Vijo pushimet, Lul! Nuk është ky problemi yt!

17 Gusht 2017, 10:04Blog TEMA

Nga Mustafa Nano*

“Lulzim Basha ka ikur, ka lënë vendin, ka marrë arratinë”, po dëgjohet të thuhet nga shumë zëra në media, në mënyrë kritike. Janë kundërshtarët e tij që e bëjnë këtë. Merret vesh, kanë gjetur edhe një arsye tjetër për ta dërrmuar e vënë me shpatulla pas muri. Mirëpo ai nuk është se i çan kryet shumë, pasi punët i ka në terezi. Është e vërtetë që humbi zgjedhjet në mënyrë katastrofike, por menjëherë pas kësaj pamë të gjithë një si resurrection të tijin prej gërmadhave të kësaj katastrofe (u kërkoj ndjesë të gjithë të krishterëve që termin, i cili i asociohet prore Krishtit, e banalizova në këtë farë feje). Paradoksalisht, humbja i shërbeu Bashës për t’u kalcifikuar në krye të PD-së. Edhe sikur të kish korrur një rezultat shumë të mirë, madje edhe sikur t’i kishte fituar zgjedhjet, nuk do të kishte qenë më i padiskutueshëm se sa pas kësaj humbjeje të turpshme. Ngjan si shaka, por nuk është: katastrofa në zgjedhjet parlamentare i shërbeu për të marrë mbi 90 % të votave të demokratëve. Pas kësaj,… iku me pushime.

Tani, Bashën mund ta sulmosh nga të gjitha anët. Për arsye të njohura, ai është një tabelë e lehtë qitjeje. Por le t’ia kursejmë kritikat për faktin që ka ikur me pushime në muajin gusht. Nuk ka kuptim të qortohet për këtë. Jemi në një stinë pushimesh, në të cilën protagonizmi i të gjithëve është minimal. Mbeten më aktivë ata që kanë marrë përsipër të qeverisin vendet e tyre, por edhe këta bëjnë pushime. Donald Trumpi e ka drejtuar Amerikën e këtyre ditëve të gushtit nga fushat e golfit. Jo vetëm kaq. Edhe gjysmat e fundjavave, që prej momentit kur ka hyrë në zyrën ovale, i ka kaluar jashtë Shtëpisë së Bardhë, për qejf të vet. Ku edhe ka bërë Presidentin, sigurisht. Kryeministrja britanike Theresa May, mú në pikun e halleve me Brexit-in, ka planifikuar të kalojë nja tri javë të mira në Itali e në Zvicër. Angela Merkel ka lënë fushatën elektorale, dhe i është drejtuar gjithashtu Italisë së Veriut. E kështu me radhë.

Është normale kjo. Pushimet të çlodhin, por edhe të bëjnë të ripërftosh energji të humbura gjatë vitit e të rikuperosh qetësi, kthjelltësi e ekuilibër. Në këtë kuptim, është edhe në interesin publik që drejtuesit e vendit të gjejnë kohë të pushojnë. Nga ana tjetër, janë edhe familjarët e tyre që duan t’i kenë pranë të paktën një copë herë gjatë vitit. Dhe stina e verës është koha më e përshtatshme për këtë. Theresa May e Angela Merkel, fjala vjen, janë duke i bërë pushimet me bashkëshortët e tyre. Trumpi me Melania-n e me djalin e tyre të vogël. Edi Rama me familjen. Lulzim Basha po njësoj me familjen.

Për të njëjtat arsye zbrazen gjatë verës edhe ndërtesat e institucioneve të tjera. Të gjithë ikin me pushime. Kombi vihet të punojë në regjim bazik a minimal. Veprimtaria humane zhvendoset pothuajse e tëra buzë detit apo majë maleve. Në këto rrethana, edhe ai që nuk i ka qejf pushimet, është i detyruar të pushojë. Sepse nuk ka me kë të punojë, nuk ka se kujt t’i shesë a t’i blejë, nuk ka se me kë ta bëjë një transaksion, një kontratë, e kështu me radhë. E mes institucioneve të shkrehura gjatë muajit gusht janë partitë e opozitës ato që by default nuk kanë se ç’të bëjnë. Ato thjesht mund të shtiren sikur punojnë, mund të nxjerrin ato zëdhënëset e pispillosura të shtypit për të lexuar ndonjë deklaratë kundër Qifes, por ky do të ishte një teatër i panevojshëm (meqë ra fjala, Basha do bënte mirë t’i jepte fund kësaj praktikës së opozitës që bën denoncime kuturu, “sa m’u gjend Kola në punë”, nga foltorja e partisë, me gojën e këtyre zëdhënësve; jo për gjë, por kjo mënyrë e të bërit të opozitës është pushim e shkuar pushimit).

