë. Ndërsa për ne lojtarët nuk përbën ndonjë ndryshim të madh, pasi të gjitha skuadrat i konsiderojmë si kundërshtarë të njëjtë.

Sa u përket tifozëve, me këtë rast dua ta theksoj sërish, se ne kemi mbështetësit më të mirë dhe këtë gjë ata do ta tregojnë edhe në sezonin e ri, ashtu siç kanë bërë gjithmonë. Ata janë lojtari i 12-të i ekipit dhe një motiv më shumë për fitore.

Nga lëvizjet që kanë bërë deri tani klubet e tjera në merkato, kë shikoni si rivalin kryesor të Partizanit për trofe?

Skënderbeu po ecën mirë në Europë. Po luan shumë mirë dhe i uroj fat dhe të shkojë në grupet e Ligës së Europës. Në kampionat rivalët tanë kryesorë janë Kukësi dhe Skënderbeu, ashtu si në sezonet e shkuara.

Po Flamurtarin, që ka kryer shumë përforcime, nuk e llogarisni?

Flamurtari ka qenë gjithmonë një kundërshtar i fortë në fushën e tij. Nuk di çfarë të them për këtë sezon, pasi ende nuk e kemi parë si ekip në fushën e lojës.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje