Ministria e Arsimit dhe Sportit i jep një shans të dytë të gjithë atyre maturantëve, të cilët nuk arritën dot të plotësonin në kohë Formularin e Aplikimit për në universitete.
Koha për plotësimin e formularit do të nisë që nga data 15 shtator. Qendra e Shërbimeve Arsimore do të rihapë portalin Online të Maturës Shtetërore, për një raund të dytë regjistrimesh, që do të mbyllet në datën 22 shtator.
Maturantët e interesuar do të mund të kryejnë aplikimet në datat e paracaktuara përmes një kalendari, sipas qarqeve përkatës.
Kandidatët do të kenë të drejtë të zgjedhin deri në 10 preferenca. Ndërkohë që, paraprakisht ata duhet të kryejnë pagesën e tarifës së aplikimit në vlerën e 2 mijë lekëve. Mandati i pagesës së kryer do të dorëzohet në shkollën ku këta kandidatë kanë kryer plotësimin e Formularit A1/A1Z.
Publikimi i librit të transparencës ishte mundësia fundit e konkurrentëve për saktësimin e të dhënave të tyre, të cilat mund t’i penalizonin në listimin e fituesve. Të drejtën për të plotësuar Formularin A1Z e kanë të gjithë kandidatët që kanë përfunduar shkollën e mesme para vitit 2017 dhe që kanë detyrim për të dhënë një ose disa provime të Maturës Shtetërore.
Po ashtu, formulari mund të plotësohet nga kandidatët që kanë kryer arsimin e mesëm jashtë vendit dhe pasi kanë bërë njehsimin e diplomës në komisionin përkatës të MAS, rezulton se kanë detyrim për të dhënë një ose disa provime të Maturës Shtetërore.
Kategoria e tretë që ka të drejtën e plotësimit janë ata kandidatë, që kanë përfunduar shkollën e mesme në Shqipëri ose jashtë vendit, që nuk kanë detyrim për të dhënë provime në Maturën Shtetërore 2017, por që duan të vazhdojnë studimet në Institucionet e Arsimit të Lartë.
Për të plotësuar formularin A1Z, të interesuarit duhet të paraqesin tek mbikëqyrësi një vërtetim të lëshuar nga shkolla ku ka dhënë provimet.