Por po kthehem tek argumenti i shkrimit. Vetëm një pjesë e medias në Shqipëri vijon të promovojë e mbrojë imazhin e udhëheqësve që, aq shumë e kanë mendjen te hallet e vendit e aq shumë janë të gatshëm të sakrifikojnë (!!!!), sa edhe me pushime nuk u shkon mendja të shkojnë. Ky është afërmendsh një imazh i stisur, i rremë, dhe kotësisht i heroizuar i profesionit të politikanit a dinjitarit të lartë. Këta të fundit janë si gjithë të tjerët. Kanë nevojë të pushojnë. E sa herë që pretendojnë se refuzojnë pushimet e tyre për të mirën publike, dijeni se ka një hile në këtë mes. Në rastin më të mirë, është një gjest prej hipokriti e demagogu.

“Shqipëria po digjet, ndërsa ti rri më shullëhesh në diell”, i shkruante dikush Edi Ramës këto ditë. Ka dashur ta shohë Edi Ramën me kostumin e zjarrfikësit, me pompa uji në dorë e me bombola në shpinë? Jo, thjesht ka dashur të sigurohet se ai është në zyrë. Është një imazh ngushëllues ky për shumë shqiptarë. Dhe kjo ka lidhje me mendësinë që e lidh efektivitetin e një politikani me praninë e tij në kryeqytet, në zyrë, mundësisht nëpër ekrane televizorësh. Ndërkohë që një politikan mund të punojë edhe atje ku është. Donald Trumpi e bëri sherrin e madh “të nivelit bërthamor” me Kim Jong-un-in, teksa ka qenë në New Jersey apo në Mar-a-Lago, i veshur me kostumin e bardhë të golfistit. Me siguri, edhe diktatori koreano-verior ka qenë duke u argëtuar, teksa i është dashur të shkëmbejë me Trumpin mesazhet, me të cilat i kanë kallur datën gjithë botës. Madje, diktatorët si rregull janë më të ngeshëm e më të thekur për dëfrime. Thjesht bëjnë si më të zënë e më të përkushtuar pas punëve. Por nuk ka arsye të jenë më të zënë. Regjimet e tyre janë më të lehta për t’u qeverisur e mbajtur. Kohën më të madhe e harxhojnë duke gjurmuar ata që flasin kundër tyre.

Për ta mbyllur sërish me Lulzim Bashën, unë do t’i thoja: Vijo pushimet, Basha! Nuk është ky problemi yt! Pushimet janë e vetmja gjë me vend, e me mend, që ke bërë këto kohët e fundit.

*Titulli original: Pse i doni politikanët të jenë protagonistë edhe në gusht?

7 komente në “Vijo pushimet, Lul! Nuk është ky problemi yt!”

  1. korçari says:

    O “HISTORIANI” Muç vazhdo germo se veç qenin e ngordhur do te gjesh (kjo per historine e Vojsaves ) dhe sa per pushimet te gjithe kane te drejte te bejne kjo eshte e sanksionuer dhe me ligj por si nga Skrapari qe je nuk te rrihet pa u grindur dhe me mizat…Hajde dru me pre…

  2. Syti KORITA says:

    Kam punuar 10 vjet ne Skrapar. Jam i moshuar. Me cudit fakti, qe Ti , bir Skrapari, ne shkrimet perdor shpesh fjale te huaja:-“resurrection” “by defoult” ?!

  3. Guri says:

    Z. Nano! Qe je nje megaloman skrapali, qe te pelqen te dukesh, pavaresisht se si, kjo eshte e njohur nga kushdo. Une e kam fjalen per ndjesen qe u kerkon te krishtereve sepse u paske “perdhosur” fjalen qe ata e perdorin prore. Po pse, o burri i dheut, nuk perdor fjalen e bukur shqip RINGJALLJE dhe s’ke pse t’i kerkosh falje askujt? Nuk e perdor fjalen shqip sepse kerkon te dukesh sikur çoç di ndonje fjale te huaj, ose, me fjale te tjera, nuk del dot nga rroba jote prej mendjemadhi.
    Sa i perket permbajtjes, jam i nje mendje me ty.

  4. Loran shehu says:

    Gjalll qeka ky buthqiri turk

  5. Mihali says:

    Vazhdo pushimet ! Se je ilodhur nga dy fushata te medha (parlamentare dhe partiake) te dy ai ndrite.

  6. saliu says:

    Rrofsh e Muc qe e qetesove Lulashin se e mbyten shoket e tij me kritika.

  7. Nelo says:

    Ky langua dihet qe eshte nje injorant skrapari me crrenje antishqiptari. Se kuptoj pse Tema i jep hapesire ketij perversi?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje