Në një editorial që botuam dje në JavaNews.al, rreshtonim arsyet se përse kishte ardhur (dhe kaluar) koha që ministrat teknikë të propozuar nga Partia Demokratike para zgjedhjeve të 25 qershorit, të linin postet që mbanin. Teknikët që opozita propozoi në dikasteret e Punëve të Brendshme, Drejtësisë, Financave, Arsimit e Shëndetësisë, ishin produkt i një situate tejet specifike, të krijuar në mesin e muajit maj, kur afrimi i zgjedhjeve nxirrte si nevojë urgjente mbylljen e çadrës së protestës së opozitës dhe fillimin e fushatës elektorale. Marrëveshja Rama-Basha e 17 Majit bëri të mundur që kjo të ndodhë, edhe përmes hyrjes de facto në qeveri, të ekspertëve të propozuar nga opozita.
Prania e ministrave teknikë siguroi jo vetëm kontrollin mbi administratën shtetërore gjatë zgjedhjeve, por shfryu totalisht klimën e tensionit politik që kishte sjellë protesta e çadrës, si dhe ofroi legjitimitetin e munguar për zgjedhjet e 25 Qershorit. Nga kjo pikëpamje, misioni i “teknikëve” ishte dhe mbetet një faktor sa i veçantë e i paprecedent, aq edhe pozitiv, në mbajtjen e situatës politike e sociale në Shqipërisë, brenda kufinjve të normalitetit.
Duke futur njerëzit e propozuar prej tij në qeverinë Rama, kreu i opozitës e dinte se i kishte hequr vetes të gjitha alibitë për të kontestuar rezultatin e 25 Qershorit. Ashtu siç pritej, Basha korri një humbje therëse në zgjedhje, çka solli ngrirjen e funksioneve të tij dhe rizgjedhjen në krye të Partisë Demokratike përmes një procesi, i cili krijoi jo pak kundërshti brenda partisë. Janë pikërisht këta kundërshtarë të zotit Basha, por edhe aleatë të tij të partive afër PD, që kanë vënë re javët e fundit sesa false dhe e papranueshme ishte mbajtja e teknikëve në qeverinë Rama. Një kabinet ku kryeministri refuzoi edhe t’u japë dorën ministrave të opozitës dhe ku prezenca e tyre ishte bërë prej kohësh jonormale.
Largimi i ministrave teknikë erdhi pas aktit formal të hartimit të një raporti mbi atë që ata mundën të vrojtojnë në lidhje me procesin elektoral në sektorët që drejtuan për rreth tre muaj. Një raport ky që vështirë se do të sjellë diçka të re në favor të kauzës së opozitës, se zgjedhjet ishin të blera nga qeveria. Në konkluzionet e nxjerra së fundi nga Ministria e Brendshme, e drejtuar nga ministri teknik Dritan Demiraj, hidheshin poshtë indirekt pretendimet për një blerje masive votash nga ana e partive të shumicës.
Ikja e teknikëve i kthen vendit një situatë normale në dy rrafshe. Së pari, qeveria nuk do të ketë brenda vetes, qoftë edhe për pak ditët që i kanë mbetur, emërtesa të pavotuara. Pra që nuk shprehin një vullnet elektoral popullor. Së dyti, opozita tashmë mund të marrë frymë lirisht dhe ta thotë me gojën plot e shikimin e kthjellët, atë që mendon për qeverinë e tanishme dhe atë që do të vijë.
A do të thotë ikja e ministrave teknikë, se marrëveshja e 17 Majit nuk do të ketë një “zgjatje kontraktuale”? Me gjasë që do të jetë kështu. Tashmë edhe Rama, por mbi të gjitha Basha, nuk do të jenë më të shtrënguar të flasin e veprojnë nën hijen e një akordi që evitoi kolapsin e zgjedhjeve, por që mesa shihet, do të zhbllokojë lojën politike mes pozitës dhe opozitës pas shtatorit.
O Skender, te paguajne apo i paguan per te te botuar «analizat»,,, ?
Pse merreni me opozitat fallco qe vegjetojne ne Tirane? Nuk e keni kuptuar akoma, apo dhe ju beni sikur? Loja politike eshte e shitur qe ne vitin 1991, kur u miratua me “konsensus” te plote Ligji i Tokes. Te gjitha “perplasjet” e mevonshme. midis gjoja dy kraheve te politikes (e majta dhe e djathta) kane qene vecse farsa dhe kane perfunduar gjithmone ne favor te tyre (politikaneve) dhe ne dem te popullit. Kujtoni qeverite e stabilitetit, firmat piramidale qe zhduken pa lene gjurme vecse miliardat e kursimeve te njerezve te thjeshte, ligjet elektorale qe perjetesuan pushtetin e bandave te politikes, deri ne pazaret e fundit (konsensuale) per reformat ne drejtesi dhe qeverine teknike. Bilanci eshte i thjeshte: polarizimi i skajshem pasuror, nga njera ane i politikaneve te babezitur dhe sejmeneve te tyre, qe nuk dine se ku i kane pasurite dhe nga ana tjeter varferimi i shtresave te gjera te popullsise. Te gjitha partite kane per qellim te vjedhin pafundesisht popullin. Keni pare politikane qe te punojne dhe luftojne me fakte dhe jo me llafe, per ti kthyer pasurite e vjedhura tek i zoti? Fullanet dhe raca e tyre, vazhdojne te (dem)shperblehen me vendime gjyqesore (?!) nga parate e buxhetit. Te gjithe bejne sikur ropaten per popullin dhe mashtrimi vazhdon prej 26 vitesh. Vetem budallejt nuk e kane kuptuar, ndersa ata qe bejne duvane e hajduteve, sidomos media, jane edhe vete te perlyer. Sot per sot. opozita e vetme ne Shqiperi eshte populli i grabitur dhe i mashtruar nga politikanet dhe i cveshur nga sovraniteti i tij.