Drejtësi për të gjithë drejtësi për… askënd!

18 Gusht 2017, 18:03Blog TEMA

Nga Anri Bala

Pak kohë më parë, në një emision investigativ të ekraneve tona, i cili shpesh më bënte të humbja durimin, për shkak të mediokritetit të transmetimit të kronikave, që duhet të ishin me karakter “denoncues” për hesap të “nevojtarit hallexhi” dhe jo për hesap të pronarit të televizionit, u transmetua një histori shumë e dhimbshme, e cila më bëri vërtetë përshtypje. I bindur, se të tilla ngjarje janë të përsëritura, desha të veçoja vërtetë rastin për t’iu referuar tollovisë së ngjarjeve të sistemit tonë të (pa)drejtësisë.

Një zonjë rreth të 70-ve, e cila vuante ende ndarjen nga jeta të djalit të saj të madh, vite më vonë i arrestojnë djalin tjetër të vetëm. Në nevojë për një përfaqësues në mbrojtien ligjore të djalit, zonja i referohet një avokati, bazuar nga sygjerimi i disa miqve të saj të afërt. Avokati “mik” i miqve të saj, i këshillon zonjës të shesë çfarë ka: pronë, shtëpi e katandi, pasi ka garancinë se me lekë do t’ia nxjerrë djalin nga burgu nëpërmjet gjyqtarit, e se vetëm me lekë bëhej kjo punë, e këtë i’a kërkonte pa kaluar ende çështja në “gjykim”.

Zonja e detyruar nga dhembshuria për të birin, shet pronën e vetme të saj, por fatmirësisht jo shtëpinë! Djali mbetet në burg, zonja e mashtruar humb dhjetëra miliona lekë nga shitja e truallit, ndërsa avokati u zhduk me paratë e “grabitura” në mynyrë ligjore në tregun e drejtësisë shqiptare. Bashkëshorti i zonjës, i tronditur nga ajo që u ndodhi, nuk i foli asaj për 7 vite me radhë. Konflikti me të shoqin degjeneroi deri në dëbimin e saj nga banesa, ku 2 vitet e fundit ajo i kaloi në “rrugë të madhe”.

Histori ka plot dhe asnjëra nuk e bënë tjetrën, as më shumë reale dhe as më pak të dhimbshme! Por, histori më të veçantë se: “Vetëm me lekë e mbyll këtë punë”, nuk më shkon mendja, se mund të dëgjosh tjetërkund. E kam fjalën, për vende demokratike e në dukje me perspektivë perëndimore… sikurse jemi ne!

Ndryshe nga të “ekspozuarit” e paekspozuar ende, siç janë mercenarët e padrejtësisë, që prej: “Vetëm me lekë e mbyll këtë punë”, që kanë ndërtuar vila e saraje dhe i kapardisen njëri tjetrit se kush ngre kate më shumë,  mendoj se nuk ka një shqiptarë të vetëm që nuk e do “Reformën në Drejtësi”, por… jo drejtësi me xhepin e tij.

Drejtësia, padyshim pritet të jet një nga reformat më të lavdëruara, sikurse është nga më të kërkuara prej atyre që e “porositën” me xhep të tyre, pra Amerika dhe Bashkimi Europian, ama duhet të pranojmë, se është një nga sistemet që ka pasur koston më të lartë, për xhepin e shqiptarëve “varfanjakë”.

Të jesh fajtor në Shqipëri, është e lehtë nëse nuk ke para, e të jesh i pafajshëm është edhe më lehtë, nëse me para mbush portofolin e gjyqtarëve apo prokurorëve, të cilët nuk  e refuzojnë kleringun e tipit…shtëpi ose makinë. Por “fajin” e atij që nuk ka para, e paguan edhe i dënuari edhe i padënuari edhe qytetari edhe fshatari edhe familjari edhe fqinj… padrejtësisht.

A e dini pse, sepse kosto e regjimit e një të dënuari, shkon deri në 550 euro në muaj?! Burgjet janë plot me ata që nuk kanë mundur të mbyllnin “atë punë vetëm me lekë”, ndërsa xhepat e shqiptarëve bosh, grisen dhe shqyhen, sepse i kanë detyruar të paguajnë mbipopullimin e “fajtorëve” të pahetuar, apo gjykuar ndonjëherë, me vendimet e tyre, nga palaçot e “tregut të drejtësisë”.

Ikja e disa palaçove nga “tregu” i pambyllur, nuk do të thotë se Shqipëria do të pastrohet nga padrejtësia. Nga një bordello që mbyllet, nuk do të thotë se “vdiq” prostitucioni, kur prostitutat prostituojnë ende në rrugë.

Vetting-u kënaq amerikanët dhe europianët, por… drejtësia gabon edhe në Amerikë, edhe në Europë, ku nuk është treg. Çdo qytetari i lind e drejta të pyes: A ka një matës, se sa është rekordi i padrejtësive në Shqipëri ndaj viktimave të grabitjeve dhe tjetërsimit të pronave, e deri ndaj qindra viktimave të tjera, që ndodhen pas hekurave… të pafajshëm?!

A ka matës të “padrejtësisë”, për kapot e krimit që bëjnë jetë mbretërish të padënuar, megjithëse fajtor dhe dirigjojnë dhe bilbilojnë në çdo vend, pa i’u trembur syri dhe dridhur zëri. Vetting-u është një shaka e rëndë, nëse fajtorët nuk paguajnë për fajet e tyre, nëse horrat vazhdojnë të na fyejnë nga froni i tyre i ngritur me paratë e krimit, nëse të pafajshmëve nuk u kthehet dinjiteti dhe vazhdojnë të mbajnë vulën e fajtorit, sepse nuk kishin mundësi të paguanin pa bërë faj, por vetëm se u gjendën në momentin e gabuar, në vendin e gabuar.

Vetting, se “vjen njëri e ikën tjetri” dhe era mbytëse e gjirizit të padrejtësisë, nuk do të largohet nga ata që i ka ndotur… kurrë mos ardhtë, sepse kësaj i thonë: Drejtësi për të gjithë, drejtësi për… askënd!

1 komente në “Drejtësi për të gjithë drejtësi për… askënd!”

  1. Nazmi Leka says:

    Kjo është super e vërtetë.
    Këtë shkrim ta lexojnë e ta kenë vath në vesh ata që do të vendosen të bëjnë drejtësi pas vetingut.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje